Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka dalë në një konferencë për media pas takimit me senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Ron Johnson në Beograd.
Presidenti Vuçiç ka deklaruar sot se Serbia nuk mund ta njohë pavarësinë e Kosovës nëse nuk vjen deri te një zgjidhje kompromisi dhe shtoi se pozicioni i Beogradit zyrtar për këtë çështje nuk është aspak i lehtë.
“Pozicioni ynë nuk është aspak i lehtë. Shqiptarët presin të marrin konfirmimin e asaj që mendojnë se tashmë e kanë fituar. Nuk dëshirojnë të pranojnë asgjë më pak sepse nuk dëshirojnë të pranojnë se kurrë nuk do të jenë shtet i konsoliduar pa Serbinë. Sigurisht se presioni më i madh do të jetë mbi Serbinë. Por, Serbia nuk mund ta njohë pavarësinë nëse nuk vjen deri te një zgjidhje kompromisi. Nuk ka shumë filozofi. Mund të na mundojë kush do që dëshiron”, deklaroi Vuçiç në konferencë për media.
Pas takimit me senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Ron Johnson në Beograd, Vuçiç ka përsëritur qëndrimin se Serbia dëshiron arritjen e një zgjidhje kompromisi me Prishtinën dhe se ajo marrëveshje nuk duhet të përfaqësojë vetëm realizimin e kërkesave të njërës palë, e pala serbe të mos fitojë asgjë.
Presidenti serb ka thënë se duhet të mundësohet një marrëveshje me të cilën të dyja palët humbin dhe fitojnë në mënyrë të barabartë.
“Përmirësimi i raporteve mes serbëve dhe shqiptarëve dhe arritja e paqes së qëndrueshme mes dy popujve më të mëdhenj në Ballkanin Perëndimor do të ishte shumë e dobishme, jo vetëm për ata dy popuj por edhe për të gjithë të tjerët që jetojnë në atë hapësirë”, u shpreh Vuçiç.
Ai ka thënë se pjesa më e madhe e bisedës me senatorët ka kaluar në temën e Kosovës dhe i falënderoi mysafirët për angazhimin në arritjen e një zgjidhjeje për vazhdimin e dialogut dhe arritjen e një kompromisi mes Beogradit dhe Prishtinës.
“Senatorët kanë treguar sa janë të kënaqur me ekonominë e Serbisë dhe sa shumë dëshirojnë të ndryshojnë disa gjëra në sundimin e së drejtës. Unë i kam dëgjuar dhe u kam thënë se shumë gjëra mundemi dhe do t’i përmirësojmë”, përfundoi Vuçiç.