MENU
klinika

Dy çështjet jetike për vendin

Kuvendi që ndryshoi historinë e Shqipërisë!

23.08.2019 - 09:31

Kur flasim për një Kuvend apo Koncil Provincial të Kishës në trojet shqiptare, me të drejtë lind pyetja: Për cilin Koncil është fjala? Sepse në Historinë e Kishës Shqiptare njihen dokumentat e tre Koncileve.

Nën papninë e Klementit XI, në vitin 1703, u mblodh Koncili I, me rëndësi të posaçme për gjuhën dhe letërsinë shqipe, sepse Dokumentet e tij u shkruan si latinisht, ashtu edhe shqip, sipas dëshirës së shprehur nga vetë Papa.

Koncili II u mblodh më 1871, në kohën e papnisë së Piut IX. Ka vlerë të posaçme në jetën e Kishës ndër shqiptarë, sepse mori vendime tepër të rëndësishme për njohjen e mësimeve të Selisë së Shenjtë, për rolin dhe mbarështimin e sakramenteve, për detyrat e ipeshkvijve, priftërinjve, rregulltarëve vendas e misionarë, për organizimin e famullive etj. Dokumentat e tij janë të shkruara në gjuhën latine nga don Ejëll Radoja, që ishte sekretar i Koncilit.

Koncili III Kombëtar Shqiptar, që u kremtua në Shkodër nga 19 maji deri më 23 qershor 1895 në Kishën Katedrale të qytetit, shpalli Zojën e Këshillit të Mirë si Pajtore e Shqiptarëve.

Në javën e fundit të vitit 1995, në kremtimet e 100 vjetorit të tij, u organizua edhe shtegtimi i dytë i madh historik i shqiptarëve, të udhëhequr nga ipeshkvijtë, në Gjenacan të Italisë, ku ndodhet edhe sot e kësaj dite figurja e mrekullueshme e Zojës – Pajtores së Shqiptarëve.

Koncili apo Kuvendi I i Arbnit u mbajt më 14 e 15 janar të vitit 1703 në Kishën e Shën Gjonit në katundin Mërqî, tri kilometra në veri të Lezhës, nën drejtimin e Imzot Visk (Vinçenc) Zmajeviçit.

Në Kuvend morën pjesë Kryeipeshkvi i Durrësit, i Shkupit, i Sapës, i Lezhës, i Pultit, katër vikarët e përgjithshëm të françeskanëve të Shqipërisë dhe 44 klerikë të tjerë. Nga ky numër i madh pjesëmarrësish mund ta marrim me mend sesa materiale u paraqitën e u diskutuan për t’u botuar.

Kuvendi u organizua me nismën e Papës Klementi XI, i cili kishte dëshirë të flaktë për t’i zgjidhur problemet e mprehta të shqiptarëve nën thundrën e turkut. Ky fakt ndikoi së tepërmi, madje ishte vendimtar për suksesin e madh të kuvendit të Arbnit.

Kuvendi i Arbnit, si ai i Matit (1462), mbledhur në kohën e Skënderbeut nën udhëheqjen e Imzot Pal Engjëllit, Kryeipeshkëv i Durrësit (prej të cilit deri më sot nuk njihet asnjë dokument), kishte për qëllim organizimin sa më të mirë të jetës dhe të veprimtarisë kishtare – politike, për të përballuar pushtimin turk.

Nga të gjitha materialet e këtij Kuvendi, që janë tri shkresa të Zmajeviçit dhe dekretet apo aktet normative, kuptojmë angazhimin e krerëve shqiptarë kundër asimilimit dhe shkombëtarizimit të popullsisë shqiptare.

Ndonëse në shikimin e parë duket se kerkesat themelore të organizimit ishin të drejtuara vetëm për mbajtjen e rendit kishtar, duhet thënë se njëlloj me to radhiten edhe kërkesat që dalin nga nevojat e ruajtjes së identitetit etnik të popullsisë.

Nuk ishte fjala këtu vetëm që të gjithë misionarët dhe krerët fetarë të dinin shqip, por sidomos që të vazhdonte veprimtaria e shkollave në gjuhën shqipe, që materialet e Kuvendit të botoheshin në gjuhën shqipe, që në Kishë të flitej e të shkruhej shqip. Vatikani vetë kërkoi që edhe nga tribuna e një kuvendi të organizuar prej tij, të miratohej përdorimi i shqipes për qëllime fetare. Madje urdhërohet që “gjuha e shqiptarëve” (këtu përdoret për të parën herë në histori emri shqiptar), të mësohet nga meshtarët, që mund të jenë edhe të huaj. Këtu qëndronte edhe dallimi qenësor i popullsisë katolike, prej pjesës dërmuese të popullsisë, që kishte marrë rrugën e islamizmit, duke përdorur edhe gjuhët e tij të shenjta: arabishten e turqishten e duke zvogëluar arsyet e shkrimit të shqipes.

Pra Kuvendi merr në mbrojtje dy çështjet më jetike për Vendin: fenë dhe kombin.

Në Kuvendin e Arbënit, pothuajse çdo gjë që është e mirë, vendoset në suazat shqiptar (Arbën) dhe katolik, përkundër së keqes myslimane dhe sllavo-ortodokse në radhët e shqiptarëve, që paraqiteshin si jo shqiptarë. Në Dokumentet e Kuvendit, ky qëndrim ishte shumë i bindshëm, ngaqë në krye të tekstit theksohet disa herë se edhe Papa, i pari i katolikëve, është Arbënesh. Me një fjalë të gjitha elementet etnike vishen me petkun konfesional, arma më e fortë e një rrethi të ngushtë e të vogël besimtarësh katolikë, të shkelur e të torturuar në shekuj nga presionet më brutale të të huajit, që ishte bërë zot në një tokë, e cila s’i përkiste. Prandaj shqiptarizmi i tyre shkëlqen nga sinqeriteti, në bashkim me të gjitha forcat ballkanike, në luftë kundër armikut të përbashkët.

Materialet e Kuvendit në gjuhën latine u hartuan nga Imzot Vinçenc Zmajeviqi. Përkthimi i parë në gjuhën shqipe mendohet të jetë i Atë Françesko da Lecce, siç e vërtetojnë edhe të dhënat për jetën e gramatikanit të parë të shqipes. U botua në Romë më 1706. Botimi i dytë, me disa shtesa latinisht, pa dritën e shtypit në Romë, i përkthyer nga dora e shkrimtarit të njohur shqiptar, Don Ejwll Radojës, më 1868. U përsërit nga i njëjti shkrimtar me 1872. Rëndësi të dorës së parë iu dha qartësisë së gjuhës, në mënyrë që dekretet e Kuvendit të ishin sa ma të kuptueshme për masat e popullit.

Botimi shqip i materialeve të Kuvendit të Arbënit “çmohet porsi i pari botim aktesh kishtare sinodale në gjuhën tonë”, me aq sa dihet.

Ato dalin nga një mbledhje e nivelit të lartë sinodal për Shqipërinë veriore e të mesme. Në këto akte gjejmë një material shumë të vyer për gjendjen e vështirë ekonomike të Shqipërisë në atë kohë, për gjeografinë, problemet e shkollimit etj.

Vepra në tërësinë e saj nuk kishte kërkesa për gjuhë artistike, megjithatë herë-herë ndeshet një përpjekje e tillë. Vende-vende lexohen shkrime me një shije të shquar letrare, si ato të Imzot Zmajeviqit të hartuara në krye të akteve, kushtesa e punuar në Perast më 10 korrik 1703, Thirrja, e lëshuar në Kurbin më 2 dhjetor 1703 si dhe Ligjërata e mbajtur në mbledhjen e Mërqîsë së Lezhës nga gjysma e janarit 1703.

Teksti shqip i “Kuvendit të Arbënit” është një dëshmi e 1706-tës në historinë e shkrimit të shqipes. Ai ka vlera të mëdha për historinë e gjuhës, të cilës i thotë “gjuha e shqiptarëve”. E kjo është e para herë ndër botime shqipe që në vend të emrit arban, më të vjetër, doli një tjetër, emri etnik shqiptar. Monument i çmueshëm i gjuhës shqipe janë aktet e Kuvendit të Arbënit.

Me studimin e tyre janë marrë Doktor Atë Vinçenc Malaj, Profesor Kolë Ashta, doktor Engjëll Sedaj e Rexhep Ismaili.

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale