MENU
klinika

Befason aleati i Bashës

Pendohet opozita? Ndoka: Hyjmë në zgjedhje me Ramën kryeministër!

05.08.2019 - 18:55

Pavarësisht se tri parti opozitare kanë paraqitur kërkesë zyrtare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për nisjen e procedurave për organizimin e zgjedhjeve vendore në 13 tetor, brenda saj janë skeptikë nëse ato do të mbahen.

Një prej tyre është edhe kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i cili shprehet se nuk ka besim se zgjedhjet vendore do të mbahen në 13 qershor. Sipas tij kjo bëhet e pamundur për shkak se mazhoranca qeveris në kushtet e një grushti shteti dhe ku KQZ si vegël e saj nuk pranon të zbatojë Kushtetutën.

Gjithsesi ndryshe nga sa deklaronin gati dy muaj më parë duket se e gjithë opozita ka hequr dorë nga kushti që kishte që nuk do të futej në zgjedhje me Ramën kryeministër.

Sipas Ndokës opozita është e gatshme që të futet sot në zgjedhje me apo pa Ramën kryeministër.

“Ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje në çdo datë me këtë dhe pa këtë kryeministër, por nuk është morale as politike t’i besosh organizimin e zgjedhjeve një kryeministri që është kapur duke i vjedhur dhe blerë ato, me ministrat dhe deputetët e tij së bashku me grupet kriminale”,  shprehet ai.

Sa i përket aksionit opozitar kryedemokristiani thekson se ai ishte i suksesshëm, sepse e bëri popullin që të mos besojë më te qeveria dhe ta shohë të djathtën si shpresë për të ardhmen.

“Unë besoj shumë se opozita është kthyer në mazhorancë shprese, pikërisht nga kjo rrugë që ndërmori. Kemi fituar qytetarët, kemi humbur pushtetin, do fitojmë standardet dhe do të kthehemi serish në institucione nëpërmjet votës së lirë. Kjo është rruga me parimore, qe një lider dhe opozitë ka ndjekur në pluralizëm”, theksoi Ndoka.