MENU
klinika

Shuhet ëndrra

Partizani i jep ‘lamtumirën e 2-të’ Europës!

01.08.2019 - 21:30

Partizani është eliminuar edhe nga Europa League në turin e dytë kualifikues, pas një ndeshje të luajtur me emocion, raste, dhe sidomos shpresë.

Trajneri Lerda kishte ndryshuar gjithçka, duke i besuar Trashit titullar, por edhe afrimit të ri të verës, mbrojtësit Boldor, pa harruar Asanin të rikthyer nga minuta e parë.

Pikërisht Asani do të dërgonte topin në rrjetë në pjesën e parë në stadiumin “Sheriff” të Tiraspolit, pas një pasimit perfekt të Solomon.

Goli i tij dhe shtylla e Latifit për Sheriff bënë që të besohej te mrekullia, të shtyrë edhe nga tifozeria e Partizanit e pranishme në stadium, edhe pse jo të shumtë në numër.

Plot 1400 kilometra për të shkuar dhe po aq në kthim për “Ultras Guerrils”, që brohoritën për 94 minuta dhe i dhanë zemër ekipit të tyre.

Në pjesën e dytë, Partizani pati momente të mira për të gjetur edhe golin e dytë, por ishte një pritje e jashtëzakonshme e portierit të Sheriff që mohoi golin e Cordeiros, ndërsa në anën tjetër u zbatua ligji i pashkruar, “po nuk shënove, do ta pësosh!”.

Në një goditje dënimi, moldavët gjetën golin.

Fillimisht arbitri anuloi për pozicion jashtë loje, por pasi u konsultua me anësorët akordoi rrjetën dhe barazimin.

Sheriffi iu afrua golit edhe dy herë të tjera, duke goditur shtyllën sërish, ndërsa edhe Partizani pati dy momente të mira, por goli i fitores dhe kualifikimit nuk erdhi.