Jose Mourinho vijon të jetë i papunë, por emri i tij lidhet me stolin e shumë skuadrave në mënyrë të vazhdueshme.
Së fundmi ka dalë në skenë një rikthim te Reali i Madridit, nëse Perez do të vendosë të shkarkojë Zinedine Zidane.
Portugezi ka dhënë një intervistë për mediat e vendit të tij, ku ndër të tjera ka thënë se ka shumë kohë të lirë, por që i mungon futbolli dhe nuk po i shijon sa duhet pushimet.
Sa i përket të ardhmes, ai mohoi angazhimin në skuadra përfaqësuese, apo si drejtues teknik.
“Kam shumë kohë të lirë dhe të gjithë më thonë të shijoj pushimet në korrik-gusht, pasi këtë gjë e kam bërë shumë rrallë, por të them të drejtën më mungon futbolli. Mendoj vazhdimisht për sportin tim dhe nuk e shijoj mjaftueshëm kohën që kam në dispozicion.
Më mungon futbolli, angazhimi ndaj vetes dhe miqve apo fansave të mi në mbarë botën, por nuk do të bëj rolin e drejtorit teknik apo të trajnerit të përfaqësueses, pasi jam shumë i ri për të punuar kaq pak”, tha Mourinho.