Qëndrimi dhe përjetimet në kampet e refugjatëve gjatë luftës në Kosovë, është shndërruar në angazhim ndaj refugjatëve të tjerë sot për Dastid Feratin.
Në profesionin e arkitektit, ai po studion anën e urbanizmit arkitektonik të kampit Kakuma, si një ndër kampet më të mëdha të refugjatëve në Afrikë.
Përmes arkitekturës, ai po planifikon ndryshimin e direktivave të UN-it për ri projektimin e kampeve në të cilët refugjatët jetojnë më tepër se pesë vjet, në pritje të një zgjidhjeje.
Kjo ide është mirëpritur edhe nga përfaqësuesit e UN-it, të cilëve pritet t’ua prezantoj planin përfundimtar në marsin e vitit të ardhshëm.
I gjithë ky përkushtim për refugjatët lindi pasi Dastidi ishte vetë refugjat në vitin 1999.
Ideja e Dastidit ka gjetur edhe përkrahjen e Qeverisë Japoneze, vend në të cilin ai jeton dhe ushtron profesionin si ligjërues dhe hulumtues.
Kampi Kakuma të cilin ai e ka model pune, gjendet në veri te Kenias dhe është themeluar që nga viti 1992.
Popullsia në këtë kamp është rritur në 150 mijë banorë, duke lindur edhe brezi i tretë i familjeve. E në tërë botën, jetë refugjati bëjnë 68 milionë njerëz.