KQZ ka shpallu sot rezultatin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Pas këtij momenti, të gjithë kandidatët e zgjedhur në 30 qershor, brenda datës 10 gusht, do të kenë mundësi të marrin zyrtarisht mandatin duke u betuar para këshillave.
Para votimit, kreu i KQZ Klement Zguri jo pak i prekur dhe me zërin që i dridhej ka dhënë edhe një mesazh të fortë, duke iu kërkuar kolegëve të tij t’i thërrasin arsyes.
“Zgjedhjet nuk janë vetëm një moment ligjor por edhe ngjarje politike. nuk mund t’i ndajmë. Kjo iu jep një peshë më të madhe. Brenda zgjedhjeve përfshihen interesa të ndryshme. Është një formalitet pasi vendimi i sotëm është shoqëruara paraprakisht me një sërë aktesh të tjera që janë përfundimtare dhe të formës së prerë. këto zgjedhje janë shoqëruar nga një konflikt i madh politik. mosmarrëveshjet do vazhdojnë edhe pasi ne të zyrtarizojmë rezultatin. Përmes votës sonë, merr një rëndësi tjetër. Vota nuk kthehet thjesht formale.
Konflikti nuk është preokupimi jonë, preokupimi im është se përmes votës sonë kemi dhënë edhe një notë për sjelljen e KQZ. Besoj se KQZ ka qenë ndërmjet ligjshmërisë dhe arbitraritetit, për fat të keq në logjikën time KQZ ka zgjedhur të dytën. Vota për këtë proces sigurisht që ngelet votë edhe për punën e KQZ. Me keqardhje them, e kam të pamundur për shkak të një performance të dobët të KQZ por ndonjëherë dhe mungesës së dinjitetit të saj për mua është e pamundur të japë një notë kaluese. Do votoj kundër. Dua që e gjithë kjo performancë të mos kthehet në standard pune në të ardhmen. Më duhet të them, unë nuk bija dakord me shumicën, me kolegët e mi. Shpresoj shumë që kolegët e mi t’i thërrasin vetëdijes ligjore dhe të reflektojnë”, deklaroi Zguri.
Por në qëndrimin e tij, nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba tha se këto zgjedhje duhet ti shërbejnë si leksion politikës shqiptare dhe më 30 qershor u vendos rrugëtimi i Shqipërisë drejtë ndërtimit të shtetit.
“I kam konsideruar këto zgjedhje jonormale. Ne vazhdojmë me demokracinë tonë të pakonsoliduar. Nuk kishte shumë për të zgjedhur në këtë proces duke qenë se partitë e spektrit të djathtë nuk mori pjesë. Shqipëria zgjodhi nëpërmjet kushtetutës dhe pazareve. Kushtetuta iu mbivendos pazareve të vogla politike.
Natyrisht që do ketë marrëveshje por këto marrëveshje nuk mund t’u mbivendosen qytetarëve dhe Kushtetutës. Në këto zgjedhje kam ndjerë mbështetjen e fortë të partnerëve perëndimor, të cilët e mbështetën Shqipërinë në këtë rrugëtim të vështirë ku kryesorja është ndërtimi i shtetit. Uroj që leksioni të jetë marr nga politika shqiptare, që të paktën këto zgjedhje të kenë shërbyer për diçka”, theksoi Biba.