MENU
klinika

Profil

Ji Sun-Shin, heroi legjendar i anijeve-breshka

23.08.2019 - 08:45

Japonia e shekullit XVI u bashkua pas një shekulli nga Tojomoti Hidejoshi. Pas shumë e shumë luftërash civile që kishin trazuar Japoninë, ai e dinte se e vetmja mënyrë për të mbajtur vendin të bashkuar ishte një luftë jashtë tij. Në korrik 1592, Hidejoshi sulmon Korenë dhe avancon në gadishull me shpejtësi duke pushtuar Seulin dhe duke u gjendur pranë kufirit koreano-kinez. Atje një oficer i quajtur Ji Sun-shi po planifikonte t’i kundërvihej.

Ji Shun-shi u lind në 1545 dhe vendosi të ndiqte një karrierë ushtarake.

Sipas një tregimi apokrifik, hera e parë që Ji u përpoq të kalonte testin rigoroz të pranimit ai ra nga kali i tij, duke thyer këmbën. Megjithëse e dinte se kishte mbetur në provim, ai këputi një degë nga një pemë pranë dhe e përdori degën si një bastun për të kaluar provimin, gjë që e bëri.

Ji u bë ushtarak më 1576. Ushtria koreane e kohës, ashtu si shumë ushtri të tjera të ngjashme, nuk ishte e ndarë nga marina. Para se të emërohej admiral, Ji komandonte pikat kufitare në lumin Jalu dhe luftonte kundër nomadëve jurçenë.

Ai e dinte se rreziku më i madh për Korenë ishte një pushtim japonez nga deti, ndaj filloi menjëherë modifikimin e flotës koreane. Shtylla e flotës koreane për më shumë se një shekull kishte qenë geokobukseon-i ose anija breshkë.

Hidejoshi sulmoi në maj 1592 dhe mori Pusanin. Disa ditë më vonë, breshkat e koracuara të Ji Sun-shinit, sulmuan një flotë japoneze prej 800 anijesh. Pas djegies së 26 anijeve japoneze, flota pushtuese u largua. Në tokë, japonezët nuk e patën shumë të vështirë.

Ata u nisën drejt gadishullit dhe arritën në Seul, pas 19 ditëve. Por ushtria pushtuese kishte nevojë për furnizime. Ji dhe breshkat nuk rrinin duarkryq. Gjatë muajit të majit dhe qershorit, flota ushtarake detare koreane shpartalloi disa flota japoneze, duke mbytur 72 anije armike.

Por Tojomoti Hidejoshi nuk i kishte marrë kot gradat, ai modifikoi anijet japoneze duke patur fillimisht një sukses teknologjik në betejë. Por suksesi i Ji-së nuk mbështetej vetëm tek anijet breshkat. Ai shpiku dhe formacione të reja, siç i quante “formacioni lejlek” – një V e përmbysur, që rrethonte formacionet japoneze dhe përqendronte zjarr mbi ta në të dyja anët.

Një herë tjetër ai sulmoi vetëm me 180 anije një flotë japoneze prej 800 anijesh. Duke i përdorur në mënyrë të zgjuar anijet, ai shkatërroi 400 anije japoneze. Në 1593, japonezët u tërhoqën.

Por Hidejoshi nuk dorëzohej. Ai duhej të hiqte fillimisht Ji-në. Një japonez (që shtirej si spiun korean) raportoi se po afrohej një flotë e madhe japoneze dhe propozoi që anijet e tij të shkonin në vendndodhje dhe t’i zinin pritë armikut.

Në vitin 1597 mbreti Senjo i Koresë urdhëroi aprovimin e këtij plani, por admirali Ji nuk pranoi. Ai e dinte se po t’i çonte anijet në atë zonë, që ishte plot me shkëmbinj nënujorë, mund t’i humbte anijet breshka.

Atë e torturuan, por përsëri nuk pranoi. Mbreti deshi ta ekzekutonte, por një grup oficerësh i kujtuan mbretit se ç’kishte bërë Ji për mbrojtjen e vendit. Në vend që ta vriste, mbreti e bëri ushtar të thjeshtë.

Mbreti emëroi një admiral të ri, dhe pasi ky i fundit i çoi anijet në zonën ku do të bëhej prita, humbi të gjitha anijet. Mbreti riemëroi me shpejtësi Jinë.

Ai filloi menjëherë të ndërtonte një flotë të re me anije breshka. Në kohën kur japonezët u shfaqën me 133 anije, koreanët kishin përfunduar vetëm 12.

Ji sulmoi me 12 anijet e tij dhe shkatërroi 31 anije të armikut. Pjesa e mbetur u largua. Japonezët u përpoqën dëshpërimisht sërish, por, në nëntor 1598, në betejën e Gjirit Çinha, Ji mbyti 200 nga 400 anijet japoneze. Ai u vra para se të mbaronte beteja.

Ajo betejë i dha fund luftës. Marinarët japonezë i çuan lajmin Hidejoshit të sëmurë edhe ai vdiq më pas.

Po të mos kishte qenë Ji Sun-sini, që fitoi 22 betejat e tij detare dhe nuk humbi kurrë asnjë anije, Japonia me siguri do ta kishte pushtuar Korenë.

Ji Sun Shin është me meritë të plotë heroi kombëtar i Koresë, e cila u shpëtua nga pushtimi japonez vetëm falë përpjekjeve të tij; admirali më i mirë në historinë e botës, ai ishte i guximshëm, sypatrembur dhe novator i paparaleltë.