MENU
klinika

Nga Kurt Gostentschnigg

O komb shqiptar – zgjohu në Shpirtin tënd!

30.08.2019 - 15:03

      Ndërsa në përgjithësi nocioni “komb” kuptohet njësoj nga të gjithë, për nocionin “shpirt” (angl. “soul”) njerëzit nuk janë të një mendjeje. Që të mos keqkuptohemi tepër shumë në vijim, duam së pari të sqarojmë në një ekskurs të shkurtër filozofik kuptimin e nocionit “shpirt”, i cili do të zbatohet këtu, para se të fillojmë me temën e mirëfilltë. Pasi kemi vetëm vend për një artikull dhe jo për një libër ose enciklopedi, lexuesi është i lutur të na falë, në qoftë se nuk hyjmë në hollësirat e panumërta dhe mund te dukemi pllakativ me një temë, e cila pretendon të trajtojë Perëndinë dhe botën. Po qe se lexuesi i interesuar dhe kërkues ndihet i stërmunduar, atëherë mund t’i këshillojmë vetëm që të thellohet intelektualo-spiritualisht në veprën e pasur përkatëse të Shri Aurobindos (angl. Sri Aurobindo) dhe të kthehet mistiko-spiritualisht në qenien e tij më të brendshme, ku Shpirti i tij dhe Hyjnorja presin, derisa zbulohen nga ai./Kultplus.com

Në qoftë se një asgjë është origjina dhe qëllimi, atëherë jeta është pa kuptim, një ëndërr, një iluzion. Ose bile edhe më pak se kaq. Në qoftë se një diçka është origjina dhe qëllimi, atëherë jeta ka kuptim, është realitet. Por si dimë se ekzistojmë me të vërtetë? Nga që jemi koshientë për ekzistencën tonë. Koshiencë është të qenë. Dhe si mund ta shprehim këtë koshiencë dhe ta bëjmë efektive? Nëpërmjet forcës së koshiencës. Por pse ekzistojmë? Pse jemi koshientë për të qenët? Pse shprehemi dhe veprojmë? Për të qenë të lumtur apo të palumtur? Sigurisht për të qenë të lumtur. Me këtë kemi caktuar të katër atributet më të para të diçkasë në të vërtetë të pashprehshme dhe të pamendueshme, të cilën duam ta quajmë Hyjnoren ose Veten: Të Qenë, Koshiencë, Forcë e Koshiencës dhe Lumturi.

Sipas eksperiencave spirituale dhe mistike, Hyjnores i atribuohen cilësi të mëtejshme si pafundësi dhe përjetësi. Ajo është Njëri/I Vetmi dhe Të Shumtët, të cilat prehen në të. Njësia e saj dhe Shumësia e saj, të pahapësirë dhe të pakohë, shfaqen në hapësirë dhe kohë nëpërmjet universalitetit, kolektivitetit dhe individualitetit. Pra, ajo është edhe Të Qenët transhendent, mbikozmik, e pahapësirë dhe e pakohë edhe Të Bërët imanent, kozmik, hapësinor dhe kohor. Ajo është personalitet dhe jopersonalitet, të dyja të përjetueshme në mënyrë transhendente dhe imanente si të dyja anët e së njëjtës medalje, si dy vija paralele, që takohen në pafundësi. Ajo është burimi i energjisë dhe energjia, edhe në Të Qenët edhe në Të Bërët.

Shumësia e Të Qenit vendos Shpirtrat si përfaqësuesit e saj në Të Bërët. Prandaj Shpirti në esencën e tij është i pavdekshëm, i përhershëm, pa fillim dhe pa fund, i pakrijuar. Në çdo individ, çdo njeri, çdo kafshë, çdo bimë, çdo kolektiv, çdo komb, tërë njerëzimin prehet një Shpirt. Mentalja, vitalja dhe trupi janë instrumentet e natyrshme të Shpirtit për shpalosjen e tij individuale dhe kolektive nga lindja në lindje, për rritjen e Qenies së tij Shpirtërore, e cila është e mbuluar nga qenia e saj të brendshme dhe të jashtme, deri në momentin kur ajo të dalë në plan të parë dhe të marrë përsipër udhëheqjen e natyrës së saj instrumentale.

 

 

 

 

Në qoftë se shikojmë krijimin e sotëm dhe historinë e deritanishme të krijimit, atëherë si duket ka pasur një rënie të thellë involucionare të një pjese të Të Shumtëve deri në jokoshiencë, e cila ka krijuar të gjitha botët me qeniet dhe forcat e tyre, kështu që po gjendemi në mes të një procesi të mundimshëm evolucioni në botën materiale gjatë kthimit për në koshiencën absolute. Një nga çështjet më të diskutuara të filozofisë dhe teologjisë është, pse ka ndodhur kjo rënie nga përsosmëria dhe dija në papërsosmëri dhe padije. Për këtë mund të ketë vetëm një përgjigje: liria absolute e Të Shumtëve. Një pjesë nga ata donte të përjetonte harrimin e Perëndisë dhe të Vetes dhe, bashkë me të, të bërët koshient për Perëndinë dhe Veten.

Spiritualiteti, i quajtur jogë në lindje, njeh shumë rrugë drejt ribashkimin me Hyjnoren. Të trija rrugët kryesore janë të menduarit, të ndierët dhe të vepruarit. Rruga e të menduarit është rruga e gjatë dhe e vështirë e njohjes dhe dijes drejt transhendencës jopersonale të Hyjnores, e cila fsheh në vetvete rrezikun e mohimit të jetës. Rruga e të ndierit është rruga e shkurtër dhe e lehtë e përkushtimit dhe dashurisë drejt transhendencës personale të Hyjnores, e cila e pohon jetën. Ajo hyn në rrugën e tretë të të vepruarit, në të cilën gjithë veprimi dhe të gjitha frytet e veprimit i kushtohen Hyjnores.

Në qoftë se Hyjnorja mbikozmike është e pafund, atëherë manifestimi kozmik i koshiencës së saj është i pafund, atëherë sipër mentales së inteligjencës dhe arsyes duhet të ketë shkallë ende më të larta të koshiencës, të cilat manifestohen gjatë evolucionit në materie dhe çojnë hap pas hapi në koshiencën e unitetit. Kështuqë mesa duket ne sot qëndrojmë para një realizimi individual dhe kolektiv të një mentaleje më të lartë, të ndriçuar dhe intuitive. Në qoftë se njeriu, nëpërmjet përkushtimit ndaj Hyjnores dhe mëshirës së Hyjnores, bëhet gjithnjë e më shumë koshient për Shpirtin e tij hyjnor dhe ngjitet shkallëve të koshiencës deri tek shkalla e intuitës, e cila e sheh direkt të vërtetën hyjnore, atëherë përse i duhen ende fetë kolektive si instancë ndërmjetësuese? A nuk është çdo marrëdhënie individuale midis Shpirtit dhe Hyjnores feja e vërtetë?

Tani mund të fillojmë me temën e mirëfilltë. Lidhur me instrumentet e natyrshme të Shpirtit ka një diferencë midis veriut dhe jugut të Evropës. Kalimi është i rrjedhshëm dhe nuk mund të dallohet një kufi strikt. Në veri dominojnë mentalja, intelekti, inteligjenca dhe arsyeja, ndërsa në jug emocioni, ndjenja, forca dhe impulsi. Të dy, veriu dhe jugu, mund të mësojnë dhe të përfitojnë nga njëri-tjetri. Por më në fund të dyja, edhe arsyeja edhe ndjenja, duhet të transhendohen në Qenien Shpirtërore, e cila vendoset jashtë nga Shpirti dhe zhvillohet nga lindja në lindje. Dalja përfundimtare e Qenies Shpirtërore nga sfondi do t’i japë fund shkllavërimit të deritanishëm të egos nga natyra instrumentale dhe do të marrë përsipër sundimin mbi energjinë e vet.

Shqiptarët anojnë nga ndjenjat dhe jetojnë më shumë në zemër. Prandaj ata janë më afër Shpirtit të tyre, i cili ka selinë e tij të fshehtë prapa zemrës, sesa shumica e evropianëve që ka prirje nga mentalja, intelekti dhe arsyeja dhe jeton më shumë në kokë. Por çfarë duan t’i ofrojnë botës shqiptarët? Korupsion, obsesion për pushtet, përçarje, prostitucion, kontrabandë njerëzish, drogash e armësh, shkatërrim ambienti, turbokapitalizëm dhe varësi nga konsumi? Apo vitalitetin e tyre të udhëhequr nga zemra dhe Shpirti për të mirën e kombit të tyre dhe të gjithë njerëzimit? Çdo komb mund të zgjedhë se cilin rol dëshiron të luajë në botë. Ashtu si kombi indian, në rastin e zgjimit të tij më në fund në Veten e tij të vërtetë, mund të marrë përsipër rolin si udhëheqës spiritual në botë, edhe kombi shqiptar, sapo ai nuk identifikohet më me vitalen dhe mentalen e tij instrumentale, por është zgjuar në Shpirtin e tij qenësor, mund të marrë përsipër rolin udhëheqës spiritual në Evropë.

Shumë që po e lexojnë këtë, ndoshta do të pyesin veten se si një komb aq i vogël mund të udhëheqë një kontinent të tërë. Këtu nuk bëhet fjalë për madhësinë sasiore, por për atë cilësore. Kush tjetër do të ishte në gjendje ta bënte këtë? A ka vallë një komb në Evropë, i cili është tashmë zgjuar në Shpirtin e tij? Gjermania apo Franca, të cilat adhurojnë ende perëndinë mentale të arsyes iluministe që tashmë është duke dhënë dorëheqjen, dhe duan të vrasin jetën dhe Shpirtin e kombeve evropiane me topuzin byrokratik të centralizmit dhe me kamën ëmbëlsisht helmuese të kapitalizmit të koncerneve? Italia, Polonia apo Hungaria, të cilat adhurojnë përsëri perëndinë vitale të vullnetit niçean për pushtet dhe duan të rizgjojnë fantazmat nacionaliste luftënxitëse të egos kolektive? Apo islamizmi militant që po penetron gjithnjë e më shumë në Evropë, me idealin e tij, i cili mohon lirinë personale, të ngritjes së një teokracie në kuptimin e konvertimit mesjetar të dhunshëm të të pafeve në gjoja besimin e vetëm të vërtetë? A munden këto tri ideologji të vjetruara të së kaluarës të jenë sot zgjidhja e përkryer për gjetjen e një rrugëdaljeje nga gjendjet e shumta problematike komplekse jetëkërcënuese të njerëzimit dhe për nisjen në një epokë të re të mundësive ende të pamarra me mend për individin dhe kolektivin në koshiencën rritëse të unitetit në shumëllojshmëri? Unë mendoj se mjafton pak gjykim i shëndoshë për të mundur t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.

Në qoftë se krahasojmë historinë e indianëve me atë të shqiptarëve, atëherë zbulojmë disa paralele interesante. Edhe India edhe Shqipëria kanë një të kaluar koloniale shekullore. As India as Shqipëria nuk kanë sulmuar kurrë ndonjë vend tjetër. Në të dyja vendet turbokapitalizmi, korrupsioni, largimi i trurit dhe materializmi i importuar nga perëndimi pa bazë spirituale e minojnë jetën kombëtare. Gandizmi i Ibrahim Rugovës në Kosovë çoi në një rrugë pa krye, sepse serbët nuk janë britanikë, të cilët i përmbahen fair play-it. Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte rrugëdalja nga ky qorrsokak, rruga e luftës së pashmangshme, siç tregohet në B’hagavad Gitë, librin e shenjtë të hinduve. Megjithatë, aksionet hakmarrëse të luftëtarëve të UÇK-së ndaj serbëve dhe romëve pas luftës do të thonin braktisjen e rrugës së luftës legjitime për liri dhe pavarësi. Hinduizmi është një fe e paorganizuar e shumëllojshmërisë në unitet. Prandaj ai ka mbijetuar 5000 vite. Mistiku indian Shri Ramakrishna i shekullit të nëntëmbëdhjetë provoi të tri fetë botërore – hinduizmin, krishterimin dhe islamin – dhe në të tri rrugët gjeti Perëndinë. Edhe Shqipëria është një shembull i bashkëjetesës paqësore shekullore të katolikëve, myslimanëve, ortodoksëve dhe bektashinjve.

Ashtu si indianët edhe shqiptarët duhet të gjejnë ende d’harmën e tyre, d.m.th. fatin e tyre të brendshëm. Për këtë kërkohet sidomos avangarda spirituale e të gjitha besimeve dhe individëve të ndriçuar, për të krijuar qendra drite të zhvillimit kolektiv të koshiencës, ashtu siç bektashinjtë rreth vëllezërve Frashëri kanë marrë përsipër dikur rolin pararendës për Rilindjen duke qëndruar në traditën mistike të sufizmit. Kombi i ri shqiptar dallohet nga një vitalitet i madh. Por vetëm atëherë, kur ai nuk e vë më këtë forcë të çmueshme në shërbim të egos kolektive, por e përqendron rreth Qenies Shpirtërore Kolektive, që ende duhet zbuluar, ai mund të luajë rolin e tij të lindur dhe të pangatërrueshëm për bashkimin spiritual të Europës dhe të botës.

 

 

 

 

 

Shqipërinë dhe Indinë i lidh edhe fakti i ndarjes së kombit. Për sa i takon motivacionit përkatës, ka një ndryshim thelbësor: ndarja indiane ndodhi nga brenda për shkak të kontradiktës midis hinduve dhe myslimanëve; ndarja shqiptare ndodhi nga jashtë për shkak të baraspeshimit të interesave të fuqive të mëdha. Pakistani dhe Bangladeshi, ish-Pakistani Lindor, janë të lidhur së brendshmi me Shpirtin indian. Prandaj, ribashkimi i tyre me nënën Indi do të ndodhë herët a vonë. Çdo patriot e ndien Shpirtin prapa kombit të tij, vendit të tij. Njeriu mund ta perceptojë këtë Shpirt Kolektiv, por nuk mund ta përkufizojë, sepse ai qëndron përtej Mentales. Në qoftë se Shpirti Kolektiv ekziston në brendësi, atëherë ai kërkon një rrugë për manifestimin e tij në jashtësi. Prandaj zhvillimi i ardhshëm i çështjes shqiptare është ende i hapur: A do të kemi pas dy deri tri brezave një komb të vetëm shqiptar ose një komb shqiptar dhe një komb kosovar? Në rast se një Shpirt Kolektiv qëndron prapa kosovarëve tashmë gati për manifestim, ne do të kemi pas disa dekadave dy kombe shqipfolëse, siç ka qenë pas Luftës së Dytë Botërore rasti me Gjermaninë dhe Austrinë. Në rast se Kosova mbetet në brendësi e lidhur me Shpirtin shqiptar, do të ndodhë edhe këtu herët a vonë ribashkimi i saj me nënën Shqipëri. E njëjta gjë vlen për vendbanimet e tjera me shumicë shqiptare, të cilat kufizohen me Shqipërinë dhe Kosovën. Në qoftë se ka një Shpirt, individualisht dhe kolektivisht, gjë, nga e cila ne po nisemi këtu, atëherë ai del një ditë në pah dhe i merr frerët në dorë. Pastaj është vetëm një çështje e kohës, dekadave ose shekujve, derisa bashkohet së jashtmi – në çfarëdo mënyre që të jetë –, që është e lidhur së brendshmi përherë.

Para se e reja të dalë përfundimisht në pah, e vjetra ngrihet edhe një herë në madhësinë e plotë, megjithëse ajo e di se i ka ardhur ora. Është vetëm çështje kohe. Sa do të zgjasë dhe në ç’mënyrë do të ndodhë, varet nga vendimet tona individuale dhe kolektive, dhe vërtet në çdo çast, në të cilin ne bashkëkrijojmë të ardhmen tonë nëpërmjet të menduarit, të ndierit dhe të vepruarit tonë. Pyetja e madhe, të cilën duhet t’ia bëjmë vetes dhe së cilës duhet t’i japimpërgjigje individualisht dhe kolektivisht, është nëse duam të vazhdojmë të jetojmë në vdekshmërinë e frikshme dhe të dhimbshme të egos së ndarjes apo duam të fillojmë të jetojmë më në fund në pavdekshmërinë trime dhe të lumtur të Vetes së unitetit. Në cilin rast shanset për mbijetesën dhe mundësitë për shpalosjen e individit dhe kolektivit janë më të mëdha? Përgjigjen e kësaj pyetjeje ne e njohim.

Pse atëherë nuk drejtojmë gjithë të menduarit, të ndierët dhe të vepruarit tonë sipas kësaj, me qëllim që ajo të bëhet një ditë, më mirë herët sesa vonë, realitet? Kjo ka të bëjë me një rezistencë të dyfishtë: me rezistencën e natyrës sonë më të ulët prej mentales, vitales dhe trupit dhe me rezistencën e forcave armiqësore rreth nesh. Individi duhet t’i prijë kolektivit, duke filluar një proces të pastrimit dhe qetësimit të brendshëm, të refuzimit të të gjitha ndikimeve antihyjnore dhe të hapjes ndaj influencës hyjnore, derisa kjo aspiratë spirituale të lërë Qenien e vet Shpirtërore të dalë nga sfondi dhe si rrjedhojë mëshira hyjnore të mund të shkaktojë shndërrimin gradual të natyrës sonë më të ulët njerëzore në natyrën më të lartë hyjnore, gjë që nuk mund të kryhet nga vetë ne.

Çfarë vlen për individin, vlen edhe për kolektivin; çfarë vlen për njeriun tek, vlen edhe për kombin dhe për gjithë njerëzimin. Në qoftë se mjaft individë i hapen këtij transformimi, atëherë, herët a vonë, kolektivi do t’i ndjekë ata. Të gjithë njerëzit me vullnet të mirë, me zemër dhe Shpirt, elita spirituale, intelektuale dhe shkencore e vendit, rinia, nxënësit dhe studentët, shpresa për të ardhmen tonë, janë të thirrur të marrin pjesë në mënyrë koshiente në këtë proces transformimi për të mirën e individit, të kombit, të njerëzimit dhe të planetit. O komb shqiptar – zgjohu në Shpirtin tënd!/Konica.al

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen