Është pezulluar nga detyra Drejtori i Burgut “313” (Jordan Misja), Maksim Hamitaj, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili.
Shkak i pezullimit të këtij drejtori është bërë i dënuari Emiljano Shullazi, të cilin e ka favorizuar me takime shtesë, duke e lejuar të takohet me anëtarët e bandës.
Ndërkohë, Hamitaj është zëvendësuar nga Qazim Hoxha, i cili deri më tani ka qenë drejtori i Burgut të Durrësit.
Ndërkohë, problemi i favorizimit të të burgosurve është një problem i hershëm. Pak kohë më parë, në burgun “302” të burgosurit i bënë një peticion krerëve të shtetit, përmes të cilit kundërshtonin ligjin e ri për mundësimin e izolimit të tyre, si dhe anulimin e takimeve shtesë, që u është bërë kohët e fundit. Ndërsa, pak kohë më parë u pezullua nga detyra edhe drejtori imëparshëm i burgut “313”, për shkak të shkeljeve të tij.
Ndërkohë, kujtojmë se Ministria e Drejtësisë ka çelur garën për rekrutimin e kandidatëve të rinj në kuadër të reformës së thellë në burgje, e cila po transformon dita-ditës të gjithë sistemin penitenciar.
Më herët, ka qenë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila gjatë një deklarate për shtyp paralajmëroi se të gjithë drejtuesit e burgjeve do të kalojnë në një “sitë” të imtësishme kontrolli.
Fill pas kësaj, u bë publik urdhri i Gjonajt për rekrutimin e kandidatëve profesionistë dhe me integritet në pozicionet e larta drejtuese në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Le të kujtojmë se vëmendja ndaj sistemit penitenciar në vend është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë, ku transformimi i institucioneve të vuajtjes së dënimit po vijon me ritme të larta, si në aspektin fizik të godinave, ashtu edhe atë logjistik apo administrativ, për të garantuar siguri, si dhe duke respektuar në mënyrë rigoroze të gjitha të drejtat e njeriut për ata që vuajnë dënimin.