Në një prononcim për mediat, pasi dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të shpallur antikushtetues ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar, Presidenti Ilir Meta tha se ligji është një krim kushtetues kombëtar kulturor.
“Në radhë të parë dua të theksoj rëndësinë e madhe që ka ky akt sot. Në koherencë me përpjekjet e mia në raport me kuvendin, qeverinë, të përfshira në këtë proces kriminal të kapjes më flagrante të shtetit në dhunim të rendin kushtetues dhe njëkohësisht në kundërshtim të plotë edhe me interesat kombëtare.
Ligji është një simbol, kryevepër ku si asnjëherë më parë kryhet në harmoni, një krim kushtetues kombëtar kulturor, e gjitha në interesa të asaj që mund ta quaj rregull i oligarkëve”, tha Meta.
“Dua t’i siguroj të gjithë se kam ardhur këtu për të garantuar që Republika do jetë vend i sundimit të ligjit dhe popullit. Boll me sundimin e oligarkëve. I domosdoshëm të ndërpritet akti i këtij sundimi sot në mëngjes, dua t’i siguroj të gjithë se do të veprojë drejtësia shqiptare e ndërkombëtare ndaj rilindësve lokalë e ndërkombëtarë që ka lënë vendin pa gjykate.” vijoi më tej Meta