Charles Leclerc është kampion në Çmimin e Madh të Italisë. Piloti i dytë i Ferrarit fitoi i vetëm duelin me Mercedes, duke i lënë pas shpine Bottas dhe Hamilton.
Kjo është fitorja e kokëkuqes në pistën e shtëpisë pas 9 vitesh.
Përgjatë gjithë garës ishte një duel tepër i fortë mes 22-vjeçarit të Ferrarit dhe kampionit të botës, por në fund Hamilton gaboi vetë në një kthesë, duke humbur edhe vendin e dytë ndaj shokut të skuadrës, Valteri Bottas.
Një garë për t’u harruar në pistën e Monzas ishte për Sebastian Vettel, i cili u nis nga vendi i katërt, por në xhirot e para bëri një gabim duke humbur kontrollin e makinës dhe shkaktoi një aksident në pistë, për këtë u dënua me 10 sekonda penalitet dhe një parakalim në bokse, ndërsa në fund arriti ta mbyllë garën vetëm i 13-ti.
Vendi i katërt i takoi Ricciardo të Renault, ndërsa pas tij u renditën Hulkenberg, Albon, Perez, Verstappen, etj.