MENU
klinika

Ja fundi i saj tragjik!

Sharlota, artistja hebreje që u vra shtatzënë nga nazistët

03.09.2019 - 20:12

Sharlota, artistja hebreje që u vra shtatzënë nga nazistët. Ja fundi i saj tragjik

Familja e saj kishte një fund tragjik, të prekur nga geni i vetëshkatërrimit. E ëma, tezja, daja e tezja e së ëmës dhe shumë kushërinjtë e saj vranë veten.

Por Sharlota trashëgoi dashurinë për jetën, dellin artistik dhe luftoi jo vetëm me trashëgiminë, por sa mundi edhe kundër nazizmit.

Sharlotë Solomon lind në prag të Luftës së Dytë Botërore në Berlin, në një familje hebraike. Si të mos mjaftonin traumat që do të shoqëronin jetën e saj, mes të cilave dhe vetëvrasja e së ëmës, Sharlota duhej të rritej, të edukohej dhe dashuronte, pikërisht në periudhën e tmerrshme naziste. Gjatë viteve të përndjekjeve, ajo gjen qetësinë te piktura. Kur përndjekja e hebrenjve arrin kulmin në Berlin, kur artistët u futën në kampe internimi dhe u shuan njëri pas tjetrit, ajo kërkoi shpëtim në Francë, ku në vetminë më të thellë, përjeton ethshëm kujtimin e dashurisë e të braktisjes dhe krijon një sërë veprash autobiografike të cilat rrëfejnë gjithë historinë e jetës së saj.

Në tetor të vitit 1943, ajo u deportua në kampin e vdekjes në Aushvic, nga ku nuk u kthye më.

Pjesë nga libri ‘Delikatesa’ të autorit francez David Foenkinos:

I hipin te treni nr. 60. Në një vagon për dyzet persona, ngjishen shtatëdhjetë. Me gjithë bagazhe, sigurisht. Aty ka të çmendur dhe pleq që i kanë kapur nëpër azile. Kujt mund t’i besohet se do t’i shpien në një kamp pune? Përse i marrin të sëmurët mendorë dhe ata me një këmbë në varr? Kjo hollësi hedh dritë mbi të vërtetën. Një djalë i ri thotë: Do të na vrasin, duhet të ikim. Kështu që kërkon si e si t’ia mbathë, do që të thyejë dërrasat e vagonit. Disa persona i hidhen sipër për ta penguar.

Gjermanët kanë qenë shumë të qartë në këtë pikë. Në zbulofshin se mungon qoftë edhe një, do të ekzekutohen të gjithë të tjerët. … Më në fund, treni arrin atje ku duhej. Nata është krejt e errët dhe e akullt. Ashtu si në nisje, vagonët rrinë të mbyllur. Përse nuk i hapin? Përse nuk i lënë të marrin ajër? Duhet pritur sa të zbardhë. Kjo zgjat më se dy orë. Çdo i shpërngulur zbret më në fund nga treni. I llahtarisur, i rraskapitur, i uritur.

Mjegulla e mëngjesit nuk të lë ta dallosh kampin. Nuk shquhen as qentë që lehin. Syri të zë vetëm një mbishkrim sipër kangjellave të hyrjes: Arbeit Macht Frei. Puna të bën të lirë. Tani të gjithë duhet të rreshtohen. Aleksandri me Sharlotën e dinë se përsëri do t’i ndajnë. Ata përfitojnë nga çastet e fundit që po kalojnë bashkë. Pas pak do t’u thonë se te cili grup duhet të shkojnë. Disave do t’ua kursejnë vdekjen e menjëhershme. Sepse treni i tyre ka mbërritur të nesërmen e festës së Kipurit.

Atë ditë kur nazistët futën në dhomat me gaz pak më shumë se zakonisht. Si për t’u vënë në dukje rëndësinë e këtij veprimi. Kështu që nëpër baraka ka më shumë vende të lira. … Te hyrja e ndërtesës mund të lexosh se atje gjenden dushet. Para se të futet brenda, secila zhvishet. Rrobat duhen vënë në një varëse. Një roje femër çirret me të madhe. Para së gjithash, mos harroni numrin e varëses suaj. Gratë e ngulin në kujtesë këtë shifër të fundit. Dhe hyjnë në sallën e pafund. Disa mbahen për dore. Atëherë, dyert mbyllen me dy të rrotulluara çelësi, si në burg. Lakuriqësia, nën dritën e akullt, i gërryen trupat. Bie në sy Sharlota me barkun e fryrë. E rrethuar nga të tjerat, ajo nuk lëviz. Duket sikur shkëputet nga ai çast. Për të mbetur atje.

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen