Ka pasur një kohë, kur shtroheshin më shumë çështje teknike, kur vinte fjala për Europën.
Male me gjalpë dhe liqene me qumësht u krijuan kështu me subvencionet agrare të BE-së, por që duhej të reduktoheshin pastaj po falë subvencioneve të tjera, vetëm që të mos mos prodhohej kaq shumë gjalp dhe qumësht. Kush e kuptonte këtë? As nuk e vriste njeri mendjen ta kuptonte, sepse këtë vramendje ua linte teknokratëve të BE.
Kur Europa u bë me kufij të jashtëm dhe me një monedhë të përbashkët situata ndryshoi. Me këtë politizimi dhe toni helmues. Sepse kufijtë dhe paraja janë ato që e përbëjnë shtetin.
Në fillim nuk i kuptoi kush aq mirë pasojat kaq revolucionare të këtyre zhvillimeve. Pra që një konstrukt transnacional të merrte përsipër funksione, që deri më atëherë ishin thelbi i shteteve kombëtare. Atyre u mbeti si perspektivë në të ardhmen, vetëm pak më shumë, se roli i një administrimi province në kuadër të një konstrukti më të madh politik.
Për shkak se ky zhvillim nuk u tematizua si duhej dhe nuk u diskutua plotësisht në diskursin shoqëror, qytetarët nuk e tretën mirë. Me kalimin e kohës shumë vetë e kuptuan, oh, këtu paska ndryshuar diçka shumë e madhe…
Ata vazhduan të zgjedhin qeveritë e tyre, por këto qeveri – dhe me këtë edhe zgjedhësit- kishin gjithnjë e më pak hapësirë vepruese për ta farkëtuar vetë fatin e tyre si shoqëri. Bashkim Europian do të thoshte pra, kështu e ndjenë shumë vetë, më pak vetëvendosje.
- Pushteti transnacional përballë shtetit kombëtar
Momentet më shokuese madje janë të datuara: Kriza e euros nga viti 2009 u tregoi grekëve, se ata nuk kishin asnjë rrugë tjetër të dilnin nga gjendja e vështirë, veç asaj që u tregoi Europa. Ndërsa kriza e refugjatëve e vitit 2015 u tregoi shoqërive, që nuk donin emigrantë, që më të fortët në BE kishin vullnetin, që “me vendim shumice” të detyronin vendet rezistuese me kuota shpërndarjeje të refugjatëve.
Kjo përpjekje e ushtrimit të pushtetit transnacional kundër vullnetit të parlamenteve kombëtare dhe zgjedhësve të tyre, u kthye në zile zgjimi ne BE për të gjithë ata, që donin ta përcaktonin vetë rrugën e vendeve të tyre edhe më tej. E ata jemi kryesisht ne në Lindje të Europës. Ne e shijojmë lirinë tonë si shoqëri, nga ana historike një kohë e shkurtër, që kur e shkundëm nga vetja konstruktin transnacional “blloku lindor” para 30 vjetësh. E këtë liri, që të vendosësh vetë për vendin tënd nuk duam ta dorëzojmë kollaj.
Rezistenca e Hungarisë dhe vendeve të tjera në rajon tregoi pastaj edhe kufijtë e “integrimit” në Europë. Europa nuk është vërtet “Bashkim” dhe kuota e refugjatëve dështoi.
Për sa unitet transnacional, për sa liri kombëtare ka nevojë BE, me qëllim që të mos shpërbëhet, por që t’u lerë hapësirë lirie edhe shoqërive anëtare?
Ka detyrime, që kërkojnë unitet, ndryshe puna nuk funksionon. Monedha e përbashkët Euro psh: Kush e ka këtë valutë, nuk mund të bëjë më politikën e vet monetare. Që t’i futesh projektit euro, kërkon pjekuri, ndryshe pasojat mund të jenë katastrofale. Kjo vlen edhe për kufijtë e jashtëm. Kush nuk e kupton, se me një politikë të papërgjegjshme buxhetore dhe një mbrojtje kufitare të dobët nuk rrezikon vetëm vendin e vet, por trondit të gjithë BE-në, ai duhet të mësojë, – ose të dalë nga zona Shengen apo eurozona.
- BE të mos marrë më funksione të rëndësishme të shteteve kombëtare
Aktualisht është bërë e qartë, që ky proces i nxjerrjes mësim nuk ka përfunduar. Pasoja logjike: BE nuk duhet të vazhdojë më tej të marrë përsipër funksione të tjera të rëndësishme të shteteve kombëtare, pa i sqaruar efektet e tyre mirë në diskursin shoqëror. Një sigurim i përbashkët papunësie, një pagë minimale europiane, tatime europiane, një ushtri europiane me betim besnikërie në flamurin blu, vendimet e shumicës, ku aleancat e vendeve të forta mundin ato të dobtat, – pa pranueshmërinë në shoqëri të disa efekteve negative për vende të caktuara – çojnë në hapa radikalë e ndoshta në një moment edhe në shpërthime politike. Pasoja do të ishte një dobësim e jo forcim i Europës.
“Unitet në diversitet” – kjo është motoja e BE. Por në luftën politike harrohet, se me “diversitet” kuptohen shtetet kombëtare. Nocionet si “kombëtar” apo “shtet kombëtar” nga përkrahësit e një Europe më fort të integruar përdoren gati si fjalë ofenduese. Shumëllojshmëria e shteteve kombëtare – në retorikën e Brukselit duhet të futet më shumë respekt për to. Shteti kombëtar është një kuadër, ku demokracia mund të funksionojë më së miri. Historikisht BE lidhet me mirëqenien, madje ajo kështu filloi, si union ekonomik.
Ajo që dëgjohet shpesh, se BE qëndron për solidaritet dhe demokraci, kurse shteti kombëtar për nacionalizmin është një marrëzi ideologjike. BE është tregu, ku shtetet anëtare demokratike në bazë të rregullave të përbashkëta përfaqësojnë interesat e tyre dhe bëjnë pazare politike, pra bëjnë kompromise. Por për interesat e tyre kombëtare luftojnë të gjithë, gjithmonë, pa u përkulur. E kjo nuk është ndonjë gjë e keqe. Sepse ato janë interesat e qytetarëve, votuesve të tyre. Kjo është demokracia!
Boris Kálnoky, lindur në vitin 1961, raporton si korrespondent nga Hungaria për gazetën gjermane “Die Welt” dhe media të tjera gjermane