MENU
klinika

Nëse doni të kuptoni ekstremizmin

Pesë filmat që duhet ti shikoni patjetër

01.09.2019 - 15:52

Ideologjitë e dhunshme ekstremiste janë duke u përhapura gjithnjë e më shumë në nivel global. Eshtë e qartë se frenimi i kësaj vale, kërkon një qëndrim “të ashpër ndaj krimit”.

Ky është një problem më i thellë. Në të vërtetë, luftimi i ekstremizmit kërkon më shumë sesa masa policore dhe sigurie. Sociologët dhe kriminologët duhet të marrin një rol parësor në trajtimin e radikalizmit, duke parë faktorë të tillë si përjashtimi social, arsimi dhe lëvizja sociale.

Dhe kur vjen puna për të kuptuar rrënjët e radikalizimit, të parit e një filmi mund të jetë një pikënisje e mirë. Filmi ka fuqinë të ndryshojë mënyrën si e shohim botën. Të parit e një filmi na vendos ballë për ballë me njerëz dhe situata, që përndryshe nuk do i ndeshnim.

Kjo përzgjedhje filmash tregon problemin e ekstremizmit në kompleksitetin e vet. Ata largohen nga rrëfimet me heronj dhe të këqinj të Hollywoodit, dhe ekzaminojnë se si njerëz realë mund të ekstremizohen. Ashtu sikurse përmbajnë ide shpresëdhënëse për t’iu kundërvënë fenomenit.

1. White Right: Meeting the Enemy (2017)

Një dokumentar mbresëlënës që flet për rritjen e terrorizmit supremacist të bardhë, White Right ka për regjisore Deeyah Khan, e cila ishte duke filmuar në mitingun e Charlottesville, ku u vra protestuesja antifashiste Heather Heyer.

Kur interviston supremacistët e bardhë, Khan tregohet e sinqertë për identitetin e saj musliman dhe prirjet liberale. Por në vend që t’i angazhojë burrat që interviston në debate ideologjike, ajo përqendrohet në emocionet e tyre dhe nënvizon se si sistemet e tyre të besimit kanë ndikuar mbi të personalisht.

Shembulli më mbresëlënës i qasjes së Khan është Ken Parker, një anëtar agresiv i një organizate neo-naziste. Pasi kalojnë ca kohë së bashku, Khan i lexon Kenit disa abuzime raciste që ajo ka pësuar, pas një interviste në BBC. Në një skenë prekëse dhe transformuese, Ken, dukshëm i dëshpëruar, thotë, “Unë nuk dua të lëndoj ndjenjat tuaja … ju konsideroj një mike”.

Për njerëzit si Ken, aderimi në ekstremizëm ofron një ndjenjë të përkatësisë. Kur u përball me dhimbjen që ideologjia e tij i shkaktoi një personi të vërtetë, ai zgjodhi ta braktiste atë ideologji. Ai tani është një anëtar aktiv në Kishën lokale Afro-Amerikane.

2. The Reluctant Fundamentalist (2011)

Donald Trump mund të mendojë se ndalimi i udhëtimit mbi disa vende muslimane mund të ndalojë terrorizmin në SH.B.A., por natyrisht, është e pamundur të dish se kush është, ose kush do të bëhet terrorist, duke u nisur vetëm nga kombësia ose ngjyra e lëkurës.

Kjo është premisa e filmit të Mira Nair-it “The Reluctant Fundamentalist”: ne nuk e dimë nëse protagonisti, Changez, është apo jo terrorist.

Djali i një familje pakistaneze me gjak blu, por tashmë të ndarë, Changez studion në Princeton dhe fiton një pozicion të lakmuar në një kompani elitare konsulence në Manhatan. Ai vetë pohon: “Unë jam një dashnor i Amerikës”. Por kjo është epoka e 11 shtatorit – Amerika nuk është një dashnore e Changezit, pasaportës së tij pakistaneze dhe as pamjes së tij “myslimane”.

Si shoqëri, ne korrim atë që mbjellim. Pas 11 shtatorit, masat e rritura dhe poshtëruese të sigurisë si dhe profilet racore armiqësuan pjesëtarë të komunitetit mysliman në SHBA. Filmi tregon gjithashtu se ka lloje të ndryshme fondamentalizmi – mënyra si i trajtojmë ata që dyshohen për terrorizëm, mund të shpjerë drejt një manie fondamentaliste: “Të gjithë mund të radikalizohemi pak”.

3. Four Lions (2010)

Krijuesi i Brass Eye, Chris Morris do të vijë në tetor me satirën politike “The day shall come”, kështu që kjo mund të jetë kohë shumë e mirë për të riparë Four Lions.

Duke lexuar lajmet për celula terroriste, Morris vërejti se përmbanin elemente të farsës. Banda e xhihadistëve është thjesht një grup çunash të shkathët.

Four Lions vë në lojë paaftësinë e një bande aspirantësh për xhihadistë dhe frikërat tona nga gogoli terrorist. Filmi tregon gjithashtu se tërheqja ekstremiste për të rinjtë britanikë nuk është fetare, por lidhet me një sërë mërish, dhimbjesh, pakënaqësish ndaj kapitalizmit dhe konsumerizmit.

4. Making Of (2006)

Shumë rrëfime mbi radikalizmin përqendrohen në vendet perëndimore, por filma si “Making of” i Nouri Bouzid, na kujtojnë se radikalizimi është një problem global. Ky film trajton dy çështje që përmenden vazhdimisht si faktorë kryesorë të rrezikut: rininë dhe maskulinitetin.

Filmi nxjerr qartë faktorët shtytës dhe tërheqës që motivojnë ekstremizmin te të rinjtë: mungesa e mundësive për punë, ndjenja e turpit dhe poshtërimit, shpëlarja e trurit nga liderët ekstremistë. Më e rëndësishmja, sugjeron filmi, është mungesa e shpresës për të ardhmen.

Bhatha, i riu i radikalizuar në film, na vjen jo si një terrorist i zemëruar e i egër, por si një i ri i hutuar dhe madje i brishtë. Një nga momentet më të trishta në film është kur Bhatha thotë: “Unë nuk ëndërroj më”.

Kjo përkon me argumentin e antropologut Scott Atran se aspiratat janë thelbësore në parandalimin e radikalizmit – ne duhet t’u japim të rinjve shpresë, të inkurajojmë pasionet dhe ëndrrat e tyre dhe t’u japin atyre atë që ai e quan “një jetë me kuptim”.

5. Maurice Sweeney, I, Dolours (2018)

Ndërsa kufiri irlandez vazhdon të jetë pikë penguese në politikën pro Brexit të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, është koha e duhur për të riparë një konflikt, dhuna dhe shkatërrimet e së cilit vazhdojnë të kenë ndikim mbi jetën e komuniteteve protestante dhe katolike në Irlandën Veriore.

I, Dolours është një dokumentar portret i Dolours Price, një republikane irlandeze që u bë një nga anëtaret më famëkeqe të IRA-s në vitet 1970 dhe 1980.

Price, e cila ndërroi jetë në vitin 2013, kthen kokën pas në ditët e saj në IRA. E burgosur për pjesëmarrjen në vendosjen e një autobombe në Bailey Old në Londër në vitin 1973, Price dhe motra e saj Margaret ishin të parat të burgosura të IRA që hynë në grevë urie.

Një nga aspektet më trazuese rrugëtimit të Price drejt ekstremizmit të dhunshëm, është se si mund të ishte shmangur – si nxënëse shkolle, ajo u tërhoq së pari në lëvizjen paqësore të të drejtave civile të Afro-Amerikanëve si Martin Luther King.

Vetëm pas brutalitetit të sulmit në Urën Burntollet, Price hoqi dorë nga metodat paqësore të emancipimit – duke treguar se dhuna krijon dhunë.