Fokusimi i bëftë i qeverisë tek lufta kundër informalitetit ka një arsye të fortë nga pas.
Ajo është ecuria e dobët e të ardhurave në buxhet, dhe veçanërisht ato që vijnë nga taksat kryesore, të cilat mbajnë në këmbë financat e shtetit.
Të dhënat zyrtare nga ministria e Financave tregojnë se në gjashtë muajt e parë të vitit, të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar ishin 6.3 miliardë lekë ose 52 milionë euro më pak se plani.
Por veç mosrealizimit krahasuar me planin, të ardhurat nga TVSH janë 16.5 milionë më të ulëta edhe se sa një vit më parë.
TVSH është taksa kryesore e buxhetit. E vetme ajo sjell rreth 30 për qind të të ardhurave totale që mblidhen në buxhet, ndaj ecuria e dobët e kësaj takse është kambanë alarmi për financat e shtetit.
Por veç TVSH-së, ecuri negative kanë shënuar edhe dy taksa të tjera të rëndësishme, që janë akcizat dhe taksat nacionale. Sipas Ministrisë së Financave, në gjysmën e parë të vitit të ardhurat nga akciza ishin 1.3 për qind më pak se plani, ndërsa ato që mblidhen nga taksat nacionale kishin një mosrealizim prej 10.1 për qind.
Ecuria e të ardhurave ka qenë problematike edhe në korrik, shkruan TopChannel. Gjatë muajit që lamë pas vetëm tatimet kanë shënuar një mosrealizim të ardhurash mbi 15 milionë euro, ndërkohë që edhe doganat kanë shënuar rezultate të dobëta.
Financat e shtetit janë në një situatë të shtrënguar, e cila jo vetëm që mund të sjellë shkurtimin e shpenzimeve për sektorët kyç të ekonomisë, por ka vënë në rrezik edhe uljen e borxhit.
Kjo situatë ka alarmuar qeverinë, duke e shtyrë atë të rikthejë sërish aksionin kundër informalitetit.
Vetë kryeministri Edi Rama kritikoi publikisht administratën fiskale për punë të dobët, ndërkohë që një pjesë të përgjegjësisë për ecurinë negative të të ardhurave ia faturoi opozitës, e cila sipas tij me aksionet anti-shtet ka ndikuar në rritjen e informalitetit.