MENU
klinika

Mentor Nazarko

Jam i krishterë demokrat, por më duan myslimanët dhe socialistët…

10.03.2017 - 16:13

Mentor Nazarko: Po e nisim direkt bisedën. Ne kemi një portal i cili quhet Konica.al, ti ke dëgjuar për Faik Konicën?

Ermal Mamaqi: Sigurisht që po.

Mentor Nazarko: Po për Konica.al, ke dëgjuar?

Ermal Mamaqi: Edhe për të, edhe e kam shpërndarë edhe kam thënë që duhet te ndjekin njerëzit e përndritur.

Mentor Nazarko: Se mos ke bërë kundër-reklamë me atë thënie.

Ermal Mamaqi: Ndonjëherë njerëzit kanë frikë nga e mira, sidomos nga gjërat me vlerë.

Mentor Nazarko: Po mos ndoshta ajo që është audiencë e portalit tënd, se ti thua pwr ne- “ndiqni një portal për të ndritur nuk është shumë e ndritur…

Ermal Mamaqi: Çfarë po bën, Mentor, po shan fansat e mi edhe po ngre fansat e tu?

Mentor Nazarko: Jo, jo, bëj shaka, bëj shaka, bëj shaka. Ti të inspiron, si të thuash, një lloj ndjenje gare për të bërë humor. Ti je një lloj mbreti i humorit dhe të nxit. Unë kam një humor të keq.

Ermal Mamaqi: E vuaj këtë në çdo cep të ditës. Është frustruese. Sa herë takoj një njeri, mundohet edhe pa arsye të bëjë humor edhe pse unë nuk jam në gjendje për të bërë humor.

Mentor Nazarko: Unë jam i mërzitshëm për të bërë humor dhe papritmas stimulohem për të qenë në lartësinë tënde.

Ermal Mamaqi: Sapo justifikove të gjithë elementet e jetës time.

Mentor Nazarko: E vërteta që ne kemi bashkëpunuar për diçka që lidhet me Behgjet Pacollin, me të cilin unë punoj, në fakt ti i the diçka atij dhe për mua…

Ermal Mamaqi: Po, po, është e vërtetë. I thashë sikur të kisha disa njerëz si Nazarko, kushedi ku do isha.

Mentor Nazarko: Ti i ke punët shumë mirë me këtë staf që ke, staf të mrekullueshëm, kështu që mos kërko telashe. Po ajo që doja të thosha është diçka që ngrihet nga ajo eksperiencë pune e përbashkët. Fillova të mendoj që mos kjo bota gazetareske në të cilën unë notoj, të mund të shkrihet pak me botën tënde? Se ndonjëherë këto botët tona profesionale nuk ndërveprojnë, dhe kjo është gabim. Është gabim i imi, është gabim jot dhe thashë: pse mos të bëjmë një intervistë në të cilën të kuptojmë, të hetojmë, cili është burimi i suksesit tënd? Ti ke një audiencë që quhet “e frikshme” do thoshte o Çani, o Blend Fevziu. Cili është burimi i kësaj audience?

Ermal Mamaqi: Është një pyetje që më është bërë shpesh dhe për hir të së vërtetës ia kam bërë dhe vetë vetes.

Mentor Nazarko: Vetes ia bën shpesh d.m.th.

Ermal Mamaqi: Jo, nuk ia bëj më. Sepse kam arritur në disa shpjegime logjike që tregojnë të vërtetën, por për t’iu përgjigjur shpejt pyetjes, gjërat ndodhin, fenomenet ndodhin dhe jo domosdoshmërish duhet të ketë një shpjegim logjik edhe një arsyetim matematikor…

Mentor Nazarko: Po të marketingut ke? Ti më ke thënë mua që lexon shumë marketing, apo jo?

Ermal Mamaqi: Është e vërtetë. Por po e bëj më të përgjithshme pyetjen për suksesin. Ajo që i ndodhi, po themi, Fiorellos.. Çfarë ndodhi me Fiorellon në Itali, që u bë fenomen me karaoken, edhe me një gjë kaq të thjeshtë sa karaokja? E ndiqnin kur ai këndonte dhe u bë showman, me ato batutat e veta dhe hipi në majë të karrierës. Po e njëjta gjë ndodh edhe me Jimmy Fallon. Ai nuk është një gazetar i mirëfilltë, por është, le të themi, numri një i aktorëve, i moderatorëve për këtë lloj formati në Amerikë dhe jo vetëm në Amerikë, se e ndjek gjithë bota.

Për hir të së vërtetës unë i ndjej edhe ato vështrimet mosbesuese, mbrapa krahëve, ose ato pëshpërimat edhe të kolegëve. Kam arrit’ t’iu ndiej edhe mendimet tani, që thonë po ky pse, si, qysh, tek, është një lloj xhelozie e miksuar edhe me dashakeqësi, ndonjëherë për të përdhosur…

Mentor Nazarko: Dëgjo, papritmas pashë që ndërsa ti flet me seriozitet bëhesh i mërzitshëm, njëlloj si unë kur tentoj të bëj humor.

Ermal Mamaqi: Jo, kjo, në fakt, meriton çik seriozitet sepse është diçka që duhet ta sqarojmë ashtu siç më pyete. E vërteta është, që është më e thjeshtë se kaq, çelësin e suksesit tim ia dedikoj Biblës. Janë dy vargje në Bibël me të cilat jam rritur dhe fryma vazhdon edhe përjeton të njëjtën ndjesi me të cilën kam filluar karrierën.

Dy janë rregullat: “Qëndro besnik në gjëra të vogla, që të të besohen gjërat e mëdha” dhe e dyta, “Përulu dhe më shumë do të lartësohesh”. Për mua, ky është çelësi i suksesit tim.

Mentor Nazarko: Do ta trajtojmë dhe këtë, po unë, duke qenë i pafuqishëm për të të hetuar në burimet e suksesit tënd, në potencialin tënd të së ardhmes ose për të ndikuar, thashë me vete: prit, me Ermalin duhet të jetë dhe dikush që të më ndihmojë. Ndaj me mua është Ilnisa Agolli, që është mbesa e Dritëroit, e cila sot bën 30 vjeçe, domethënë, është dhe pak kushërira ime, dhe ajo të të pyesë për ndonjë gjë që unë mund ta harroj, për ta përçuar mesazhin tënd edhe tek një audiencë e cila nuk është audienca ime.

Ermal Mamaqi: Shumë mirë, jam shumë i hapur.

Ilnisa Agolli: Përpara se Mentori të vazhdojë, më bëri shumë përshtypje rrugës tani që po vinim këtu dhe fola me zë të lartë: “Ok, po ikim tek Ermali, -dhe nuk e di pse të mendova nëse do të improvizonim një skenë zënieje ose sherri, ti me dikë tjetër dhe duke reflektuar për skenën, thashë: ky njeri fal shumë dashuri, fal shumë gëzim. Ti e merr këtë feedback mbrapa? A ta thonë se ti fal dashuri?

Mentor Nazarko: Unë mendoj se Ermali është hipokrit në atë që bën.

Ilnisa Agolli: Dhe nuk mbarova. Dhe nëse ty të ndodh një skenar me dikë, ti largohesh duke heshtur, apo ti largohesh dhe e bën të qeshë sërisht atë, -këtu hyn dhe hipokrizia.

Ermal Mamaqi: Kjo që ti the është në disa skena që dhe tani i kujtoj dhe nëpër emisione ku unë kam qenë në panel me disa njerëz që më kanë kundërshtuar ose më kanë luftuar, por i bëj të dyja. Mund të them që i bëj të dyja. Ndonjëherë bëhem më i keq seç duhet, por…

Ilnisa Agolli: Por duke qeshur gjithmonë. Ti të vret me dashuri.

Ermal Mamaqi: Jo, jo, të vras edhe kështu.

Mentor Nazarko: Të vret dhe me çfarë gjen dhe në dorë.

Ermal Mamaqi: Është shumë e vështirë që unë të të urrej sepse e kam më të thjeshtë që të tërhiqem, edhe të merrem me diçka tjetër sesa ta ngarkoj veten time me energji negative. Për mua dëmi më i madh që i bëj vetes është që të të luftoj ty, kështu që kur unë të merrem me ty, duhet të më kesh bërë ndonjë gjë shumë të keqe që të futesh tek lista ime e zezë.

Mentor Nazarko: Ideja e bashkëbisedimit tim me Ilnisën, në rastin tënd, lindi nga vështrimi kritik që kam për konsideratën që kemi ne për botët profesionale në të cilat ne jetojmë, madje me njëlloj vetë-fryrje. Të tipit: a përzihet uji me vajin? Jo. E vërteta është që unë kam reflektuar shumë për burimet e suksesit tënd dhe ndërkohë mendova që do ishte më mirë që audienca e tërhequr nga unë në intervistën me ty, të përzihej me audiencën që do të prodhonte Ilnisa, pra ti duke bashkëbiseduar me ne të dy.

…Mentor Nazarko: Në qoftë se do mbështeteshim tek ajo që the rreth Biblës, dy parimet e saj, i bie që s’do të të pëlqejnë këta myslimanët, do thonë “Ah, ky Ermali qenka i krishterë”. Kështu që na thuaj dhe ndonjë arsye tjetër suksesi nëse nuk është sekret…

Ermal Mamaqi: E di shumë mirë se myslimanët e dinë që unë jam i krishterë dhe më pranojnë kështu siç jam. Madje mund të jem një nga të vetmit që socialistët e duan edhe pse e dinë që unë kam punuar për PD-në, kështu që kanë qenë në rregull me këtë.

Mentor Nazarko: Ore, pse s’je në çadër ti njëherë? Se është çadra e lirisë, ti a je i lirë?

Ermal Mamaqi: Me emisionin që po bëj, jam neutral, por ndikues në atë që është e imja.

Mentor Nazarko: Kur unë të pyeta, që e hapa, urë ndërlidhëse, që lidhet me arsyet e suksesit dhe ti u përqendrove tek Bibla, jo për të të nxjerrë ty në një pozicion teoricieni, por për të kuptuar më shumë. Se mund të pyesim përse ty të pëlqen një vajzë nga Gjilani, ca të burgosur tek burgu i Rrogozhinës, dikush që vjen nga Bostoni. Cila është arsyeja?

Ermal Mamaqi: Pa dyshim që ka të bëjë edhe me talentin, sepse do isha hipokrit nëse do thosha që nuk është çështje talenti. Ka talent, por unë e kam filluar shumë të thjeshtë gjënë. Po të vendosësh të luash me mua një lojë tani, unë do ti hyj asaj loje për ta fituar dhe do jem më serioz sesa fëmijët dhe e marr çdo gjë, edhe lojën, e marr me seriozitet.

Mentor Nazarko: Të gjithë ata që ëndërrojnë të bëhen dikushi kështu thonë “unë e kam këmbënguljen, unë ëndërroj të bëhem. Po flas, nëse ti e ke analizuar mirë suksesin tend: cili është emëruesi yt i përbashkët i arësyeve të suksesit tënd? Unë përshembull mendoj që humori yt është urban, e duke qenë i tillë, ngjan i pakuptueshëm për ata që vijnë nga zonat rurale…

Ermal Mamaqi: Mentor, në gjithë këtë eksperiencë, le të themi, 15-vjeçare që unë kam në fushën e humorit, sepse kam qenë që në ditën e parë që është hapur Top Channel dhe Portokallia, pra që në vitin 2003, që punoj në botën e humorit. I kam provuar të gjitha format, llojet e humorit dhe ndoshta unë nuk jam më i talentuar ose më profesionist se shumë aktorë të tjerë të së njëjtës gjini, që kanë mbaruar shkollën për aktrim, por ajo që di unë të bëj më mirë është manaxhimi.

Domethënë, ujin unë e çoj aty ku njerëzit e pinë, nuk e lë të rrjedhë vërdallë dhe tentoj herëpashere të përmirësohem dhe ky është qëllimi. Zgjedh se cila nga këto është ajo që funksionon më mirë dhe këtë e bëj shpesh, jo vetëm me humorin, por me çdo gjë që unë provoj.

Mentor Nazarko: U bëre prapë i mërzitshëm, nëse mund ta them këtë.

Ermal Mamaqi: E di.

Ilnisa Agolli: U mërzitëm, edhe unë u mërzita.

Ermal Mamaqi: Atëherë… Do të thuash ti, si u bëra unë personazhi më i ndjekur në Facebook? Duke nxjerr banjo.

Mentor Nazarko: Si banjo? Tualete?

Ermal Mamaqi: Tualete. Banjo, banjo. WC.

Mentor Nazarko: Po.

Ermal Mamaqi: Bënim foto, i thoja njerëzve. Unë e mora faqen me 10 mijë veta edhe e ngrita derisa u bënë 500 mijë, pastaj Facebook-u më konfirmoi dhe mblodha gjithë Ermal Mamaq-ët fallco që ishin…

Ilnisa Agolli: Ata që ishin vërdallë…

Ermal Mamaqi: Dhe numri shkoi mbi një milion. Tani është dy milion e tetëdhjetë mijë. Po të marrësh pastaj dhe Instagramin…

Mentor Nazarko: Nuk ke blerë “like”?

Ermal Mamaqi: No, no, no. Never. Dy milion e gjashtëqind e tetëdhjetë mijë është numri im në të gjitha rrjetet sociale që unë kam. Tani…

Ilnisa Agolli: Të duan të gjithë njësoj?

Ermal Mamaqi: Ka edhe njerëz që s’më pëlqejnë, por më ndjekin. Si e bëra unë këtë? Duke bërë një gjë shumë të thjeshtë. Nxirrja foto komike, i komentoja pa u menduar gjatë…

Mentor Nazarko: Ndoqe një model të dikujt, apo e improvizove vetë?

Ermal Mamaqi: Sigurisht që unë ndjek shumë frymë të huaj. Më pëlqejnë amerikanët, anglezët, italianët jo shumë, por marr më të mirën, e shqipëroj edhe e fus në prodhim.

Ermal Mamaqi: Për shembull, më trego një arsye, duke mbetur në boshtin e bisedës tonë,- pse djali im Erlisi, që është 13 vjeç dhe ka bërë fotografi me ty para dy vitesh, të pëlqen ty?

Ermal Mamaqi: Ngaqë unë nuk thellohem.

Mentor Nazarko: Je i përciptë? Shiko, unë nuk dua që nëpërmjet teje t’i bëj një antireklamë kulturës: pra të them se suksesi i Ermalit është prej mungesës së kulturës.

Ermal Mamaqi: Jo. Nuk ka lidhje.

Mentor Nazarko: Ushqehesh me kulturë ti, apo nuk ushqehesh? Se pastaj, të gjithë fëmijët mendojnë se mund të bëhesh i suksesshëm pa lexuar, pa mësuar.

Ermal Mamaqi: Në momentin kur unë mbarova Akademinë e Arteve, kam mbaruar për kanto. Edhe liceun, edhe Akademinë e Arteve, pra unë jam këngëtar i trajnuar për t’u bërë tenor. Jam tenor për të interpretuar në opera, për të kënduar muzikë klasike.

Kjo është ekzaktësisht ajo që unë nuk doja të bëja në jetën time dhe bëra atë që ndieja. Bëra aktorin e humorit sepse unë jam një karagjoz i lindur, i cili ka vuajtur gjithë jetën nga prindërit: “Mjaft, se me këto karagjozllëqe, nuk do të hash bukë!” dhe është pikërisht ajo gjë me të cilën unë po ha bukë.

Mentor Nazarko: E fute në krizë familjen.

Ermal Mamaqi: E kanë pranuar se fëmijën duhet ta lesh të lirë të bëjë atë që do, etj. Ajo që doja të të thoja është se mua më evidentuan si një talent në aktrim. Më propozuan të vazhdoja shkollën si aktor. Dikush që nuk po ia përmend emrin, një nga aktorët e njohur, pedagog në Akademinë e Arteve, më tha: “Mos u fut në shkollë për aktrim sepse do të prishesh”. Tani dalim te ‘pse më pëlqen djali yt’.

Mentor Nazarko: Ilnisa ka bërë shkollën e aktrimit…

Ilnisa Agolli: Edhe unë kam bërë shkollë aktrimi…

Ermal Mamaqi: Në qoftë se do e ndajmë një batutë ‘Ma jep pak atë gotën e ujit’ unë e them ‘Ore, ma jep çik atë gotën e ujit’. Nëse do të kisha mbaruar shkollën do të thoja “Ma jep pak atë gotë me ujë’. Nuk po them se ata që kanë mbaruar shkollën nuk janë të aftë. Të vijmë tani tek çuni yt. Unë nuk thellohem, kjo nuk do të thotë se unë nuk studioj, nuk lexoj. Lexoj shumë, lexoj çdo ditë, shoh shumë televizion, kam ato kanalet e mia.

Mentor Nazarko: Çfarë lexon ti?

Ermal Mamaqi: Një nga mësuesit e mi, le të quhet si guru, është Brian Tracy, Robert Kiyosaki. Janë personazhe që me librat e tyre më kanë udhëhequr në aspektin e biznesit, por në të njëjtën kohë edhe në manaxhimin e suksesit dhe të gjithë burimeve që unë kam për karrierën time artistike. Unë lexoj shumë romane në kohën time para gjumit, ai është sinjali që unë tani duhet të fle. Lexoj shumë kur udhëtoj, udhëtoj shumë, por nuk mund të them që udhëtoj për të lexuar. Në qoftë se unë do të thellohesha, do të bëja atë që i pëlqen njerëzve mendimtarë, që vlerësojnë njerëzit me vlera…

Mentor Nazarko: …të ndriturit…

Ermal Mamaqi: …por… Të ndriturit, po. Por, do të humbja masën, atë që po ndodh në të gjithë globin. Do të humbja komercialitetin. Njerëzit nuk kanë kohë tani për t’u thelluar, duan të hanë shpejt.

Mentor Nazarko: Qartë.

Ilnisa Agolli: Ma jep çik atë gotën e ujit.

Ermal Mamaqi: Ma jep pak…

Mentor Nazarko: Raporti i suksesit me llojin e gjësë që bën ti, të çon në një pyetje të pashmangshme: Mos vallë ti je shumë afër instinkteve njerëzore saqë është instinktuale? Për shikoja mënyrën si qesh ti. E qeshura jote ka momente ku është shumë instinktive, gjysmë histerike.

Ilnisa Agolli: E ke çik me nota kështu…. E ke nga pak…. Ty të pëlqen e qeshura jote?

Ermal Mamaqi: Kur e shoh veten, them s’ka mundësi që njerëzit nuk të vrasin rrugës për këtë të qeshur, por që…

Mentor Nazarko: Një nga llojet e të qeshurës është histerike. Se ti ke disa lloje.

Ermal Mamaqi: Modifikohen. Puna e… Më fal, e humba fillin. Ti më pyete për…

Mentor Nazarko: Të qeshurën, humori yt a është instinktual? A është i thjeshtë?

Ermal Mamaqi: Te instinkti, po. Instinkti është ai që më udhëheq që në mëgjes deri në darkë. Unë shpesh shkoj me instinkt, kam një organizim shumë të mirë. Axhenda ime është vetëm kalendare, lista, takime edhe në qoftë se nuk e shkruan, unë filloj dridhem. Por, kur e lë veten të më udhëheqë instinkti, atëherë vendimet i marr në kohën e duhur.

Mentor Nazarko: Për shembull si seksi. Seksi është diçka që lidhet me instinktin. Është i vjetër sa bota dhe njëlloj është. Por, ama, është kënaqësia më e madhe. Domethënë, këto kënaqësitë natyrale të jetës së njeriut….

Ermal Mamaqi: Tani ka filluar edhe programohet. Jo… madje edhe…

Mentor Nazarko: Madje programim në familje, apo…

Ermal Mamaqi: Madje po të lexosh shumë… Jo, jo, për seksin domethënë…

Mentor Nazarko: E kuptoj, po programim… Në familje…

Ermal Mamaqi: Sepse është si sporti, si ushqimi…Është diçka që…

Mentor Nazarko: Apo ndërtohet në kështu rastësore, apo jo?

Ermal Mamaqi: Seksi brenda familjes thua?

Mentor Nazarko: Po?

Ermal Mamaqi: Po, për atë po flasim, Mentor, çfarë kuptove?

Mentor Nazarko: Po për atë po flasim, o burrë. Dëgjo, dëgjo…

Ermal Mamaqi: Të rrimë tek instinkti. Unë me instinktin kam fituar gjithmonë sepse instinkti më flet vazhdimisht, më thotë kur duhet të tërhiqem.

Mentor Nazarko: E shikon? Kapa mirë këtë gjë.

Ermal Mamaqi: Shumë bukur. Instinkti më tregon, më flet vazhdimishtkur duhet të tërhiqem, kur bëhem i mërzitshëm, kur duhet të vazhdoj të rri dhe kur duhet të filloj të bërtas. Ose si person me instinkt, jam i qartë kur t’i heq njerëzit nga puna dhe kur t’i marr në punë. Pavarësisht se e lexoj tri herë në tre vende të ndryshme CV-në dhe intervistën me një person që do ta marr që të punojë për mua. Instinkti është ai që më flet dhe më thotë ‘merre këtë person’ edhe rrallëherë gaboj.