MENU
klinika

Shkon të marrë detyrën

Devoll/ Duro mbërrin të marrë Bashkinë, hap derën me çekiç

26.07.2019 - 17:18

Kryebashkiaku i ri i Partisë Socialiste në Devoll, Eduard Duro, ka mbërritur në ambientet e bashkisë, për të marrë detyrën. Duro ka shkuar te bashkia, menjëherë sapo ish-kryetari i kësaj bashkie, Bledion Nallbati i Partisë Demokratike, ka përfunduar orarin zyrtar të punës.

Nallbati është larguar nga zyra pasi ka mbaruar punën, ndërsa mësohet se ai është përcjellë me duartrokitje nga mbështetësit e tij, të cilët qëndruan për gjashtë orë me radhë para bashkisë. Ndërkohë, një punonjëse e bashkisë ka mbyllur derën e jashtme të ndërtesës dhe është larguar bashkë me ish-kryebashkiakun.

Kështu që dera e bashkisë është hapur me forcë nga një komision i zgjedhur nga kryetari i ri i bashkisë.

Një punonjës i bashkisë ka thyer bravën e derës, duke e hapur atë, në mënyrë që të futet në zyrën e tij kryebashkiaku i ri. Nga ana e tij, ky i fundit tha se dera do të hapej qetësisht, ashtu siç ishte mbyllur.

“I kam kërkuar ish-kryetarit dorëzimin e zyrës. Komisariatit të Devollit i kam kërkuar të jetë prezent tani pas orës 16:00 në hapjen e derës së bashkisë. Ne do ta hapim qetësisht”, tha Duro.

Sot në Devoll pati përplasje dhe tensione, pasi socialistët vendosën të konstituonin këshillin bashkiak.