MENU
klinika

20 bashki për certifikim

30 Qershori kthehet sërish te Kolegji Zgjedhor

21.07.2019 - 15:11

Kolegji Zgjedhor do të marrë sërish në shqyrtim procesin zgjedhor të 30 qershorit.

Këtë herë trupa e gjyqtarëve do të fillojë nesër shqyrtimin e kërkesave ankimore të Partisë Bindja Demokratike dhe dhënien e mandateve për këshillat bashkiakë në 20 bashki të vendit.

  • ANKIMET

E hëna dhe e marta do të jetë një ditë e ngjeshur për Kolegjin Zgjedhor, pasi do të shqyrtojnë kërkesat e Bindjes Demokratike dhe Partisë Socialiste për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Të hënën do të shqyrtohen 5 ankime të Partisë Bindja Demokratike, që kundërshton rezultatin në bashkitë: Selenicë, Shijak, Kurbin, Tiranë dhe Berat. KQZ i rrëzoi kërkesat e kësaj partie, pasi, sipas saj, pretendimet nuk ishin të bazuara, ndërsa tashmë radhën për të folur e ka shkalla e dytë, Kolegji Zgjedhor.

Në argumentin e saj, Bindja Demokratike pretendon se kutitë janë mbushur me vota fiktive dhe se iu vodhën. Po të hënën Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë edhe një kërkesë tjetër ankimore, këtë herë të Leonidha Hristos, që humbi garën për drejtimin e Bashkisë së Finiqit. Ky i fundit nuk pranoi rezultatin duke kërkuar anulimin e procesit zgjedhor.

  • KËSHILLAT BASHKIAKË

Pas shqyrtimit të kërkesave ankimore për subjektin zgjedhor Bindja Demokratike dhe të Leonidha Hristos, Kolegji Zgjedhor do të marrë në shqyrtim 20 kërkesat e PS-së për shpërndarjen e mandateve për këshilltarët bashkiakë, pasi KQZ e kishte të pamundur ligjërisht për t’i certifikuar.

Kjo, pasi Kodi Zgjedhor parashikon se shpërndarja e mandateve duhet të bëhet me shumicë të cilësuar votash të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pra, minimumi pesë vota pro.

Por të gjitha vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për procesin zgjedhor të 30 qershorit janë marrë me 4 vota pro dhe një kundër, pasi kryetari Klement Zguri ka votuar gjithmonë kundër, duke njohur dekretin e Presidentit Meta, që anuloi 30 qershorin si edhe ka mbajtur qëndrimin se duhet të bëhet një hetim i thelluar administrativ mbi parregullsitë në pjesëmarrjen e votave.

Duke qenë se me 4 vota nuk shpërndaheshin dot mandatet e këshilltarëve bashkiakë, PS-ja i është drejtuar Kolegjit për të certifikuar këshillat. Të hënën do të shqyrtohen kërkesat për 7 bashki. Konkretisht, për bashkitë Devoll, Kuçovë, Konispol, Memaliaj, Ura Vajgurore, Përmet dhe Poliçan. Ndërsa të martën do të shqyrtojë kërkesat për 13 këshilla bashkiakë të tjerë, si Mirditë, Finiq, Pukë, Pustec, Pogradec, Vau i Dejës, Mat, Fushë Arrëz, Delvinë, Roskovec, Kavajë, Dropull dhe Peqin.

Për certifikimin e mandateve të këshillave bashkiakë, procesi pritet që të vijojë edhe në ditët në vijim.

Çertifikimi i hap rrugë mbledhjes së parë të këshillave dhe betimit të kryetarit të ri të bashkisë për çdo njësi vendore.

Regjistrimi i rreth 13.000 m2 tokë pa asnjë dokument ligjor në Lalëz

Lihet në qeli ish-kreu i Kadastrës

Dyshohet se ra nga lartësia e një pallati

Tragjike! Humb jetën 10-vjeçari

Zonat ku pritet të ketë edhe dëborë

Nisin reshjet e shiut në të gjithë vendin