Bundesliga ngriti siparin për sezonin 2019-2020 me sfidën mes Bayernit të Mynihut kampion në fuqi dhe Herthës së Berlinit, takim që u zhvillua në stadiumin e bavarezëve “Allianz Stadium” dhe përfundoi me rezultatin e barabartë 2-2.
Vendasit e drejtuar nga Niko Kovac e nisën vrullshëm takimin dhe krijuan disa mundësi shënimi, por rezultati u zhbllokua vetëm në minutën e 24-t kur Robert Lewandowski dërgoi topin në rrjetë, pas asistit të marrë nga Gnabry.
Megjithatë pjesa e parë nuk do të përfundonte aspak mirë për Bayernin, pasi miqtë nga Berlini arritën të shënojnë dy herë brenda dy minutash, në të 36-ën me anë të Lukebagio, që gjuajti nga distanca dhe dërgoi topin në rrjetë dhe në të 38-ën me Grujiç, që shfrytëzoi një depërtim dhe mposhti për herë të dytë portierin Neuer.
Bavarezët nuk mund të pajtoheshin gjithsesi me një humbje në start, para tifozërisë së tyre dhe u hodhën në sulm në pjesën e dytë, duke arritur të rikthejnë baraspeshën sërish me Lewandowskin, që shënoi me anë të një penalltie të fituar nga vetë ai.
Minutat e mëvonshme sollën një sërë rastesh të tjera për bavarezët, që gjithsesi nuk arritën të gjejnë golin e fitores dhe u detyruan të pranojnë barazimin 2-2 dhe të kënaqen me vetëm një pikë në start.