Spektakël pa fund, plot 7 gola, shtylla, traversa dhe raste të shumta shënimi.
Ishin këto episodet që prodhoi ndeshja mes Juventusit dhe Napolit në javën e dytë të Serisë A, dy skuadra që i kanë dhënë tonin rivalitetit në Itali vitet e fundit dhe që sonte nuk u ndalën për asnjë moment, deri në vërshëllimën finale të arbitrit Daniele Orsato.
Sfida nisi më mirë për Napolin, që ishte më i qartë në qarkullimin e topit dhe vuri në provë të vështirë portierin polak të Juventusit Szczesny, por golin e avantazhit e shënuan bardhezinjtë në minutën e 16’.
Juventinët u nisën në një kundërsulm të shpejtë dhe Douglas Costa bëri gjithçka mirë në zonë, duke shërbyer saktë për Danilon, i cili një minutë më parë kishte zënë vendin e De Sciglios, dhe braziliani nuk fali duke dërguar topin në rrjetën e Meret.
Vetëm dy minuta më vonë, ishte Gonzalo Higuiain, që pasi mori një top në zonë, “hutoi” mbrojtësin senegalez Koulibaly dhe mposhti për herë të dytë Meret, duke bërë që festa të ishte e tëra bardhezi.
Me rezultatin 2-0 përfundoi pjesa e parë, ndonëse rastet ishin të pafundme për të dyja skuadrat, që luajtën hapur dhe në kërkim të golave të tjerë, ndërsa aksionet zhvendoseshin sa në një portë, në tjetrën.
Në fillim të pjesës së dytë Ancelotti aktivizoi blerjen më të re Lozano dhe portugezin Mario Rui, duke lënë në dhomat e zhveshjes kapitenin Insigne dhe mbrojtësin Ghoulam, por protagonistë ishin sërish juventinët, që gjetën edhe golin e tretë.
Douglas Costa bëri një tjetër shpërthim në krahun e majtë të sulmit dhe shërbeu saktë për portugezin Cristiano Ronaldo, i cili po me të njëjtën saktësi mposhti Meret për herë të tretë dhe krijoi idenë se ndeshja ishte mbyllur tashmë.
Megjithatë 4 minuta më vonë Napoli rigjeti entuziazmin, teksa pas zhvillimeve të një goditjeje dënimi, ishte greku Manolas që u gjet i zbuluar në zonë dhe me një gjuajtje të saktë me kokë, mposhti portierin e Juventusit.
Vetëm dy minuta më vonë ishte meksikani Lozano që u shërbye në zonë nga Zielinski dhe i shpëtoi mbulimit të mbrojtësit holandez De Ligt, për të shënuar edhe golin e dytë për napolitanët, që rihapën tërësisht ndeshjen.
Juventus tentoi të reagojë, duke hedhur në fushë Dybalën në vend të Higuain, ndërsa Douglas Costa goditi sërish traversën e napolitanëve, që nga ana tjetër gjetën edhe golin e barazimit në minutën e 81-të.
Pas një faulli në dëm të Lozanos, ishte Callejon që krosoi topin në zonë, ndërsa mbrojtësi i ardhur nga Empoli, Di Lorenzo erdhi në shtyllën e dytë dhe i shpëtoi sërish mbulimit të De Ligt, duke çuar topin në rrjetë dhe rikthyer baraspeshën totale.
Megjithatë kur dukej se gjithçka do të mbyllej në barazim, erdhi një goditje dënimi për Juventusin, me bardhezinjtë që hodhën një top pa shumë pretendime në zonë, por në tentativë për ta larguar, Koulibaly e devijoi topin në rrjetën e portës së Meret.
Dy vite më parë senegalezi u bë hero në “Allianz Stadium”, duke shënuar golin e fitores për Napolin në minutat shtesë, ndërsa mbrëmjen e sotme gaboi shënjestër, duke i dhënë fitoren Juventusit, në një ndeshje që prodhoi spektakël dhe gola të shumtë