Në vitin 1913, kur u themelua nga françskanët shqiptarë revista “Hylli i Dritës”, revista “Albania” e Faik Konicës nuk botohej më. Kështu, një pjesë e atdhetarëve që më para shkruanin te “Albania” iu drejtuan redaksisë së “Hyllit të Dritës” si e vetmja revistë serioze në të cilën trajtoheshin çështje atdhetare e kulturore./Konica.al
Një ndër këta atdhetarë, më i miri i atyre që jetonin në emigrim, sipas françeskanëve, ishte Faik Konica, mik me françeskanët dhe me të cilët mbante korrespondenca të rregullta, i cili në vitin e parë të “Hyllit” botoi disa artikuj mjaft interesantë, të cilët përfshinin çështje nga më të ndryshmet.
Në këtë vit, redaktor i “Hyllit të Dritës” ishte gjuhëtari i shquar atë Justin Rrota, i cili, pasi kishte përfunduar studimet jashtë dhe kishte hartuar disa tekste të shkurtra për shkollat shqiptare, ishte caktuar nga redaksia e revistës si redaktor i saj me synimin e vetëm që të unifikonte ortografinë.
Sipas atë Zef Pllumit, atë Justini, asokohe, me gjithë dijet e mjaftueshme, nuk kishte përvojën e jetës dhe pa dashur as vetë u ndesh në pengesa të shumta të cilat shkaktonin pakënaqësi edhe mes miqsh.
I tillë ishte rasti i Faik Konicës, të cilin atë Zef Pllumi e kujton kështu në librin e tij “Françeskanët e Mëdhaj”:
Mbaj mend nji letër me shumë spec që gjendej në arkivin e “Hyllit të Dritës”, dërgue nga shkrimtari i madh Faik Konica. Ai protestonte se redaktori i kish ndërrue dialektin toskë në atë gegë, ndërsa te “Albania” e tij të gjithëve ua kishte botue artikujt në atë dialekt në të cilin e shkruejshin. Kish arsye Faiku i madh dhe, megjithëse miqësia mes tyne nuk u lëkund kurrë, ai nuk shkroi ma artikuj për “Hyllin e Dritës”. Që në atë rast, redaksia vendosi që çdo bashkëpunëtori t’i botohej artikulli në dialektin që e dërgonte.
Në vitin 1913, “Hylli i Dritës” u mbyll nga autoritetet për t’u hapur sërish në vitin 1917, ku redaktor nuk ishte më atë Justin Rrota, i cili e dha kontributin e tij në fushën e arsimit.