MENU
klinika

Foto

Kush është gazetari italian që tronditi Maqedoninë e Veriut?

08.08.2019 - 15:24

Gazetari Italian i gazetës “La Verita”, Laris Gajzer, ka reaguar pas publikimit të materialit filmik përmes të cilit faktonte një skemë të madhe korrupsioni të kryer në Maqedoninë e Veriut.

Me një shënim në “Facebook”, gazetari italian shkruan se materiali i sotëm është thjesht fillimi, ku shton se ditët e ardhshme do të publikohen materiale të tjera.

Ai hedh akuza të forta ndaj politikanëve maqedonas dhe për përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian, ndërsa thotë se këta të fundit janë përgjegjës për nënçmimin e qytetarëve të saj duke mbështetur hapur ata që mbrojnë personat që janë kundër sistemit të drejtësisë dhe godasin të dobëtit.

  • Reagimi në Facebook:

“Sot La Verita publikoi vetëm pjesën e parë të rrëfimit tim, që dëshmon se sa Bashkimi Evropian, pas mbështetjes për ndërrimin e regjimit në Maqedoni, angazhohej për vendosjen e Prokurorisë Speciale (Katica Janeva), e cila jo vetëm përzihet ilegalisht në politikë, por edhe zhvat njerëzit.

Sistem mafioz, që punon drejtpërdrejt nën kontrollin e politikanëve të lartë! Ata politikanë të dëshiruar nga BE dhe nga SOROS. Maqedonia ka problem të madh në rrugën e saj drejt BE-së! Mogerini dhe Junker janë fajtorë për nënçmimin e tërë popullit dhe përkrahjen që dhanë për ata që janë kundër drejtësisë…”– shkruan ai.

  • Por kush është gazetari italian?

Laris Gaiser, është gazetar në gazetën “La Verita”. Ai sot u paraqit si autor i lajmit ku u publikuan video incizimet ku shihen dy të dyshuarit kryesorë në rastin “Reket”, Bojan Jovanovski- Boki 13 dhe Zoran Milevski- Zoki Kiçeec duke marrë para nga biznesmeni Jordan Orce Kamçev për të ndërhyrë në rastin e PSP-së, “Perandoria”, shkruan Alsat.

Në bisedën e publikuar mes Orce Kamçevit dhe Boki13, i dyshuari Boki i tregon Kamçevit se nga e dita e hënë më së voni deri të martën do të lirohet nga paraburgimi dhe se prokurorja speciale Katica Janeva nuk do të ndërmerr masa shtesë ndaj tij.

Në një biografi të shkurtër në gazetën “La Verita” thuhet se ai është anëtar i Ekipit italian për siguri kundër terrorizmit dhe menaxhimit me urgjenca në Universitetin Katolik të Milanos. Ai ligjëron në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Xhorxhisë në SHBA si dhe Gjeopolitikë, Gjeoekonomi dhe Punë të Jashtme në Akademinë Diplomatike të Vijenës. Gajser gjithashtu është këshilltar qeveritar.