MENU
klinika

Shpërndahen formularët

Zyrtarët e PD përfundojnë në sitën e vettingut!

21.07.2019 - 17:46

Edhe pse është jashtë gjithë institucioneve qendrore dhe vendore, Partia Demokratike, është përfshirë në një fazë të plotësimit strukturave dhe kontrollit të integritetit moral dhe profesional të zyrtarëve të saj.

Selia blu po kalon në sitë gjithë zyrtarët demokratë, përfshirën edhe anëtarët e këshillit kombëtarë. Formulari i vetëdeklarimit, i është shpërndarë gjithë strukturës, ndërsa pyetjet që kërkojnë përgjigje janë specifike dhe të detajuara.

Në të kërkohen të dhënat personale, të dhanë për punësimin, të dhëna mbi shkollimin, mbi eksperiencën në punë, të dhëna për pastërtinë e figurës që lidhen me gjendjen gjyqësore dhe të dhëna mbi veprimtarinë politike.

Ky formular është i vlefshëm edhe për çdo kandidat për zgjedhje vendore apo parlamentare. Zyrtarët demokratë, janë të detyruar krahas çdo eksperience punësimi apo niveli arsimimi, të deklarojnë edhe marrëdhënien e tyre me ligjin.

Formulari është i ngjashëm me atë të dekriminalizimit, ndërsa kërkon të detajuar në qoftë se zyrtari ka qenë ndonjëherë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë nga një autoritet shqiptar ose i huaj dhe a është dëbuar nga ndonjë shtet.

Rëndësi e veçantë i është kushtuar dhunës në familje, ndërsa zyrtarët demokrat duhet të japin përgjigje në qoftë se ndaj tyre është paraqitur ndonjëherë kërkesë për urdhër mbrojtje. Në seksionin e të dhënave për veprimtarinë politike, formulari kërkon në detaji información nëse zyrtari demokrat ka qenë i përfshirë në veprimtari politike duke nisur nga periudha 1944 deri në 1991.

Sepcifikisht në qoftë se kanë qenë anëtarë apo kandidat i Byrosë Politike, Anëtarë i Komitetit Qendrorë i Partisë Punës, Anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, Bashkëpunëtor i ish sigurimit të shtetit, anëtarë i komisionit qendrorë të Dëbim-Internimit, apo denoncues ose dëshmitar në procese politike të posaçme.

Zyrtarët demokrat duhet të deklarojnë veprimtarinë e tyre politike edhe nga viti 1991 deri në ditët e sotme.

Ky proces, nga selia blu arsyetohet me faktin e përditësimit të dhënave ne databazën e Burimeve Njerëzore.