MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Libri i Isuf Kalos, për “Bllokun”-analizë mbi një vepër të jashtëzakonshme

16.08.2019 - 17:09

*Blloku, apo miqësia e prishur Ramiz Alia-Nexhmie Hoxha

Libri i Isuf Kalos, “Blloku”, është padiskutim një libër për të cilin do flitet gjatë në biografitë apo në analizat e diktaturës, bërë nga një personazh i cili e ka njohur nga brenda diktaturën, kokën e saj, “Bllokun”, lagjen ku zhvillohej tërë veprimtaria politike dhe jetësore e udhëheqësve te diktaturës, Enver Hoxhës kryesisht, por edhe për shkak të cilësisë së kësaj vepre.

-Konsideratat e përgjithshme për tipologjinë e saj.

Është një libër unik, si tërësi rrëfimesh dhe analize e një mjeku të diktatorit Hoxha, si dhe udhëheqësve të diktaturës, por KUJDES, nuk është një biografi për Enver Hoxhën. Personazhet kryesorë të këtij libri janë Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia.

Një lloj dëshmie, nga dikush që kapërcen pjesën dërmuese të mjekëve shqiptarë,të cilët në përgjithësi kanë strikt një kulturë profesionale, me pasione të kufizuara në fusha të tjera. Kalo rezulton I pajisur me kulturë të përgjithshme, me aftësi, dhe pse jo edhe me një talent letrar, dhunti që e kanë të fshehur një pjesë e mirë e intelektualëve të kohës së komunizmit, të cilët në potencë ishin letrarë të munguar. Isuf Kalo në këtë kuptim është jo thjeshtë një letrar i munguar, por një intelektual. Ai është dhe një erudit, gjë që duket nga cilësia e analizave, portretizimet që ai ju bën personazheve që analizon në këtë libër, endja në hapësirë dhe në kohë me të ngjashmit e tyre.

“Blloku” është një libër që tregon një cilësi të lartë të shkruarit për shkak të njohurive filozofike.

-Është libër i shkruar në një moshë të tillë, në një stad  pjekurie njerëzore, me arritjen e një pragu të tillë moshor, në të cilën një pjesë e atyre protagonistëve -që ndoshta me reagimet e tyre mund t’i krijonin telashe-,  kanë vdekur. Është distancë e madhe kohore nga ngjarjet që përshkruhen, dhe që në këtë kuptim autori duket sikur mezi çka pritur të arrijë kjo moshë, ky prag moshor i tij, kjo pjekje e tij, ky rrallim i pyllit të personazheve, protagonistëve, që të na japë në një libër të tillë i cili është voluminoz, rreth 600 faqe. Autori s’është marrë me politikë active deri më sot, por megjithatë ka dashur të lerë një dëshmi të aktivitetit të vet profesional dhe intelektual. Dhe dëshmia është e pjekur.

-Pse “Blloku”?

Në fakt libri duhet të ketë brenda një truk editorial, sepse duhet të jetë kompromis i botuesit me autorin për ta titulluar “Blloku”, kur personazhet kryesorë të tij janë Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia, një zgjedhje e qëllimshme e autorit. Ai është i vetëdijshëm, i sinqertë në këtë seleksionim, preferencë të tij, ndërkohë kur gjithë njerëzit presin që të ishte Enver Hoxha ai që do ishte protagonist i kësaj vepre. Me gjasë, imperativi etik, dëshira për të mos u zhytur në fole grerëzazh (ende të tilla), a ku dihet çfarë, ka përcaktuar këtë deaksizim të librit.

Por pavarësisht se Enver Hoxha ka shumë pak faqe në raport me Ramiz Alinë apo Nexhmije Hoxhën, ky libër nuk është zhgënjim,. Është i tillë për shkak të rrëfimit të shkëlqyer, dëshmive unike, i një cilësie të lartë të analizës, (apo dhe të heshtjes) për shkak të ngërthimit te ky personazh, jo thjeshtë e një eksperience që ia ka shënjuar jetën e tij si mjek i Bllokut, por edhe për shkak të studimeve, e udhëtimeve të tij të shumta, eksperiencës gjatë kohës që ka kaluar në Perëndim, si ekspert i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

-Etik dhe i ndershëm në rrëfim

Në një, apo edhe më shumë kuptime është një libër i ndershëm sepse autori nuk e fsheh atë, që ishte jo thjeshtë një mjek i diktatorit, ndaj të cilit kishte dëshmuar besnikëri në atë kohë, por dhe rrëfen me ndershmëri një pjesë të mirë të ngjarjeve dhe të përjetimeve. Madje dhe besnikërinë ndaj asaj që ai e quan pjesën e mirë të regjimit-të ashtuquajturin përparim shoqëror dhe ekonomik. Pse jo, ai gjithashtu ruan etikën ndaj atyre me të cilët ka kaluar rreth 15 vjet, ku kufijtë e lumturisë apo kënaqësisë profesionale i ndante një fije e hollë nga vdekja apo vrasja, siç u ka ndodhur edhe shumë mjekëve të diktatorëve në vende të tjera. Si më tha një mjek i shquar para pak ditësh-Isuf Kalo ka qenë njeriu më i stresuar i viteve 70-80. Për ndonjë vëzhgues perëndimor, një mjek i diktatorit, apo një mjek i një personaliteti të rëndësishëm në vend, në përgjithësi, ka disa kafaze  etike në të cilat do të duhet që ta zhvillojë veprimtarinë e vet publike vetërrëfimore. Doktor Isuf Kalo nuk i kapërcen këto, për shkak se përgjithësisht ai ka folur për ato aspekte të sëmundjes së Enver Hoxhës apo të tjerëve që ishin të njohura dhe nuk ka shkuar më tej.

Ka shumë njerëz të cilët kanë folur për librin duke lexuar atë vetëm pjesërisht, vetëm për shkak të atyre pjesëve që janë bërë publike në mediat e shkruara dhe që e kanë paragjykuar shumë, duke ngatërruar si bëhet rëndom-pjesën me të tërën.

Do duhet thënë që në fillim që ky libër duhet, mund të quhej fare mire: “Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, një miqësi e prishur jashtë bllokut”, por ndoshta për të rritur tërheqjen komerciale të librit është vendosur titulli “Blloku”.

Asnjëra prej këtyre kufizimeve nuk ia ul cilësitë këtij libri që ngjan se është shkruar duke patur parasysh distancën kohore, faktin se mund të bierë në dorë të brezave të ndryshëm, duke patur parasysh një lexues të gjithmbarshëm. Pra dhe një lexues i brezit të ri ka nevojë të kuptojë si ka funksionuar ajo lagje, që sot, siç e përshkruan edhe doktori, është një lagje e përqëndruar e jetës luksoze të natës, apo ku janë selitë e kompanive të ndryshme të oligarkëve të rinj shqiptarë etj. Ngjan se është një libër i cili mund të botohet fare mirë edhe në gjuhë të huaj, si dhe për shkak të vizionit të së tërës: Nga një mjek i përgjithshëm që e njeh organizmin njerëzor në mënyrë të përsosur, se si funksionojnë qelizat e tij, edhe ky libër ka një koherencë të brendshme, një njohje të psikologjisë njerëzore, një harmoni, tekstuale pavarësisht vëllimit të tij, natyrisht me ndonjë imperfeksion të vogël përsa i takon pjesës të kujdesit editorial, kujdesit redaktorial.

-Çfarë e bën “Blloku”-n të atakueshëm? Tendencioziteti ndaj Alisë, diçka që si pasojë rrit Berishën dhe veprën e tij

Por, është një element që e bën paksa të atakueshëm librin: tendencioziteti ndaj personazhit kryesor, i cili shikohet thuajse tërësisht në mënyrë kritike, Ramiz Alia, ndonëse, ky libër reflekton ndershmëri njerëzore, e cila nuk mund të jetë e plotë 100 % për arsye të kuptueshme, kur një pjesë e personazheve janë ende gjallë. Përshembull Nexhmije Hoxha që siç e vlerëson edhe autori- për shkak të gjeneve të saj apo për shkak të jetës së saj të kujdesshme- është ende gjallë duke i afruar 100 viteve; siç mund të jetë dhe ndonjë personazh tjetër. Por jo nuk është as Nexhmia personazhi, por ky libër ka personazh kryesor Ramiz Alinë. Në një farë kuptimi, këtu është, le të themi ‘abuzimi’… ky përqëndrim i madh tek figura e Ramiz Alisë, ndërkohë që autori është mjek i Enver Hoxhës dhe ndërkohë që libri titullohet Blloku. A e identifikon Ramizi Bllokun? Pse autori nuk merret aq shumë me Enver Hoxhën? Edhe reticenca është ndershmëri: ndoshta ai nuk do të shkelë  raportin njerëzor me dikë që i ka dhënë besim 15 vjet. Megjithatë ndershmëria e autorit është tek fakti që në kujtimet e tij, në analizat e tij të personazheve, të ngjarjeve, një pjesë e të cilave mësohen për herë të parë, nuk manipulohet thuajse asgjë.  Kur vjen puna tek faktet për mbijetesën e regjimit, ai i supozon të gjitha versionet e arsyeshme. Domethënë, ai hedh në tavolinën e tij, të librit të vet, të gjithë hipotezat për kursin e ngjarjeve në të cilat ai ka qenë protagonist, apo thjeshtë ka qenë vëzhgues cilësor i tyre. Kalo merr në analizë të gjitha, nuk i ka shpëtuar asgjë prej hipotezave apo zhvillimeve më të rëndësishme të viteve ‘70-‘80-‘90, pra të këtij 30-vjeçari nëse mund të thuhet kështu, prej të cilit, 15 vite i ka kaluar pranë Enver Hoxhës.Pra ngjan se nuk lihet pa përmendur asnjë hipotezë, asnjë version i këtyre ngjarjeve, duke veçuar këtu edhe ato më të rëndësishmet. Mirëpo, tendencioziteti qëndron te fokusimi në figurën e Ramiz Alisë, ndonëse, kur i referohet kësaj figure, autori shpesh-herë është i drejtë me të. Përshembull kur e përshkruan për raportin e tij me mungesën e abuzimeve materiale apo financiare, etj, me librat, krahasuar me udhëheqësit e tjerë të Byrosë Politike-natyrisht duke përjashtuar këtu Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun.

Nëse sipas autorit (dhe këtu është ajo inkoherenca kryesore e tij),  diktatura, (këtu autori citon dikë), ka dy plane, Hetuesinë dhe Propagandën, duke e shpallur Ramiz Alinë, si njeriun kryesor të propagandës- risia , një tezë e re e Kalos është se në një kuptim Ramiz Alia- ishte një nga dy shtyllat kryesore të diktaturës.

-Teza e re e Kalos mbi Ramiz Alinë

Për të marrë për të mirqenë këtë hipotezë mbi, “kreun e Meduzës”, do të thoshte Sali Berisha, në fakt nuk do duhet lexuar vetëm Isuf Kalo. Veçoj këtu, një përmbledhje kujtimesh të shefit të kabinetit të Enver Hoxhës, Haxhi Kroi, kujtime të të cilat ishin realiste. Haxhiu u ftua nga Nexhmija menjëherë pas vdekjes së Enverit të bashkonte kontributet e tij kujtimore me një pjesë të atyre që ishin bashkëpunëtorët më të afërt të diktatorit. Dhe pikërisht kujtimet e Haxhi Kroit, njeriut më besnik të Enver Hoxhës, i cili siç e citon edhe doktor Isufi, edhe në gjuhën që përdorte, në letrat që shkruante, përdorte një frazeologji të mbushur plot me patetizma revolucionare komuniste, u përjashtuan nga përmbledhja e kujtimeve të kuruara nga Nexhmije Hoxha. Pse? Sepse ti kuptoje prej tyre: që  Enver Hoxha ishte njeriu që pikërisht, veçanërisht në 20 vitet e fundit u mor ekskluzivisht me propagandën dhe me hetuesinë.

Në këtë fokusim tek Ramiz Alia për ta shpallur atë në fund si personazh që ngjan edhe tradhëtar edhe bukëshkalë të Nexhmijes, përcaktuese në atë drejtim që mori karriera e tij, lihet të kuptohet se midis doktor Kalos dhe Ramiz Alisë, duhet të ketë patur diçka që ka përcaktuar këtë tendenciozitet. Mbase është një incident, i pamundur për tu fshehur. Doktor Kalo shkruan se Ramizi ishte dikush që më shumë fliste nëpërmjet mos-foljes, heshtjes, shenjave, njeri i shumë-kuptimeve. Në libër del se edhe doktor Kalo, me një talent të jashtëzakonshëm, në shumë prej mesazheve, me realizmin e tij përshkrues apo analitik, për “Bllokun”, për ndikimin e veprimtarisë së tij në jetën e përditshme të shqiptarëve, apo në zhvillimet shtetërore në këto 30 vitet e fundit, shpeshherë do duhet ta kuptosh nëpërmjet të pathënave. Ose të thënave që ngjajnë se nuk kanë  vëllim kryesor. A është ky devijim, një përpjekje për të ruajtur etikën me një familje, e cila e ka trajtuar zotin Kalo si pjesë të saj, pavarësisht, siç thotë ai: “Isha dikush, që nuk më ftonin në dasmat e fëmijëve, festat e tyre familjare, etj.”?

Kalo, megjithatë, duhet vlerësuar për ndershmërinë, në fund të fundit. A është ai nostalgjik i diktaturës, apo i aspekteve të caktuara të saj, siç duket në pjesën e fundit të librit, kjo nuk ka rëndësi në raport me vlerën publike të librit. Është 1000 herë më mirë të kuptosh diktaturën nëpërmjet një ndershmërie të tillë se sa nëpërmjet hipokrizisë së atyre të cilët ndërtuan jetën, formimin, suksesin e tyre, edhe politik madje, për shkak të diktaturës, dhe që sot janë shndërruar në kritikë të egër të saj, duke mos qenë të natyrshëm në këtë shndërrim të tyre. E ka thënë Havel për antikomunistët më të egër-ish komunistët.

Megjithatë, Kalo nuk është kësisoj. Ai nuk mund të quhet nostalgjik. Ai tenton të jetë koherent në ecurinë e mendimit dhe jetës së tij.  Evolutiv.

Marrëdhëniet Hoxha-Shehu.

Kalo ka disa hipoteza që janë interesante për raportet midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut.

Është i drejtë, në pikët që i jep Mehmet Shehu, si figurë statisti, i cili kishte formim të plotë.Kundrejt tij është risi fakti që pompohet hipoteza se Ramiz Alia ishte aq  personazh i rëndësishëm, në fillim të viteve ’80, sa u bë një njeri që përcaktoi rrëzimin e Mehmet Shehut sëbashku me Nexhmijen.  Ndonëse, sipas Kalos, e tatëpjeta e Mehmet Shehut filloi në shtator të vitit 1981 pra 3 muaj përpara se të vriste veten diçka që ngjan sikur e kufizon rolin e Ramizit.

Ka diçka thelbësore, që reflekton një mungesë të librit, që në fakt është mungesë e Bllokut. Në atë Bllok, në atë lagje që dikush e quan si oborrin e Sulltaneshës Kasëm- nuk merreshin me ekonominë, nuk kishin shumë lidhje me realitetin ekonomik dhe shoqëror të masave, për pasojë analizave të tij, i mungon ky element thelbësor. Rëniet e diktaturave, si rëniet e kombeve kanë origjinë ekonomike, por Kalo nuk merret me këtë, se në Bllok, ndoshta mungojnnë këto elementë-merren me hetuesinë dhe propagandën. Shehu kuptonte ekonominë, që shkonte keq, që nuk i bindej këtyre ligjësive, ndaj ai e ndiente pushtetin bezdisës të Bllokut dhe njerëzve të tij ndërsa duhej të merrej me ekonominë. Keqtrajtonte të tjerët në Bllok, por s’mund ta bënte këtë me Enverin.

-Kontradikta thelbësore mbi figurën e Ramiz Alisë

Ramiz Alia, në optikën e Kalos që është besnik mjaftueshëm edhe sot ndaj asaj familjeje të cilës i ka shërbyer në cilësinë e mjekut, nga  njera anë shihet si tradhëtar i Hoxhëve, pastaj kritikohet se nuk kishte ritmin e protagonizmin e duhur në kalimin nga sistemi komunist në fillimet e kapitalizmit shqiptar apo të pluralizmit demokratik :  Ramiz Alia s’mund të ishte njëherësh edhe besnik ndaj Enver Hoxhës apo Nexhmije Hoxhës, edhe të hapte rrugën me tempizmin e duhur gjithë atyre ndryshimeve që ndodhën.

Në një kuptim tjetër, kur bëhet fjalë për proceset që analizohen me objektivitet në këtë libër të jashtëzakonshëm, të shkruajtur në një mënyrë të shkëlqyer, ky libër është një zhanër miks, nuk është 100% kujtime, por është edhe analizë historike dhe që përafrohet me një libër tjetër, triologji- të Spartak Ngjelës për diktaturën, ku Ngjela aventurohet në thellësi, apo në hapësirë duke e krahasuar regjimin e Enver Hoxhës edhe me regjime të tjera.

Megjithatë, për të qenë më interesant, librit i mungon pjesa e bisedave me Enver Hoxhën.

Me ndershmëri,- në fund të fundit, nuk është se duhet ndonjë guxim shumë i madh për të pranuar në kaq vite më pas-Kalo thotë se gjithçka shkruan janë vepër e kujtesës, nuk janë vepër e ditarit. Sepse shoku Sulo Gradeci, i cili ishte shefi i sigurimit të Enver Hoxhës,( Kalo i referohet dhe mënyrës se si drejtohej) i kishte ndaluar doktorët e tij që të mbanin ditar. Mirëpo, do duhet supozuar që bisedat eventuale që Kalo ka patur me Enver Hoxhën në lidhje më sistemin, ekonominë, qytetarët, do të ishin interesante nëse do të ishin origjinale, unike, të pathëna më parë.  Ato mungojnë. Pse ? Kalo s’do t’i thotë ? Enveri s’fliste me të ? apo çfarë ? Kalo tregon biseda të cilat kanë patur karakter letrar, por jo biseda që ndoshta nuk i ka bërë nga frika, pra nuk ka dashur ti bëjë, apo i ka bërë e s’i kujtohen.

Por, edhe aq sa janë treguar aty janë të jashtëzakonshme.

-Episodet me Enver Hoxhën

Veçoj një nga episodet, kur Enver Hoxha, në mënyrë paranojake, përcaktoi fundin e jetës së një mjeku të jashtëzakonshëm, e një ministri të Shëndetësisë së asaj kohe, Llambi Ziçishtit, duke dëshmuar me egërsi se fati i këtij njeriu, mjeku të shquar ishte tashmë i përcaktuar për shkak të paranojës që kishte Enver Hoxha, se ky mjek bashkë me Mehmet Shehun ishin njerëz të amerikanëve, dhe në këtë kuptim rrezikonin jetën e tij.

-Figura e Nexhmijes

Kur vjen puna te Nexhmija, prof.Kalo kujdeset të mos jetë njëlloj agresiv sa ç’është me Ramiz Alinë, i cili ka vdekur. Në këtë kuptim, ai përpiqet të çmontojë një tezë, sipas të cilës Nexhmija( ka qenë besuar dikur, por që besohet ende nga një pjesë e historianëve), me Ramiz Alinë ishin një dyshe që funksiononin bashkë dhe se Ramizi ishte i kushtëzuar prej saj. Zvogëlohet pesha negative e saj në zhvillimet e tranzicionit. Megjithatë do duhet imagjinuar se këtu ka një lloj tendence që tenton ti japë gjithë përgjegjësinë, atë negative, për zhvillimet e tranzicionit, ekskluzivisht vetëm Ramiz Alisë, jo Nexhmijes, e cila sipas tij e cila edhe në zhvillimet e diktaturës, me përjashtim të votës ‘PRO’ për vrasjen apo eliminimin e shokëve, nuk ishte përgjegjëse. Portreti i Nexhmijes ngjan besnik, ai më i ploti që i është dhënë deri më sot, por megjithatë duhet të rrëmojmë tek reticenca. Tek ngritja e detajeve, në teza. Do duhet supozuar që nuk ka tendenciozitet, as përpjekje për pastrim të figurës së saj. Ndoshta absolutizohen disa rrëfime për thellësinë e mendimit të saj filozofik, por nuk ka thellim në atë që do të mund të quhej si vepër e madhe ndikuese e saj në vitet ’70, kur shëndeti i Enver Hoxhës mori tatëpjetën. Në zhvillimet e ardhshme, (roli i Nexhmijes sipas doktor Kalos do duhet kuptuar në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, ndonëse ai e mohon atë si hipotezë, që Nexhmija e ndikonte) në pjesë të caktuara të librit lexuesi arrin të kuptojë se ‘PO’- ajo ndikonte : ajo kishte në dorë informacionin që shkonte te Enver Hoxha, dhe si filtër për informacionin, ajo ishte tendencioze, në këtë kuptim, duke njohur mirë bashkëshortin e vet, plazmonte mendimin e tij. Edhe veprimin e tij. Pa folur për ndikimin e motrës, nuseve, djemve, që  përshembull ishin në rivalitet tërësor me familjen Shehu, për shkollimin, kurset muzikore, vendet e punës, intelektualitetin, pjesën estetike, modën, krushqitë e munguara, etj.

-Reagimet dhe kritikat

Për disa prej kritikëve të këtij libri, të cilët natyrisht një pjesë e tyre e kanë lexuar vetëm pjesërisht atë, ka tendenciozitet.

Psh.: reagimi i Visar Zhitit ishte sentencial: teksa shkruante për Shqipërinë sot, ‘Kujtesë e çoroditur’.

Reagimi i Tritan Shehut, ndonëse etik ndaj librit, do duhet kuptuar, për shkak se: në një pjesë të librit përmendet një episod i cili tingëllon pak keq në karrierën politike të tij, që është hipoteza propagandistike për floririn e fshehur nga familja Hoxha, të cilën Tritan Shehu e bëri publike në vitin 1992, dhe që  Kalo e hedh poshtë. Do duhet supozuar, që Shehu ka reaguar duke kritikuar librin, të cilin sipas tij idilizon Bllokun dhe jetën brenda tij. Përgjigjia e Kalos ishte e jashtëzakonshme duke e denoncuar Bllokun si një mendësi e cila mbijetonte, pavarësisht se “Blloku” fizikisht nuk ekziston. Mënyra se si Kalo reagon ndaj një shkrimi të Tritan Shehut tregon se ai e ka lëkurën e hollë, pikërisht për këtë arsye nuk është në politikë, dhe nuk i pëlqejnë shumë kritikat, për më shumë prej një kolegu.

Libri është gjithashtu një përpjekje për të moderuar sadopak sulmet që mund ti vinin nga disa pena të shquara të mendimit kritik – politik apo social shqiptar. Kjo është bërë nëpërmjet artit të citimeve, citime të cilat janë zgjedhur në mënyrë shumë inteligjente, dhe intelektuale nga prof. Kalo, dhe ngjan se një pjesë e tyre janë zgjedhur për të moderuar sadopak frontin e reagimeve kundra.

Libri ka një tendenciozitet tjetër, pasojë e atij kryesorit që sheh Alinë si shtyllën kryesore të diktaturës, nëse mund të thuhet, ndonëse analiza historike mbaron me vitet ’92, ku flitet për Berishën, sepse i jepen shumë pikë, elozhe, vlerësime. Përshembull ndonëse « shoku Sulo », i kishte thënë Kalos që “Partia kontrollon gjithçka”, duket e vështirë, e pabesueshme, që prof. Kalo të mos ta dinte që Ramiz Alia, i cili fajësohet  se i dha ritme të ngadalta tranzicionit, ka patur ndikim në themelimin e Partisë Demokratike, në përzgjedhjen e udhëheqësve të saj, një pandehmë e cila ka shumë elementë për të qenë e besueshme. Prof. Kalo ka ditur shumë : ai është dikush që flet me njohuri të plota rreth zhvillimeve në diktaturë, për më shumë që për shkak të nevojës për të qenë pranë Enver Hoxhës në momentet e vështira, emocionale,( pasi diabeti është i lidhur me emocionet), atij i duhet të ishte dëshmitar i atyre mbledhjeve të famshme, madje ka edhe një fotografi aty ku ai shfaqet duke dëgjuar regjistrimin në audio të mbedhjeve të plenumeve të Komitetit Qendror. Kështu shpjegohet se Berisha ka marrë pjesë në promovimin e librit, duke e garantuar për moskriticizmin e tij. Kalo është përpjekur t’i japë kredite të pamerituara Berishës, i cili mund të ishte një nga kritikët më të fortë të librit në qoftë se nuk do të përmendej me nota pozitive.

Është përpjekur që të jetë i drejtë kur përshkruan raportin Nexhmije Hoxha-Ismail Kadare, për të mbajtur distancë të fortë mes tyre dhe tenton të ekuilibrojë lojën me citimet e Kadaresë.

Dr. Kalo ka trajtuar me përçmim sulmet që i kanë ardhur nga e reja e Enver Hoxhës, njëra prej të tyre, Liliana, dhe ngjan se e ka çmontuar atë pandehmë që ka krijuar ajo me shkrimet e vazhdueshme sipas të cilit: Kalo, Ramizi dhe Nexhmija kanë qenë bashkë për të përshpejtuar vdekjen e Enver Hoxhës, dhe ky libër tregon në fund të fundit që ‘PO’, Kalo ka qenë më afër Nexhmijes, por jo aq afër me Ramizin !!

Dr. Kalo nuk ka patur kompleks nga një pjesë e madhe e dobësive të tij njerëzore në fund të fundit ndërsa përshkruan raportin e tij me diktaturën. Edhe mënyra se si e bën vlerësimin e diktaturës reflekton ndershmëri njerëzore, ndonëse është shumë e vështirë të kuptosh kur lexon për peripecitë që kanë patur për trajtimin shëndetësor të Enver Hoxhës se si një regjim si ai i cili ndërtoi 173 mijë bunkerë, nuk u kujdeset për të sjellë pajisje dialize apo skanerimi, të paktën për udhëheqësin kryesor, pa le për popullin.

Nga ana tjetër,  profesor Ardian Ndreca ka qenë shumë agresiv duke përçmuar me tone të egra gjithë librin dhe autorin. A nuk është Kalo më i ndershëm në koherencën e tij, sesa shumë protagonistë të jetës sonë publike që kthyen fletën vetëm politikisht, pa kurrfarë ndryshimi thelbësor ?

Doktor Kalo tregon me shkrimin e këtij libri, (nuk kam lexuar librin Diabeti, për shembull që duhet të jetë një libër shumë professional, jashtë asaj sferës sime të interesit), që është një figurë me një formim të përgjithshëm të shkëlqyer, intelektual, me  formim relativisht të plotë, me një stil të shkëlqyer rrëfimi. A është ky libër, vepra e jetës, këtë nuk e themi. Por është libri mbi pjesën më përcaktuese të jetës së tij.

Mungesa e kontekstit- e meta tjetër kryesore.

Megjithatë, ka një moment që mungon në libër, -sepse për t’i kuptuar ngjarjet që zhvilloheshin në Bllok ato duhen vendosur në kontekstin e duhur. Konteksti ekonomik, konteksti social, një kontekst me të cilin, profesor Kalo filloi të merret kur angazhohet në të ashtëquajturën bërthame sociologjike, një tregues i asaj që jo thjeshtë Enver Hoxha, jo thjeshtë Nexhmie Hoxha, apo dhe Ramiz Alia ishin të shkëputur nga realiteti brenda Bllokut, por edhe doktorët e tyre, pra edhe prof. Kalo.

Mungon vlerësimi ekonomik, ka elozhe të cilat janë të standartizuara kur vjen puna për diktaturën siç janë vlerësimet për nivelin e lartë, për luftën e analfabetizmit, për shkollat dhe universitetin e hapur, të cilat janë parametrat që janë përmendur shpesh nga propaganda enveriste. Kështu, edhe Kalo bie tek ajo klisheja e propagandës së të sëmurit të tij, që e kritikon kur thotë se krahasimet e regjimit, ecurisë së tij, bëheshin në mënyrë diakronike, pra krahasoheshin me paraardhësin dhe jo me vendet e tjera, dmth në hapësirë. Në këtë kuptim, ai e merr për të mirëqenë atë pjesë të propagandës të regjimit i cili e konsideronte se Komunizmi i dha vendit një zhvillim të vrullshëm, që nëse do të ishte në monarki nuk do ta kishte. Ai e lë të kuptohet se e merr për të mirëqenë një përfundim kaq banal sa ky që ngjan paksa kufizuese për një njeri që ka patur mundësinë për shkak të jetës profesionale, cilësore që ka bërë, për shkak të udhëtimeve, pastaj për shkak të eksperiencës profesionale në një organizatë botërore të kuptonte e ta vlerësonte regjimin ( ku ai pranon me ndershmëri se ishte pjesë konfidenciale e tij). Dr. Kalo merr të mirëqenë disa prej atyre pandehmave propagandistike, konstrukteve krijuar prej strukturave, të cilat sipas prof. Kalos, ishin meritë, të konceptuara, të ngjizura ekzkluzivisht prej Ramiz Alisë. Ngjan pak absurde!

-Për lexuesin

Këto ishin disa penelata, ose konsiderata të pasistemuara rreth një libri, i cili është i jashtëzakonshëm, lexohet me një frymë me siguri edhe nga brezat e rinj duke qenë se është shkruar me një stil të thjeshtë, të bukur, dhe do t’u duhet për ta kuptuar se cila ishte origjina e atyre zhvillimeve shqiptare, midis viteve ’40 dhe ’90, që i dhanë atë formë që i dhanë Shqipërisë, por që i dhanë veset që i dhanë. Prof. Kalo i përshkruan ato vese me cilësi dhe që në një kuptim janë ato vese të hershme që sot kanë shënjuar edhe disa prej veseve që shoqëria shqiptare apo klasa politike ka. Sepse ngjan se ajo është ngjizur prej Bllokut, ndonëse profesor Kalo nuk flet për këtë pjesë, megjithëse është ekspert i rritjes…

Është një libër që ja vlen të lexohet, tregon guxim, përpjekje për të qenë i ndershëm apo i drejtë me një pjesë të historisë, ku doktor Kalo ka patur një status të privilegjuar.

Ngjashmëria paradoksale e Kalos me Alinë.

Përtej kufizimeve që janë të shpjegueshme, të kuptueshme, ka një pike, një mister, që ngelet në leximin e këtij libri, që e bën në një farë mënyre ‘afin’ apo e përafron vetë Kalon me Ramiz Alinë si tipologji.

Në qoftë se libri do te lexohet me shpejtësi, ai do tu ofronte kënaqësi të madhe secilit prej tipeve të lexuesve, apo në varësi të pëlqimeve të tyre.

-Everistët do të ndiheshin mirë sepse në fund të fundit, portreti i Enver Hoxhës që nxirret nga ky libër nuk është dhe aq i keq. Por, në fakt kjo është një përshtypje, e kënaqshme për ta pasi duket se Ramizi e tradhëtoi Enverin, Nexhmijen.

Berish-ianët do të ndihen mirë, sepse sipas këtij libri, Sali Berisha nuk ishte komunist asnjëherë.

Pra është një përpjekje për të kënaqur nga pak të githë, por po ta lexosh me vëmendje librin, në shikim të parë është më i ndershëm se sa ç’duket, por ama vuan nga tendencioziteti ndaj figurës së Ramiz Alisë, i cili e bën të duket se autori ka arritur në përfundimin se Ramiz Alia ishte një hallkë apo shtyllë e rëndësishme e diktaturës, si udhëheqës i propagandës, duke nënvleftësuar dhe neglizhuar faktin që Enver Hoxha, njëlloj si Ramiz Alia ishte gjithashtu një baba i propagandës. Kjo vinte se formimi i Hoxhës ishte formim i përgjithshëm, me fokus tek letërsia dhe tek historia, pak a shumë dhe Ramiz Alia ishte kështu. Kur vjen puna tek bilanci i veprës, Alia si përshkruhet besnikërisht nga Kalo, shpesh ka preferuar të nxisë të tjerët të veprojnë, të mendojnë (takimi me intelektualët ), diçka që ngjan si mimetizim i demokracisë nga sipër, apo që e përafron dhe me shembullin që jepet diku për Ataturkun. Edhe Ataturku që kontrollonte gjithçka, donte ta krijonte pluralizmin, por dështoi, duke patur në kurriz një bilanc të madh viktimash të shndërrimit të tij epokal. Në stilin e vet të komunikimit, Alia shpesh fliste nëpërmjet heshtjes, gjesteve, fjalëve të veçanta,-thotë Kalo, dhe në këtë libër, shumë hipoteza ngjajnë se nënkuptohen qartësisht, me pak penelata, njëjtë si teknika komunikative e Alisë. Dhe Kalo sot, edhe Alia përpiqeshin të ruanin ekuilibra të brishtë. Alia kishte sigurisht përgjegjësi të madhe dhe bash për këtë arsye veprimet dhe mosveprimet e tij janë në mes të skenës, duke imponuar tek ai atë që dikush e ka quajtur shqetësimin e funeralit : kush do ‘i shkonte në të ? Enveristët, apo demokratët ? Dhe kjo drojë e ka bërë Alinë që edhe në pension të mos mbajë qendrime të forta autokritike, diçka që evidentohet me qartësi nga autori, por që nuk justifikohet prej tij.

Ky libër ja vlen megjithatë të lexohet, megjithëse voluminoz. Enveri duket se ka bërë zgjedhjen e drejtë kur e emëroi shef të mjekëve të tij, dhe kjo gjë sot nuk e cënon autoritetin profesional dhe intelektual të profesor Kalos.

Me video: