Patrick Cutrone është tashmë një ish-lojtar i Milanit, praktikisht, sepse brenda kësaj fundjave pritet të firmosë për Wolves në Angli.
Sulmuesi 21-vjeçar la dje hotelin në Boston, ku qëndron Milani gjatë turneut amerikan, ndërsa më pas u nis për në Angli.
Prej 10 vitesh pjesë e Milanit, ku është rritur, Cutrone ka nevojë të luajë rregullisht dhe te Milani nuk ka mundësi. Përveç kësaj, klubi kuqezi ka nevojë të shesë dhe pas bllokimit të shitjes së Andre Silvës, Cutrone nuk kishte rrugëdalje.
Ditët e shkuara Wolverhampton kishte gjetur marrëveshjen me Milanin, por sulmuesi bënte naze, derisa u bind, duke e parë se Milani i kishte bërë dalje dhe i kërkonte me ngulm të firmoste transferimin në Angli.
Në 89 ndeshje me Milanin, Cutrone shënoi 27 gola.
Milani pritet të arkëtojë 18 milionë euro, plus bonuse të mundshme në bazë të rendimentit të sulmuesit dhe ecurisë së Wolves.