MENU
klinika

Si e përshkruan historiani Duncan M. Perry?

Kur Halimi e vrau Rostkovskin!

10.08.2019 - 18:42

Me 8 gusht 1903, Halimi, një ushtar shqiptar, me shërbim në Manastir, e vrau konsullin rus Aleksandar Arkadieviq Rostkovskin.

Po atë vit, në muajin mars, një ushtar tjetër shqiptar nga Gjilani, në Mitrovicë e kishte vrarë një konsull tjetër rus i cili quhej Grigorije Stepanoviq Shqerbin. Vrasja e konsullit rus në Manastir e trazoi Stambollin, por më shumë Moskën. U shtua besimi në konspiracione se shqiptarët kishin bërë plane për t’i likuiduar të gjithë konsujt rusë që shërbenin në tokat e tyre.

Historiani Duncan M. Perry, përafërsisht vrasjen e konsullit rus e përshkruan me sa vijon: Në mëngjesin e 8 gushtit 1903, karroca zyrtare e konsullatës ruse po i afrohej një kazerme otomane të artilerisë, në periferi të Manastirit. Para Portës së kazermës, ulur këmbëkryq dhe me pushkë në prehër po rrinte Halimi, i cili nuk i kishte kushtuar asnjë vëmendje karrocës.

Ky fakt e kishte shtyrë Rostkovskin, konsullin rus, që të dilte nga karroca e ta qortonte ushtarin mospërfillës i cili nuk po e përshëndeste. Halimi, kur e vërejti se konsulli po shkonte në drejtim të tij duke bërtitur, pa një pa dy u ngrit në këmbë, e ‘raportirati’ pushkën, e mori në shenjë konsullin dhe ngadalë ia tërhoqi këmbëzën. Pushka e lëshoi një krismë me jehonë të madhe dhe konsulli rus ra përtokë i vdekur.

Në atë moment, nga karroca doli Misirkovi, ndihmësi i konsullit, duke bërtitur me qëllim që të bënte me dije se njeriu të cilin e kishte gjuajtur ushtari, ishte konsulli rus në Manastir.

Ushtar Halimi me sa duket nuk kuptonte ose nuk dëshironte të kuptonte dhe e gjuajti edhe Misirkovin të cilin dështoi ta godiste. Brenda pak sekondave pasuan krisma tjera dhe Misirkovi, së bashku me karrocierin, ikën nga vendi i ngjarjes duke e lënë pas konsullin e shtrirë përtokë dhe pashpirt.

Kjo dëshmi historike është shumë e ngjashme me tregimin që vet Misirkovi ia kishte rrëfyer pas disa viteve kryeredaktorit të gazetës “Drita”, Shahin Kolonjës në Sofje. Në lidhje me këtë ngjarje ka shkruar edhe Edith Durham e cila në atë kohë ka qenë në Manastir dhe ka bërë me dije se konsulli rus, Rostovski, e kishte një shprehi të keqe dhe sillej si një lloj kauboji. Ai me vete gjithmonë e mbante një kamxhik, të cilin nga karroca e përdorte ndaj kalimtarëve. Një ditë konsulli i kishte rënë kamxhik një ushtari shqiptar, i cili nuk ishte në detyrë dhe ishte i paarmatosur. Duket se ushtari (Halimi) e kishte mbajtur në mend këtë ndodhi të pakëndshme dhe e priste rastin e hakmarrjes. Dhe, kështu rasti erdhi dhe ai e qëlloi konsullin rus për vdekje.

Sipas Durhamit, konsulli rus, një pansllav i flaktë, e kishte gjetur belanë ashtu siç e kishte kërkuar për një kohë të gjatë.

Rusia e shfrytëzoi rastin që t’i akuzonte shqiptarët për egërsira dhe para Evropës t’i paraqiste si anti-krishterë. Moska e mobilizoi një pjesë të flotës së saj në Detin e Zi dhe kërkoi nga Porta reparacione të mëdha dhe kërkim falje, të cilat sulltani i plotësoi. Fuqitë e Mëdha u frikësuan se vrasja e konsullit do të shkaktonte konflikt mes Portës dhe Moskës, por e tërë kjo punë përfundoi me kaq.

Megjithatë, sllavët e Maqedonisë e morën këtë rast si sulm ndaj tyre, kurse vdekjen e konsullit e konsideruan si flijim i një heroi të madh rus për kauzën pan-sllave që po shtrihej në Ballkan. Qeveria ruse e varrosi Rostkovskin në Selanik, duke i organizuar ceremoni të rrallë religjioze me qëllim që të sensibilizohej opinioni sllav.

Kur Maqedonia ra nën sundim të Jugosllavisë, Rostkosvkit ia ndërtuan një përmendore aty ku kishte dhënë shpirt. Përmendorja u demolua nga regjimi komunist i Titos në vitin 1950, për shkak të Informbyros.

Por, në vitin 2003, në përvjetorin e 100 të vdekjes së konsullit, maqedonët e kanë rindërtuar këtë përmendore për ta kujtuar mikun dhe heroin e tyre rus.

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale