MENU
klinika

Mbrojtësi më i shtrenjtë në botë

Maguire “eklipson” edhe van Dijk

03.08.2019 - 21:30

Van Dijk apo De Ligt? Tashmë nuk është më asnjë prej tyre.

Po flasim për mbrojtësit më të shtrenjtë në botë, me dy holandezët që deri pak ditë më parë mbanin vendet e para në podium, por tashmë kanë zbritur me nga një pozicion pasi vendi i parë mbahet nga një anglez.

Bëhet fjalë për Harry Maguire, i transferuar vetëm pak orë më parë nga Leicester drejt Manchester United për shumën e 93 milionë eurove. Për të vendosur rekordin e ri mungon vetëm zyrtarizimi, por tashmë gjithçka është e kryer dhe pritet vetëm kryerja e vizitave mjekësore e më pas 26-vjecari pritet të dalë në stërvitje me shokët e rinj të skuadrës.

Para se të kryhej ky transferim sigurisht që vendi i parë mbahej nga gjiganti i Liverpoolit, Virgil Van Dijk, për të cilin Liverpool i pagoi Southampton 85 mln euro, ndërkohë që për De Ligt, Juventusit iu deshën 75 mln euro për ta transferuar pak javë më parë nga Ajax.

Efektin e Van Dijk te Liverpool tashmë e dinë të gjithë, me holandezin që regjistroi statistika mjaft të mira sezonin e kaluar, duke ndihmuar mjaftueshëm “The Reds” në fitimin e Champions League. Të njëjtin ndikim presin edhe tifozët e rivalëve të Manchester United, të cilët shpresojnë që me afrimin e Maguire të ndërtohet një repart solid, i cili vitin e kaluar me Eric Bailly apo Lindelof dukej sikur fuste ujë nga të gjitha anët.