MENU
klinika

E pabesueshme!

Ja sa ishte rroga e Enver Hoxhës gjatë komunizmit

07.09.2019 - 18:59

Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22-të.

Ai e mbajti këtë detyrë nga 23 tetori 1944 deri më 19 korrik 1954, plot 9 vjet, 9 muaj e 26 ditë.

Në librin e tij “Historitë e 33 kryeministrave të Shqipërisë”, gazetari dhe pedagogu Roland Qafoku i jep të njëjtën hapësirë edhe diktatorit shqiptar Enver Hoxha, si edhe drejtuesve të tjerë të shtetit shqiptar. Veçse ai e përdor shumë rrallë përcaktorin “diktator”.

  • ENVER HOXHA HERO I KOMBIT?!

Enver Hoxhës i mjaftuan vetëm pak vite për të ngritur kultin e tij. Këtë e bëri jo vetëm me vrasje, arrestime e dënime, por edhe me vlerësime për veten e tij. Vetëm në pak vite si kryeministër ai mori 11 dekorata dhe urdhrat më të lartë që merr një shqiptar. Hero i popullit, Urdhër i Lirisë së Klasit të Parë, Urdhër i Flamurit, Medalja e Kujtimit, Urdhri Partizan i klasit të parë, Urdhër i Skënderbeut i klasit të parë, Urdhër i Trimërisë, Urdhri “Ylli i Kuq”, Medalja e Trimërisë, Medalja e Çlirimit. Kulmi i vetëdekorimit arrin kur, vetëm 1 vit e 11 muaj si kryeministër, mori urdhrin “Hero Kombëtar”.

Çdo komb ka një Hero Kombëtar. Që gjatë Rilindjes dhe me ngritjen e shtetit shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte heroi ynë kombëtar. Por më 27 nëntor 1946, Shqipëria bëhet i vetmi vend në botë me dy heronj kombëtarë. Me Skënderbeun dhe Enver Hoxhën. Dhe çudia vijon: bashkë me titujt dhe urdhrat e tjerë këta tituj vazhdojnë të jenë edhe sot, që ka kaluar një çerekshekulli nga rrëzimi i komunizmit.

  • RROGA E ENVER HOXHËS

Kryeministër, ministër i Mbrojtjes, ministër i Jashtëm, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH, gjeneral kolonel, Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Askush nuk ka mbajtur njëkohësisht kaq shumë detyra në historinë e shtetit shqiptar. Por sa e kishte rrogën Enver Hoxha? Revista “Time”, e vitit 1971, zbulon se Hoxha merrte 2 mijë lekë të rinj, ose me kursin e asaj kohe 240 dollarë amerikanë.

  • VJERSHA E KRYEMINISTRIT

Enver Hoxha rezulton i vetmi kryeministër që ka bërë një vjershë gjatë kohës që ka qenë në këtë detyrë. Edhe Fan Noli si vjershëtor u mor me përkthime gjatë ushtrimit të detyrës, ndërsa Mehmet Shehu kishte hedhur në vargje impresionet e luftës së Spanjës, por jo kur ishte kryeministër. Por muza e Enver Hoxhës u frymëzua nga një pikëllim i madh, për kë do thoni ju? Vdekja e babait të tij shpirtëror, Josif Stalin. Ja dhe vjersha që sot më shumë të bën për të qeshur:

“Nënë buçet Shkumbini
Djalo ka vdekur
Stalini Mëndjethelli, zemërtrimi
E kish caktuar Lenini
Të forcohej komunizmi”.

  • 10 VJET KRYEMINISTËR, 40 VJET DIKTATOR, ASNJË GËRVISHTJE

Për 40 vjet Enver Hoxha drejtoi me dorë të hekurt Shqipërinë. Afro 100 mijë është shifra zyrtare që jepet për ata që kanë vuajtur gjatë sistemit komunist ose janë vrarë, ose janë burgosur apo internuar. Ndërkohë as në 10 vite si kryeministër dhe as në 30 të tjera si sekretar i parë i Komitetit Qendror, Enver Hoxhës nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë. Asnjë atentat, asnjë përpjekje, asnjë tentativë, asnjë plan nuk është konfirmuar që një apo disa shqiptarë të synonin për ta eliminuar Enver Hoxhën.

Sa ironike është ajo që thotë Sulo Gradeci, kryetari i grupit të Sigurimit të Enver Hoxhës, për 30 vjet, në intervistën e dhënë autorit të këtij libri në vitin 2007: “Enverin e ruante i gjithë populli”. Është më se kuptimplotë pyetja naive e një studenti tim të gazetarisë, në një orë leksioni: “Si ka mundësi që me tërë ato krime që ndodhën, si nuk e qëlloi dikush diktatorin, të paktën me llastiqe?”.

enver hoxha-konica.al
  • VDEKJA DHE PASVDEKJA

E megjithatë edhe diktatorët një ditë vdesin. Fati i keq i Shqipërisë që diktatori shqiptar jetoi gjatë dhe po i gjatë ishte vargu i viktimave që ai shkaktoi në 4 dekada. Më 11 prill 1985, kur ai vdiq ishte 76 vjeç, 6 muaj e 5 ditë. Por duket se të gjitha pasojat e atyre që bëri Enver Hoxha i pati pas vdekjes. Më 20 shkurt 1991, shtatorja e tij gjigante në sheshin “Skënderbej” u tërhoq zvarrë duke u shndërruar në simbolikën e rrëzimit të komunizmit.

Mesnatën e 3 majit të vitit 1992, u zhvarrosën eshtrat e tij dhe u hoqën nga varrezat e Dëshmorëve të Kombit për t’i varrosur në Sharrë po atë ditë. Por jo për të gjetur prehje. Në 20-vjetorin e vdekjes së Enver Hoxhës, Teuta Hoxha, nusja e djalit të tij, tha për “Tirana Observer”: “40 herë e kanë shkatërruar varrin e Enverit që pas vitit 1992. Ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta rregullojmë sa herë ata na e prishin”.

Por historia e varrit të Enverit nuk mbaron vetëm me eshtrat. Në vitin 1996, në kodrat e Liqenit të Tiranës, në kujtim të ushtarakëve anglezë të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, u përurua një memorial bashkë me varrezat e 100 pjesëtarëve të misioneve që u vranë në tokën shqiptare.

Gazeta “Tirana Observer” zbuloi në vitin 2006 se pllaka përkujtimore prej mermeri me ngjyrë të kuqe nuk ishte gjë tjetër veçse pllaka e varrit të Enverit që dikur qëndronte në varrezat e Dëshmorëve. Një çudi që vazhdon të jetë edhe sot dhe po çudi vazhdon edhe kokëfortësia e atyre që e kanë vënë dhe atyre që e kanë për detyrë ta heqin.

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët