MENU
klinika

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë

Rriten punësimi, pagat dhe shfrytëzimi i kapaciteteve

25.08.2019 - 20:54

Paga mesatare mujore bruto vijoi ecurinë rritëse në tremujorin e parë të këtij viti.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja vjetore e treguesit në terma nominalë rezultoi 4.9%, pas rritjes së shënuar me 3.4% një tremujor më parë. Ndërkohë, e zhveshur nga inflacioni, paga mesatare mujore u rrit me 3.3%, nga 1.5% që kishte qenë rritja në tremujorin e mëparshëm.

Rritja e pagës mesatare mujore vazhdon të mbetet më e lartë në sektorin privat krahasuar me sektorin shtetëror. Në sektorin privat, rritja e pagës mesatare mujore rezultoi 3.3% në terma realë, ndërsa në sektorin shtetëror rritja ishte 1.2%.

Zhvillimet në tregun e punës ishin pozitive edhe në tremujorin e parë të vitit, me një rritje vjetore të punësimit me 1.4%.

Kontributin kryesor e dha numri më i lartë i të punësuarve në sektorin e shërbimeve. Të dhënat e tregut të punës tregojnë për një përmirësim të gjendjes së ekonomisë dhe ngushtim të hendekut negativ të prodhimit.

Kjo dëshmohet edhe nga përmirësimi gradual i normës së shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese nga bizneset.

Ky tregues ishte në nivelin 75.6% në tremujorin e dytë të vitit 2019 dhe u rrit me 3.1 pikë përqindje në terma vjetorë, i ndikuar në masën më të madhe nga shfrytëzimi me një shkallë më të lartë i kapaciteteve në aktivitetet e shërbimeve.

Nga vrojtimet, rezulton se bizneset se po i shfrytëzojnë kapacitetet e tyre me një normë rreth 1.9 pikë përqindje më të lartë se mesatarja historike.