Në fshatin Pojan, Bashkia e Maliqit ka nisur punën për të rehabilituar një nga akset kryesore rrugore për tokat bujqësore në këtë zonë. Bëhet fjalë për 3.2 km rrugë bujqësore e cila përdoret nga fermerët për të pasur akses tek parcelat. Zbatimi i këtij projekti ka nisur me shtrimin e çakullit dhe nivelimin e rrugës. Administratori i Njësisë së Pojanit, Eridjon Rustemi tregon se kjo është vetëm faza e parë e projektit:
“Projekti ka disa faza dhe kjo që po zhvillojme është e para. Në fazat e mëvonshme parashikohet shtrimi me 300 m3 çakull të madh, të imët dhe nivelimi. Synimi është që rruga t’i vihet sa më parë në dispozicion banorëve në mënyrë që aksesi në tokat bujqësore të lehtësohet” – tregon Rustemi teksa shton se ky projekt pritet të përfundojë brenda një kohe të shkurtër.
Ndërhyrja në këtë aks është e para dhe për fermerët e zonës kjo paraqitet mjaft pozitive edhe pse sipas tyre ndërhyrja duhet të ishte bërë më parë. Për ta rëndësi paraqet shtrimi i rrugës me çakull pasi gjatë kohës së rreshjeve rruga bëhët e pakalueshme duke iu kufizuar atyre mundësinë për të punuar parcelat bujqësore.
Përgatiti: L.S.