Frank Lampard ëndërronte një debutim më të mirë në Premier League si trajner, por Chelsea i tij është dorëzuar para Manchester United, që ka fituar me rezultatin 4-0 në “Old Trafford”.
Një humbje që është pasuar nga shumë komente dhe kritika, edhe nga dikush që ka shkruar historinë e klubit londinez në të kaluarën.
Po flasim për Jose Mourinho, i cili ka kritikuar zgjedhjet e bëra nga ish-lojtari i tij.
“Duhet të kishte zgjedhur një ekip me më shumë eksperiencë për ndeshjen e tij të parë, – ka thënë Mou. – E ka nisur me Tammy Abraham, 21 vjeç, dhe Mason Mount, 20. Duhej të kishte luajtur me Olivier Giroud dhe N’Golo Kante.
Edhe nëse Kante nuk mund të luajë më shumë se 35 minuta, ai mund të aktivizohet nga minuta e parë dhe të dalë kur nuk ia del dot më. Marcos Alonso ishte në stol, ndërsa luanin lojtarë pa eksperiencë dhe kjo ka rezultuar fatale. Ky nuk është Manchester United që bënte botën të dridhej, por thjesht Manchester United”, ka përfunduar portugezi.
Vetë Lampard ka pranuar se Chelsea i tij ka humbur për shkak të gabimeve të shumta që ka bërë.
Gabime që, ndoshta, siç thotë edhe Mourinho, kanë ardhur nga mungesa e eksperiencës e disa lojtarëve.