Në kujtim të At Zef Pllumit, në ditën e datëlindjes së tij.
“Hapni sytë e shikoni realitetin me sy, shihni se jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën. Pse?… Mjerisht duket se tash shumë kohë ne nuk na punon logjika si tjerëve: i thurim lavde vedit për mbrapambetjen tonë, turpet i quejmë ‘virtyte të larta të kombit’. Jemi verbue shpirtnisht pse na mungon mendja e kthjelltë e inteligjenca për me pa se ku jemi; na mungojnë vullneti e trimnia për me thanë të vërtetën… Shka na mungon ne që mos të jemi si europjanët tjerë? Toka, jo; dielli e deti, jo. Na mungon mendja e mentaliteti e, mbi të gjitha dashunia. Nuk na sjell lavdi lashtësia, në qoftë se nuk jemi të qytetnuem. Nuk na sjell lavdi origjina, në qoftë se jemi të përçamë dhe mendojmë si t’i bajmë vorrin vëllaut.”
| At Zef Pllumi |
Meshtar françeskan, shkrimtar. At Zef Pllumi, lindi më 28 gusht të vitit 1924, në Malin e Rencit (Lorencit), në Shëngjin, në një familje me origjinë nga Shkreli. U pagëzua me emrin Prenkë. Në vitin 1929, në moshën 5 vjeçare, u bë nxënës i misionarit gjerman Alfons Tracki, në Velipojë. Në vitin 1931 hyri në Kolegjin Françeskan të Shkodrës, ku ndoqi të gjithë ciklin e arsimimit, deri në vitin 1944. Në vitet 1943-1944 bashkëpunoi me revistën
«Hylli i Dritës» dhe u zgjodh sekretar personal i Át Anton Harapit, aso kohe Provincial i françeskanëve në Shqipëri. Gjatë kohës që ishte dhjak, Át Antoni e vuri të ndihmote në Arkivin Françeskan. Ishte 22 vjeç, kur më 14 dhjetor 1946, u arrestua dhe dënua me tre vjet burg.
Shkak për arrestimin e tij, sikundër thotë dhe vetë, ishte sepse duke qenë sekretari personal i Provincialit, komunistët mendonin se duhej të dinte shumë dhe se nga ai mund të nxirrnin informatat e duhura. Dënim e vuajti në «Burgun e Madh» të Shkodrës dhe në kampet e Bedenit në Myzeqe dhe të Orman-Pojanit në Maliq të Korçës. Pas lirimit u kthye në Kuvendin Françeskan. Në vitet 1949-1951 u mor me numizmatikë, si teknik i Muzeut të Shkodrës. Në vitin 1956 u shugurua meshtar dhe, për 12 vjet shërbeu si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh, për ku u nis më 14 shtator 1958, bashkëme provincialin, Át Augustin Ashikun. Në vitin 1967 u arrestua sërish dhe për 23 vjet vuajti dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme, si në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Tiranë. U lirua më 1989. Një vit më vonë, Natën e Kërshëndellave, filloi meshtarinë në Kishën e Shna Nout në Tiranë, deri në vitin 1997. Nga viti 1993 gjer më 1997 rinxorri revistën «Hylli i Dritës».
Gjatë këtyre viteve shkroi dhe botoi trilogjinë «Rrno vetëm për me tregue», vëllimet «Françeskanët e mëdhenj», «Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo» e «Ut heri diçebamus-siç i thonim dje». Një ndër nismat e tij më me vlerë është dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë. Në vitin 2006 Presidenti i Republikës e dekoroi me Urdhrin «Nderi i Kombit». Po këtë vit, u nderua edhe me çmimin letrar «Penda e Artë», e akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, për trilogjinë me kujtime «Rrno vetëm për me tregue». Vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli në Romë, ndërsa u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.
Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist III (Tiranë: ISKK, 2014), 234.