MENU
klinika

Nga Zëri i Amerikës

Konstituohet këshilli i bashkiak, pas ‘luftës’

19.08.2019 - 16:09

Këshilli i ri bashkiak i Shkodrës, i dalë nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit, u konstitua sot në mjediset e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ndërsa përkrahës të opozitës protestonin jashtë.

Situata u tensionua kur banorët dhe protestuesit u përplasën me kordonët e policisë, teksa përpiqeshin të hynin në ndërtesë dhe të ndalnin ceremoninë konstituese të ndjekur nga këshilltarët e rinj.

Sipas opozitës, konstituimi i këtij këshilli është i jashtëligjshëm dhe nuk përfaqëson qytetarët e Shkodrës. Këshilli bashkiak i Shkodrës zgjodhi si drejtuese zonjën Briseida Kadia. Protestuesit ndoqën këshilltarët bashkiakë dhe politikanët socialistë të ardhur nga kryeqyteti sapo dolën nga ceremonia me thirrjet “Turp! Turp!”. Policia disa herë u përpoq ta ndalonte këtë marshim spontan dhe kjo krijoi përplasje të saj me protestuesit.

Kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha, deklaroi përmes Facebook-ut se “beteja e sotme në Shkodër është beteja e çdo shqiptari që nuk pranon dhunën, hajdutërinë dhe kriminelët e Edi Ramës, nuk pranon papunësinë, padrejtësinë dhe arrogancën e tij”. Sipas tij, qëllimi i opozitës është të nxjerrë këta njerëz nga institucionet qendrore, nga parlamenti e deri te bashkitë, sepse ata i pushtuan ato me dhunë e paligjshmëri.

“T’u vëmë prangat dhe t’i pastrojmë institucionet dhe rrugët e Shqipërisë, të pastrojmë ekonominë shqiptare nga këta banditë dhe hajdutë dhe t’ua kthejmë Shqipërinë njerëzve” – tha zoti Basha.

Ndërsa për kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, sot shkodranët kanë “kuvendin” e tyre të ri vendor, të përbërë nga 51 këshilltarë bashkiakë të zgjedhur në Zgjedhjet Vendore të 30 Qershorit.

“Partia Socialiste i shpreh ndjesë komunitetit të nderuar të Bashkisë së Shkodrës për situatën e krijuar pas dorëheqjes së detyrueshme të kryetarit te zgjedhur të Bashkise, por si në çdo rast, ne qëndruam përtej çdo interesi partiak, politik apo individual, vetëm në anën e ligjit dhe të interesit publik” – tha zoti Balla në Facebook, duke theksuar se ligji është i barabartë për të gjithë dhe ai vetëm duhet zbatuar nga kushdo.

Kryetari i zgjedhur bashkiak në zgjedhjet e 30 qershorit, Valdrin Pjetri, u tërhoq nga ky post, pas publikimit nga opozita të dokumenteve italiane, të cilat provonin se ai u dëbua në vitin 2003 pas dënimit gjyqësor, si i përfshirë në trafik droge.