Kryeministri Edi Rama vijon të shpërndajë deklarata të artistëve, të cilët mendojnë se godina e Teatrit Kombëtar duhet të shembet.
Ditën e sotme, kreu i qeverisë ka shpërndarë në “Facebook” deklaratën e regjisorit Mihallaq Luarasi, i cili shprehet se ky teatër është i pandreqshëm dhe është turp që Teatri Kombëtar i Shqipërisë ka ngelur në atë ndërtesë të ndërtuar që në kohën e Italisë.
Një ditë më parë, kryeministri Rama publikoi mesazhin e aktorit të madh, Ndriçim Xhepa, i cili ishte i po të njëjtin mendim se Teatri Kombëtar duhet të prishet dhe të ndërtohet një godinë e re.
- Mesazhi i Ramës:
Mihallaq Luarasi, regjizori i famshëm i Teatrit Kombëtar, u kthye në shënjestrën e pamëshirshme të diktaturës komuniste, gjatë gjuetisë së egër të shtrigave që Enver Hoxha shpalli në vitet ‘70, kundër artit e kulturës së degjeneruar perëndimore. Ai u linçua publikisht nga vetë diktatori komunist dhe u cfilit burgjeve, duke hyrë në librat e gazetat e propagandës enveriste, si një dele e zezë e regjimit totalitar. Ai sot nuk jeton më, por e ka lënë pak vite më parë amanetin e tij për Teatrin Kombëtar.
MIHALLAQ LUARASI:
Ky teatër që kemi sot është i pandreqshëm. Është turp që Teatri Kombëtar i Shqipërisë ka ngelur në atë ndërtesë të ndërtuar që në kohën e Italisë. Qysh në vitin 1966, drejtuesve të asaj kohe i është kërkuar një teatër i ri, që fatkeqësisht nuk u ndërtua kurrë. Duhet më shumë vëmendje për Teatrin Kombëtar, nuk duhet një rikonstruksion i tij, por ndërtimi i teatrit të ri.
Më 1966 në Teatrin Kombëtar, kur ishte gjallë dhe aktori i madh Naim Frashëri, rastësisht u takuam në oborr me Manush Myftiun, anëtar i byrosë politike atë kohë. Naimi i tha: “Nuk po mendon partia për një teatër të ri?”, ndërsa përgjigja e Manush Myftiut ishte: “Naim, nipat tanë të ndërtojnë një teatër të ri, ne nuk kemi mundësi, presim nga nipat tanë”. Pra ne jemi ata që sot duhet ta ndërtojmë një teatër të ri kombëtar.