Një 36-vjeçar, ish-mësues Fizkulture, i dënuar për vrasje është plagosur me armë zjarri në rrethana ende të paqarta në Vlorë.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e sotme (30 gusht) në lagjen “10 Korriku”, ndërsa policia thotë se rreth orës 19:23, në Spitalin Rajonal të Vlorës ka shkuar i plagosur, dyshohet me armë zjarri Eljus Thartori 36 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“36 vjeçari ka qenë në ballkonin e banesës së tij në lagjen “10 Korriku” dhe në rrethana ende të paqarta dyshohet se është plagosur me armë zjarri”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe gëzhoja, ndërsa nga spitali bëhet e ditur se 36-vjeçari ka pasur djegie.
Kush është i plagosuri?
Eljus Thartori, ish-mësues i Fizkulturës, por i shkarkuar për precedent penal për vrasje, prej pak kohesh kishte qenë jashtë shtetit. Ai ka qenë mesues edhe pse ishte i dënuar me 10 vite burg për akuzën e vrasjes me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.
Policia po heton në pistën e hakmarrjes, duke u nisur edhe nga e kaluara e Thartorit.
Policia ka ngritur postblloqe për të bërë të mundur kapjen e autorëve, ndërsa janë marrë në pyetje edhe familjarët e Eljus Thartorit.
Rasti i 36-vjeçarit është denoncuar edhe në një emision investigativ, teksa ai u filmua duke luajtur me letra në klasë me nxënësit dhe i mësonte këto të fundit që të ofendonin drejtoreshën e shkollës.