MENU
klinika

“Kusarth”

Grabitja e Rinasit/ Klement Çalës i sekuestrohet 500 mijë € pasuri

23.07.2019 - 19:57

Policia e Elbasanit ka finalizuar operacioni “Kusarth” ku është sekuestruar pasuria e Klement Çalës dhe familjes së tij, një nga të dyshuarit për supergrabitjen e Rinasit, me pretendimin se këtë pasuri i ka përfituar nga aktiviteti kriminal.

Nga policia e Elbasanit, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, në kuadër të hetimit të proçedimit penal të regjistruar pranë kësaj prokurorie për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, gjatë paradites së sotme u finalizua operacioni policor i koduar “Kusarth”, për vendosjen e sekuestrove preventive ndaj pasurisë së 31-vjeçarit K.C dhe familjarëve të tij.

Në kuadër të operacionit, u vendos sekuestro preventive për pasuritë e paluajtshme dhe aksioneve në pronësi të tyre, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal, si më poshtë:

-1 apartament me sipërfaqe 50 m2, në qytetin Elbasan;

-pasuri e llojit arë + truall me sipërfaqe 500 m2 dhe një ndërtesë e llojit njësi me sipërfaqe 167,9 m2 e ndërtuar mbi këtë pasuri, në vendin e quajtur Kusarth, Elbasan;

-pasuri e llojit arë me sipërfaqe 809,5 m2, mbi të cilën është regjistruar kontrata e sipërmarrjes për ndërtimin e 3 vilave nga 1 kat + nënçati me sipërfaqe 166 m2 secila, me vlerë investimi 15.662.000 secila, në vendin e quajtur Kusarth, Elbasan;

-50 % e aksioneve të një shoqërie në zotërim të shtetasit E.Ç, në vendin e quajtur Bradashesh, Elbasan.

Nga vlerësimi paraprak i pasurive të sipërshënuara, rezulton se ato kapin vlerën rreth 500.000 Euro.

Po ashtu bëhet me dije se po vijojnë hetimet dhe verifikimet për evidentimin e pasurive të tjera të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të këtij shtetasi ose familjareve te tij.