MENU
klinika

Tratativa në fazë të avancuar

Sane u dëmtua/ Bayern në sulm për yllin e Interit!

09.08.2019 - 16:44

Ivan Perisic mund t’i thotë shumë shpejt lamtumirë Interit.

Klubi zikaltër ka nisur bisedimet me Bayernin e Mynihut për transferimin e kroatit në formulën e huazimit me të drejtë blerjeje.  Kampionët ë Bundesligës kanë hedhur sytë nga anësori 30-vjeçar, pasi ra poshtë mundësia për të blerë Sane nga Manchester City. Sulmuesi gjerman i “Citizens” ka këputur ligamentin e gjurit të djathtë në finalen e Community Shield ndaj Liverpoolit, ndaj duhet të operohet e për rrjedhojë do të qëndrojë për shumë muaj jashtë fushave të blerta.

Interi po kërkon t’i gjejë një destinacion të ri ish-futbollistit të Wolfsburgut, pasi Conte nuk e sheh të përshtatshëm në skemat e tij.

Trajneri italian e ka provuar në disa role, por në fund e ka “ngelur në klasë” kroatin. Persic nuk ka bindur si në rolin e anësorit të majtë në skemën 3-5-2, ashtu edhe në rolin e sulmuesit të dytë.

Për këtë arsye shoqëria zikaltër, duke iu bindur vullnetit të Contes, e ka vënë mesfushorin në merkato.

Gjatë ditëve të ardhshme mund të ketë zhvillime të reja, pasi nuk shihet të ketë pengesa të pakalueshme në bisedimet mes palëve për transferimin e Perisicit nën urdhrat e bashkëkombësit të tij, Niko Kovac.