Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, dërgoi të hënën në gjykatën Kushtetuese kërkesën për të sqaruar aktin e dorëheqjes së tij dhe qartësimin e kompetencave dhe funksionimit të qeverisë pas këtij vendimi.
Kërkesa e tij, pasoi reagime të shumta të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile për përgjegjësitë e kryeministrit të dorëhequr, rasti i parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Haradinaj tha sot se qëllimi i kërkesës është jo vetëm të kërkohet sqarim për situatën juridike të krijuar pas dorëheqjes në mënyrë që të shmanget boshllëku institucional, por edhe që interpretimi i Gjykatës Kushtetuese t’i qartësojë situatat e ngjashme në të ardhmen.
“Nuk është që jeta ndalet në këtë periudhë kohore, mirëpo e shoh një dëshirë që të përzihen temat, unë kam dhënë dorëheqje, pra kam dhënë dorëheqje, një qeveri duhet të dal nga zgjedhjet por deri sa nuk vjen ajo qeveri, kush mban përgjegjësi për qeverisjen në vend.
Këtë përgjigje askush nuk po e jep dhe unë nuk guxoj ta lë në kaos vendin derisa nuk është zgjedhur një qeveri tjetër dhe për këtë arsye ju kemi drejtuar gjykatës Kushtetuese megjithatë i siguroj qytetarët e vendit që nuk do të lejojmë boshllëk institucional qeverisës, por për të qenë në anën e ligjit iu kam drejtuar gjykatës Kushtetuese”,tha ai.
Ai tha se kushtetuta e Kosovës nuk e ka caktuar se çfarë ndodhë kur një kryeministër jep dorëheqje. Zoti Haradinaj paraqiti dorëheqjen e palthyeshme dhjetë ditë më parë pasi që u thirr për t’u marrë në pyetje nga prokuroria e posaçme në Hagë.
Këtë javë, pritet që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të fillojë këshillimet me partitë politike për veprimet e mëtjeme pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.