MENU
klinika

DSHM. Alketa Qosja (Hoxha)

Njeriu, mjeku, mjekësia dhe teknologjia

11.09.2018 - 19:50

“Të dish gjithçka është e pamundur, por dhe të kërkosh të thuash gjithçka prodhon mërzi”, do të shkruante Profesor Guy Lazorthes (Profesor i Anatomisë dhe Kirurgjisë së Sistemit Nervor, Anëtar i Akademisë së Shkencave dhe i Akademisë Kombëtare të Mjekësisë në Francë).

Këto vitet e fundit mjekësia ka përfituar nga progresi i pandërprerë në fushën e teknologjisë.

Me ndihmën e tyre mjekët arrijnë që të diagnostikojnë dhe trajtojnë një sërë sëmundjesh që në të kaluarën as që mendohej se mund të shëroheshin.

Por kjo ka sjellë që në binomin e rëndësishëm pacient-mjek të futet dhe koncepti teknologji, aparate mjekësore.

POR këto aparate, krijesa të vetë njeriut, nuk e shohin në sy të sëmurin, nuk i buzëqeshin atij dhe nuk mund t’i japin kurajon për të cilën ai ka kaq shumë nevojë kur është i sëmurë.

Për më tepër prania dhe përsosja e vazhdueshme e këtyre aparaturave ka transformuar edhe vetë mjekët.

“Gradualisht atyre u janë shteruar fjalët, ose kur flasin ju referohen vetëm ekzaminimeve dhe aparaturave, bëhen të ftohtë me të sëmurët, nuk e ndiejnë si detyrë që të takohen drejtpërdrejt me ta ose takimet janë shumë të shkurtra ose më keq akoma duke arritur deri në atë shkallë sa edhe këshillat mjekësore t’i transmetojnë nëpërmjet telefonit”, do shkruante Profesor Lazorthes.

Sidoqoftë në këtë situatë të re të krijuar nga mbivlerësimi i teknologjisë nuk ka humbur vetëm pacienti i cili humbet trajtimin njerëzor që meriton, por ka humbur edhe mjeku.

Duke qenë vetëm një mbledhës dhe komentues i të dhënave të marra nga aparaturat dhe teknologjia ai transformohet në një shtesë të tyre.

Ky rol i ri shpesh e vendos atë në periferi në raport me të sëmurin dhe duket sikur rolin kryesor e merr aparatura dhe aq më tepër i kufizon mjekut hapësirën e llogjikës, të kryerjes së diagnozës diferenciale, të vëzhgimit dhe i zvogëlon nevojën për kulturë të përgjithshme.

Në këtë mënyrë mjekët mund të humbasin virtutet e tyre tradicionale duke u kthyer në automatë që automatikisht përshkruajnë diagnozën, mjekimin dhe asgjë më tepër duke i transformuar ata në “mjek-teknik” që dallon shumë nga “mjeku-artist”, aq shumë i shkruar dhe i përshkruar ndër vite, aq shumë i kërkuar nga maturantët ekselentë, i nderuar gjithmonë nga të sëmurët dhe familjarët e tyre.

Në këtë mënyrë me anë të gjykimit të shëndoshë dhe të shpirtit kritik mjekët e talentuar janë në gjendje të zgjidhin drejt dhe në kohë problemet e lidhura me profesionin dhe ato të jetës së përditshme.

Mjekët e aftë dhe të kulturuar e konsiderojnë këtë si një stoli, por edhe si një forcë më tepër në ushtrimin e profesionit me ndërgjegje dhe përkushtim. Janë pikërisht këta mjekë që i trajtojnë të sëmurët me simpati, respekt dhe dhembshuri.

Mjekët janë të privilegjuar ngaqë jo vetëm luftojnë kundër vuajtjes-vdekjes me zgjuarsinë, ndjeshmërinë dhe njohuritë e tyre në një botë ku po mbretëron makina dhe teknologjia dhe ku janë të rrallë ata që gjejnë në punën e tyre kënaqësi intelektuale, por ndodhen edhe në një pozicion shumë të përshtatshëm për të reflektuar mbi misteret e jetës, progreset dhe pasojat e shkencës dhe të teknikave moderne.

BETIMI I HIPOKRATIT

Betohem për emër të Apollos mjekut, të Asklepiusit dhe Higjeas e Panaceas, e për emër të të gjitha perëndive dhe perëndeshave, që do të jenë dëshmitarë të mij, se do ta përmbush sipas aftësive dhe gjykimit tim, këtë betim dhe detyrim;

Se do ta trajtoj atë që më mësoi Artin e mjekësisë, si të jetë prindi im, dhe do të kaloj jetën time me të, dhe do ta ndihmoj në pastë nevojë; pasardhësit e tij do të jenë për mua vëllezër dhe atyre do t’ua mësoj Artin e mjekësisë, nëse do ta duan këtë gjë, pa pagesë dhe pa shpërblim;

Se do ta ofroj diturinë që kam mbi Artin e mjekësisë si mësues dhe edukator i rregullt e përmes të gjitha mënyrave të tjera të të mësuarit, për bijtë e mij, për bijtë e mësuesve të mij, si edhe për nxënësit që pranohen me marrëveshje dhe nën betim sipas Ligjit të mjekësisë; por askujt tjetër.

Do të aplikoj mënyrat e trajtimit sipas aftësisë dhe gjykimit, në të mirë të pacientëve të mij, duke i mbrojtur ata nga dëmtimet dhe padrejtësitë. Nuk do t’i jap një bar vdekjeprurës askujt që do ta kërkojë atë, dhe as nuk do t’ia sugjeroj dikujt këtë gjë.

Po ashtu, nuk do t’i aplikoj asnjë gruaje një mjet që shkakton abortin. Do ta kaloj jetën dhe profesionin tim në pastërti dhe dlirësi. Nuk do të merrem me kirurgji, madje edhe tek pacientët që vuajnë nga gurët, por do ta lë që këtë punë ta bëjnë atyre që iu vjen ndoresh.

Në çdo shtëpi që të hyj, do të hyj vetëm në të mirë të të sëmurit, duke qëndruar larg prej çdo padrejtësie dhe të pabëre, e sidomos prej akteve seksuale mbi trupat e grave dhe të burrave, qofshin këta njerëz të lirë, apo skllevër.

Çfarëdolloj gjëje që do të dëgjoj gjatë një mjekimi, apo edhe që nuk ka lidhje me mjekimin, përsa iu takon jetës së personave e që nuk duhet të nxirret në pazar, këtë gjë do ta mbaj për vete, duke ruajtur fshehtësinë e plotë.

Nëse e respektoj këtë betim dhe nuk e dhunoj atë, le të mundem ta gëzoj jetën dhe profesionin tim, i nderuar prej të gjithëve e në të gjitha kohërat; por nëse e thyej dhe e dhunoj këtë betim, le të jetë fati im i ndryshëm.