MENU
klinika

"Funksionimi i institucioneve do të tregojë nëse..."

Koordinatori i OKB vlerëson Reformën në Drejtësi

13.08.2019 - 10:55

Koordinatori i përhershëm i agjencive të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Brian Williams, e cilësoi Reformën në Drejtësi në Shqipëri si më të thellën e llojit që ka parë.

Ai ka apeluar për vazhdimin e Reformës në Drejtësi, si më kompleksja dhe më e rëndësishmja që po bën vendi, duke ngritur sa më shpejt institucionet e reja.

“Mendoj se Reforma në Drejtësi është reforma më e suksesshme që po bëhet në Shqipëri, ajo është tërësore dhe bazuar në përvojën time, është ndoshta reforma më e thellë e llojit që kam parë ndonjëherë dhe tani është e rëndësishme të kujtojmë hapat e tjerë që ka përpara, Gjykata Kushtetuese dhe strukturat e tjera duhet të ngrihen sa më shpejt të jetë e mundur dhe sigurisht që rezultatet do të duken kur të gjitha institucionet të performojnë funksionalitetin e vet, hetimet, gjykatat etj., dhe kjo do të lejojë të kuptohet nëse reforma është bërë mirë.

Një sistem gjyqësor i pavarur është baza për një qeverisje të mirë dhe të ribësh nga e para një sistem drejtësie në mënyrë kaq tërësore, është një sipërmarrje e madhe për çdo vend dhe mund të marrë dekada për të ndërtuar një gjë të tillë në shumë vende”, tha Williams në një intervistë për “RTSH”-në.

Ai u shpreh se, “Kjo përpjekje është shumë e thellë. Prokurorët dhe gjyqtarët janë hetuar dhe sigurisht që kjo ka kostot e veta, por ndërtimi i një sistemi të vlefshëm, të pavarur e të paanshëm drejtësie do të vlejë për dekadat që vijnë”.

Ndërtimi i institucioneve të vlefshme në vend shihet nga koordinatori i përhershëm i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri edhe si baza e një qeverisjeje me demokraci të garantuar.

“Ndërtimi i institucioneve funksionale për qeverisje përkundrejt arritjeve të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm në vend është angazhim i agjencive të Kombeve të Bashkuara. Në vështrimin tim, institucionet këtu janë duke shkuar më mirë. Pyetësorët tanë tregojnë se besueshmëria ndaj institucioneve që ofrojnë administrim e shërbime në Shqipëri rritet nga viti në vit, si ato për shërbimet shëndetësore, policia, shërbimet nga agjencitë e tjera etj.”, tha ai.

Zv.ndihmëssekretari në Departamentin e Shtetit, Matthew Palmer, e ka cilësuar Reformën në Drejtësi si zemrën dhe shpirtin e reformave në Shqipëri.

“Reforma në Drejtësi për Shtetet e Bashkuara përfaqëson një rrugë përpara për popullin shqiptar drejt një të ardhmeje më të mirë, një të ardhmeje europiane, një të ardhmeje të paqes dhe begatisë, e një marrëdhënie llogaridhënieje midis popullit dhe qeverisë së tyre.

Është zemra dhe shpirti i të gjitha përpjekjeve për reforma këtu. Është diçka, në të cilën Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë përpjekje dhe energji, diçka që e shohim si qendrore për aspiratat e Shqipërisë dhe të ardhmen e Shqipërisë”, është shprehur Palmer pak kohë më parë.

Duke iu përgjigjur skeptikëve për këtë reformë, Palmer tha se koha do tregojë të vërtetën.

“Mendoj se me kalimin e kohës, ajo që do të shihni është përparimi në frontin e reformave, përparim në ndjekjen e vetingut në gjyqësor, përparim në Reformën Zgjedhore, përparim në luftën kundër korrupsionit publik dhe krimit të organizuar.

E ndërsa njerëzit shohin përparim, do të investojnë gjithnjë e më shumë në atë proces drejt synimeve të qeverisë së pastër, transparente dhe llogaridhënëse, e do t’u kërkojnë llogari udhëheqësve të tyre të zgjedhur”, është shprehur Matthew Palmer.

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin