Aleksandër Stipçeviq lindi në Arbënesh të Zarës në Kroaci më 1930.
Ai rrjedh nga një familje arbëreshë e rrethit të Shkodrës, të cilët treqind vjet më parë u shpërngulën në rrethin e Zarës. Ka studiuar arkeologjinë dhe ka drejtuar një varg institucionesh e projektesh që lidhen me bibliotekat, historinë e librit, botimet enciklopedike etj, deri në Akademinë e Shkencave në Zagreb, shkruan KultPlus.
Aleksandër Stipçeviq është kontribuues më i madh sa i përket veprave për ilirët dhe historinë e librit.
Disa nga këto vepra janë: Historia e ilirëve, Arti i ilirëve, Simbolet e kultit te Ilirët, Bibliografi për ilirët, Historia e librit, Censura në biblioteka, Interpretime albanologjike etj. Më shumë se dyzetë vjet emri i tij identifikohet me rezultatet më të reja të studimeve ilire.
Aleksandër Shandri Stipçeviq ka vdekur më 31 Gusht të vitit 2015. Ndërsa sot po e kujtojmë me një video të postuar nga Albert Ramaj, ku albanologu arbëresh shihet duke folur arbërisht ndërsa janë shfaqur edhe këngë origjinale arbëreshe që këndohen. Ai përmes kësaj videoje tregon për ruajtjen e gjuhës, dhe se si u tregojnë të gjithëve prejardhjen e tyre.
“Ndër ne arbëreshët flitet edhe arbërisht por pak nga pak po harrohet gjuha. Ne që e dimë nga kemi ardhur, e kush jemi, ne themi se jemi arbëresh, ne flasim për etnikisht kurse në aspektin politik jemi kroat”, thotë albanologu Stipçeviq.
Ai përmes kësaj videoje tregon se si ai dhe disa arbresh të tjerë kanë shkuar në disa fshatra, afër Liqenit të Shkodrës për të parë vendet prej nga e kanë prejardhjen.
Ata kanë shkuar në fshatin Kalmeta, prej nga vjen edhe njëri ministër i quajtur Bozhidar Kalmeta, dhe kemi dashur ta shohim se prej nga vjen ai dhe njerëzit e tjerë me këtë mbiemër. Ata më pas kanë vizituar edhe Korçën, e Tiranën ndërsa më pas kanë qenë të ftuar dy herë në një emision të rëndësishme kroate, për të treguar eksperiencën e tyre në Shqipëri.
“Është një traditë shumë e madhe nga kemi ardhur, kush jemi dhe si po flasim. Ne dhe gjenerata ime po flasim arbërisht, por fëmijët e vogël nuk po dinë, janë 280 vjet që ne e kemi ruajtur gjuhën”, thotë Stipçeviq në këtë intervistë.
Lidhur me këngën “Unë jam arbëresh”, ai thotë se kjo është një këngë origjinale që e kanë sjellë nga Shqipëria, ai thotë se me vete e kanë marrë melodinë e kësaj këngë kurse fjalët i kanë shkruar vet, ndërsa Stipçeviq po ashtu tregon se si ai si fëmijë është rritur më këngë arbëreshe.
“Unë kam qenë i vogël dhe kam ditur dy-tri këngë që nëna ime m’i ka mësuar, unë kam ditur t’i këndoj këto këngë”, ka thënë arkeologu Aleksandër Stipçeviq.
Ai krejt në fund të intervistës tregoj për ruajtjen e gjuhës arbëreshe, e cila kuptohet nga shqiptarët e Shqipërisë, mirëpo jo edhe arbëreshët e Zarës janë në gjendje ta kuptojnë për shkak se nuk kanë mundur ta përcjellin zhvillimin e gjuhës./ KultPlus