Protagonisti kryesor i rastit “Reket”, biznesmeni i njohur, Orce Kamçev, po flitet se nuk gjendet në Shkup dhe se është arratisur jashtë vendit.
Ai ishte personi që kishte xhiruar me kamera gjithë ngjarjen kur i dha 1.5 milion euro për të shpëtuar nga Prokuroria Speciale, pasi ishte ndër të dyshuarit kryesor në rastin “Perandoria” për pastrim parash dhe veprime tjera të paligjshme.
Ai pas një periudhe me ndërmjetësimin e shoumenit Boki 13 dhe përmes dhënies së parave kishte përfituar daljen nga paraburgimi dhe më pas edhe kthimin e pasaportës, që më pas u pa në një udhëtim në Gjermani. Nga Prokuroria Speciale nuk e dinë se ku gjendet Kamçev.
“Nuk kam njohuri ku është për momentin, nuk kam autorizim të kërkoj ku është. Për këtë shkak duhet sa më shpejtë të sillet Ligji për prokurori publike, që të mundet PSP-ja dhe Prokuroria e rregullt publike ta kryejnë punën e tyre.
Për momentin, prokuroria e rregullt publike nuk mund të ndërmerr veprime për lëndët e PSP-së. Kështu është sipas ligjit”, theksoi prokurorja Lila Stefanova, e cila udhëheq rastin “Perandoria”.
Ndryshe, Kamçev posedon pasaportë të përkohshme me lejen e Katica Janevës, edhe pse prokurorja në rastin “Perandoria”, Lile Stefanova paraprakisht tha se ka qenë kundër këtij vendimi ndërsa nënshkrimin e ka vendosur prokurorja Elizabeta Josifovska.
Mediet maqedonase shkruajnë se ai gjendet jashtë vendit, konkretisht në Bullgari, ku po pushon në jaht.
Ai është ambasador nderi i Bullgarisë në Maqedoninë e Veriut. Në rast se rezulton se është arratisur, ai është njeriu i dytë pas ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili u arratis në Hungari.