8 – Gjenerali romak Tiberi mposht dalmatët në betejën e Bathinus (sot në Bosnje). Dalmatae ose Delmatae ishin një popull i lashtë përgjatë bregdetit lindor të Adriatikut (sot Kroaci), mes lumenjve Kirka dhe Neretva.
Dalmatët ishin ilirë, por jetonin të pavarur ose të ndarë nga fiset e tjera ilire. Emri i tyre lidhet me fjalën shqipe ‘dele’. Thuhet se një nga fiset dalmate, Bariust, u vendos më vonë në atë që sot është Rumani.
1492 – Kristofor Kolombi niset në udhëtimin e parë historik me tre anijet e tij Santa Maria, Pinta dhe Nina nga Palos de la Frontera, Spanjë për në Indi.
Ai shoqërohej nga një një ekuipazh prej 90 vetësh. Ata lanë Spanjën pak para lindjes së diellit. Pas gati 2 muaj e gjysmë lundrimi, Kolombi dhe ekuipazhi i tij zbriti më 12 tetor në ishullin Guanahani, San Salvador në Bahamas … që ishte jo Indi, por Bota e Re, Amerika.
1527 – Letra e parë e njohur nisur nga Amerika e Veriut dërgohet nga eksploruesi John Rut, ndërsa ndaloi në Newfoundland (Kanada).
Rut i shkroi Mbretit Henry mbi zbulimet e tij dhe se kishte në plan të vazhdonte lundrimin në drejtim të jugut ku moti ishte më i ngrohtë. Pas largimit nga Newfoundland, Xhon Rut mbërriti me anijen e tij në Gjirin Chesapeake në Florida, duke u bërë udhëtari i parë anglez në këto brigje.
1778 – Teatro alla Scala hapet në Milano – quhet shkurtimisht La Scala.
Dy vjet më pare më 1776, një zjarr kishte shkatërruar teatrin Regio Ducale, pas një feste karnavalesh. Një grup milanezësh të pasur, me lozha private në teatrin e djegur, i shkruajtën arkidukës së Austrisë, duke i kërkuar një teatër të ri. Kërkesa e tyre u pranua. Teatri i ri u ndërtua në vendin ku ndodhej kisha Santa Maria alla Scala, dhe teatri mori emrin e saj.
1908 – Francë; vëllezërit Bouyssonie zbuluan skeletin e plotë fosil të një njeriu 60-mijë vjeçar, Neandertal – këtë emër kjo specie kishte marrë që prej vitit 1856, kur në luginën Neander, afër Duseldorfit, Gjermani, ishin zbuluan për herë të parë eshtrat e tij.
Lugina Neander quhej e tillë nga emri Joachim Neander, pastor gjerman të shekullit të 17-të që kishte shërbyer atje. Dhe Neander do të thotë Neumann – ose “njeri i ri”. Neandertali klasifikohet si nën-lloj i njeriut dhe me shumë ngjashmëri me njeriun e sotëm.
1948 – Luftë e Ftohtë, SHBA: Whittaker Chambers, në dëshminë para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuese, tha se presidenti i Institutit Carnegie për Paqen, Alger Hiss, ish-këshilltar i presidentit Franklin Roosevelt në konferencën e Jaltës mes treshes Roosevelt, Stalin, Churchhill (1945), kishte qenë anëtar i Partisë Komuniste të Shteteve të Bashkuara, atëherë organizatë ilegale.
Chamber, një ish-komunist, e akuzoi Alger Hissin edhe si spiun për Bashkimin Sovjetik. Hiss u gjykua dhe u dënua – ai bëri 44 muaj burg – “gati 4 vjet në burg më shërbyen sa 4 vite në universitetin Harvard”, tha ai kur u lirua. Alger Hiss (1904 – 1996) gjithmonë këmbënguli si ishte i pafajshëm.
1987 – SHBA; Lëshohet një pullë postare me foton e shkrimtarit William Faulkner – pulla u përurua në Oksford, Misisipi, ku Faulkner kishte punuar si poster nga viti 1921 deri në në vitin 1924, kur u pushua nga puna pas akuzave për neglizhencë.
William Faulkner (1897 – 1962) ishte shkrimtar amerikan nga New Albany, Misisipi, dhe laureat i Çmimit Nobel për letërsi më 1949; ai shkroi romane, tregime, drama, poezi, ese dhe skenarë. Faulkenri shkëlqeu në klasën e pare fillore, anashkaloi klasën e dytë, dhe vazhdoi mirë nëpër klasat e tretë dhe të katërt. Por, duke filluar diku në klasën e pestë, Faulkner u bë një fëmijë shumë i tërhequr.
Kjo solli rënie në mësime që vazhdoi dhe Faulkner kurrë nuk u diplomua nga shkolla e mesme. Në një intervistë me revistën Paris Review në vitin 1956, Faulkner u shpreh: “Nuk ka asnjë formulë për të shkruar mirë … Shkrimtari i ri është budalla nëse ndjek një teori për t’u bërë shkrimtar. Mëso nga gabimet e tua; njerëzit mësojnë vetëm duke gabuar..dhe artisti i vërtetë beson se askush nuk është mjaft i mirë për t’i dhënë atij këshilla..”