367 – Gratian, i biri i perandorit romak Valentinian I, shpallet bashkëperandor nga babai i tij. Gratiani ishte vetëm 8 vjeç. Kur u rrit, Gratiani u bë perandor i mbarë Romës. Ai gëzonte mbështetjen e gjeneralëve dhe mposhti rivalitetet e vëllait dhe xhaxhit të tij. Gratian favorizoi krishterimin mbi fenë tradicionale romake, duke refuzuar atributet hyjnore të perandorëve. Ai hoqi Altarin e Fitores nga salla e Senatit romak. Gratian ishte me prejardhje nga Pannonia ilire, ku edhe kishte lindur. Ai mbante emrin e gjyshit të tij, Gratian dhe ishte martuar me mbesën e Konstandinit të madh.
1693 – Francë, u prodhua për herë të parë vera “Dom Perignon”, edhe pse në të vërtetë “Peringon” nuk kishte asgjë të përbashkët me verën e gazuar apo shampanjë. Dom Peringon ishte një murg në rajonin e Shampanjës i njohur për eksperimentime në prodhimin e verës. Por vera e gazuar, veçori e verës së krahinës Shampanjë, filloi të prodhohej vetëm në shekullin XIX.
1789 – Francë, anëtarë të Asamblesë Kombëtare Kushtetuese betohen për t’i dhënë fund feudalizmit dhe për të braktisur privilegjet e tyre.
1914 – Lufta e Parë Botërore. Gjermania pushton Belgjikën. Në përgjigje, Belgjika dhe Britania e Madhe i shpallin luftë Gjermanisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklarojnë neutralitetin e tyre.
1944 – Holokausti. Kallëzimi nga një informator holandez çon Gestapon në një depo të Amsterdamit, ku ata gjejnë dhe arrestojnë Anne Frank, familjen e saj, dhe katër persona të tjerë. Frank ishte 15 vjeç. Ajo kishte dy vjet që mbante një ditar personal ku hidhte ndjenjat, mendimet dhe frikën gjatë periudhës së fshehur nga nazistët. Anne Frank vdiq në një kamp përqendrimi. Ditari i saj u simbol i fuqisë së shpirtit njerëzor.
1961 –Lindi Barak Obama, presidenti i 44-të i Shteteve të Bashkuara. I ati ishte nga Kenia, kurse e ëma nga Kanzasi. Fëmijërinë, Obama e ka kaluar në Indonezi, duke qenë se e ëma i punonte atje si antropologe. Pas përfundimit të kolegjit në Kaliforni dhe Nju Jork, ai u vendos në Çikago për të punuar si organizator komunitetesh në lagjet e varfra. Ai më vonë vijoi studimet për drejtësinë në Harvard.
Në jetën publike, Obama hyri në vitin 1997, duke fituar një vend në Senatin Shtetëror të Illinojit. Në vitin 2004, ai fitoi zgjedhjet në garën për në Senatin e Shteteve të Bashkuara. U tërhoq nga Senati pasi u bë president, në nëntor të vitit 2008, u rizgjodh në vitin 2012. Në vitin 2009, Obama fitoi Çmimin “Nobel” për Paqe për “përpjekjet e tij të jashtëzakonshme në fuqizimin e diplomacisë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin midis popujve”.
1969 – Lufta e Vietnamit. Në banesën e ndërmjetësit francez Jean Sainteny në Paris, përfaqësuesi amerikan Henry Kissinger dhe përfaqësuesi vietnamezo-verior, Xuan Thuy, fillojnë bisedimet e fshehta të paqes. Këto negociata dështuan. Shtetet e Bashkuara i dhanë fund përfshirjes ushtarake në Vietnam më 29 mars 1973, edhe pse lufta mes vietnamezo-jugorëve me veriorëve do të vazhdonte edhe dy vjet të tjera. Gjatë 10-vjetëve të luftës, 58 282 ushtarë amerikanë humbën jetën dhe 303 644 amerikanë të tjerë u plagosën.