MENU
klinika

Profil/ Naile Hoxha

Si e mahniti këngëtarja shkodrane Enver Hoxhën?

10.09.2019 - 12:21

Naile Hoxha lindi në Shkodër më 31 dhjetor 1934.

Nailja ishte këngëtare e muzikës popullore shqiptare.

Si simbol i punës dhe ushtrimit të artit në perfeksion përmes talentit të saj, ajo u dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri” kl. II dhe më 1976 me titullin “Artiste e Merituar”.

Çfarëdo motivi feste të kenë shqiptarët gjithnjë duket se do ta këndojnë e vallzojnë këngën e saj, “Xhamadanin kuq si gjaku”, të paktën kështu kanë treguar brezat. Ajo mbahet si një prej këngëve më të suksesshme të Nailes. Suksesi i saj kaloi kufijtë edhe përtej Shqipërisë, duke mos lënë shumë pas edhe “Moj e mir synin larush”, “Djal i dashtun”, apo “Seç po fryn fllad pranvere”.


Këngëtarja shkodrane ishte pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë.

Zëra të tillë, jo më kot marrin ‘gradën’ bilbilë të këngës, nga vetë populli.

Nuk guxojmë shumë kur themi se ishte një nga këngëtaret mëtë suksesshme e ndër ato që merrnin dashuri prej publikut.

Që në moshën 13 vjeçare, në nisje krah të atit, artistja e madhe e plejadës së këngës, kshte interpretuar tashmë dhjetra këngë. Për tu pasuar më vonë drejt Radio Shkodra e në kompeticione të rëndësishme kombëtare.

“Kam qenë 13 vjeçe kur kam dalë për herë të parë në skenë. Unë punoja në një shtypshkronjë. Aty këndoja për qejf dhe kur më dëgjuan, zëri im u pëlqeu. Më thanë dilja dhe të këndoja. Pata sukses që herën e parë kur dola në skenë. Më pas më ka marrë Radio Shkodra dhe që në moshë të re dhe kam bërë disa regjistrime”, rrëfente vetë këngëtarja.

Një karrierë historike, prej 5 dekadash në skenën e muzikës shqiptare.

Shumë shpejt iu bashkua zërave të tjerë të njohur si Luçie Miloti, Big Ndoja, Ibrahim Tukiqi etj.

Në moshën 18 vjeçare së bashku me familjen ajo transferohet në Tiranë për t’iu bashkuar Estradës se Tiranës dhe më pas Ansamblit të Këngëve dhe valleve popullore.

Një zonjë e vërtetë, me krenarinë dhe hijeshinë e një gruaje shkodrane mbi supe, Naile Hoxha dhuronte këngë të cilat edhe sot janë të ngulitura si pararojë e artit shkodran e shqiptar.

Perla e këngës popullore qytetare shkodrane zgjodhi që vitet e fundit të jetës së saj t’i kalonte në një qendër rezidenciale private, në qytetin e Shkodrës.

Edhe pse tentoi të jetojë me vajzën e saj të vetme në Gjermani nuk ia doli dhe preferoi që të lërë Gjermaninë dhe të vijë në Shqipërinë e saj, në Shkodrën e dashur për të kaluar momentet e fundit.

Ajo nuk e fsheh se ka qenë një nga këngëtaret e preferuara të udhëheqjes komuniste. Ka kënduar nëpër mbledhje, takime delegacionesh, madje dhe në ditëlindjen e diktatorit.

Naile Hoxha, një nga emrat më të mëdhenj të muzikës popullore shqiptare tregon si ia nisi rrugës së muzikës, si erdhi në Tiranë me kërkesën e Enver Hoxhës, për të ndërtuar një karrierë gati 60-vjeçare.

Naile Hoxha nuk ka asnjë arsye për t’u ankuar. E ka zgjedhur vetë Enver Hoxha, ka kënduar për delegacione të huaja, madje edhe në përvjetorin e 60-të të diktatorit.

Ajo nuk e fsheh se edhe mbiemri i njëjtë me udhëheqësin e asaj kohe, e ka ndihmuar shumë.

Për Panoramën dikur këngëtarja rrëfente: “Po, e vërtetë. Erdhi njëherë në Shkodër tek Shtëpia e Kulturës. Na thanë se duhet të këndonim me rastin e vizitës së Enverit. Ai erdhi. Kur u ngjit për shkallësh, i bukuri i dheut ishte.. Atëherë ishte 42 vjeç. Këndoi Luçije Miloti, Ibrahim Tukiçi, Xhevdet Hafizi, Bik Ndoja dhe të gjithë të tjerët. Mua më lanë për në fund. Këndova këngën: “Në pranverë që kena hi/drandofilja po lul’zon…”, një këngë që ta nxjerr mirë zërin. E këndova dhe e përshëndeta. U bëra gati të shkoj në vendin tim. Foli shkodranisht: “Po hajde, hajde njëherë ti k’tu”. Unë shkova ku ishte Enveri dhe i vendosa dy duart tek krahët. Më pyeti se a shkoj në shkollë. Jo, i thashë unë, vetëm tek shkolla e natës, sepse punoj në shtypshkronjë. “Punon dhe këndon, shumë mirë”, tha ai. “Po kush asht njaj djali atje?”, prap shkodranisht më pyeti. “Është i fejuari”, i thashë. Erdhi burri im dhe i dha dorën, e pyeti se ku punon dhe i tregoi se ishte shofer. E pyeti për moshën. Atëherë ai ishte 18 vjeç, kurse unë 15. “Shofer dhe me kurajo”, tha Enveri. Meqë i pëlqeu zëri im, tha se duhet të shkonim në Tiranë. U martuam dhe shkuam në Tiranë, pas 3 vitesh nga ajo ditë. Kur shkova, Ansambli nuk ishte hapur akoma dhe më dërguan tek Estrada”.

Në intervistat e saj të fundit Naile Hoxha do të shprehej se nuk e kishte frikë sistemin e shkuar, por nuk e ka as nostalgji. Ajo bënte mirë atë që dinte të bënte.

Nuk e mohonte kurrsesi që edhe për partinë ka kënduar shumë asokohe, në mbledhje, kur vinin të huaj, dhe sa e sa herë edhe vargjet “Rrofsh Enver sa malet tona”.

Naile Hoxha ishte e pëlqyera e funksionarëve të lartë të kohës, veçanërisht mes këngëve shkodrane.

Aq sa këndonte edhe në festat familjare të vetë Enver Hoxhës.

Naile Tula, do të ishte vajza e brishtë e cila me një mbiemër të dytë Hoxha, (përkatësisht mbiemrin pas martesës, “Hoxhiç”), do të favorizohej si shumë pak artistë të asaj periudhe.

Në Kinë, Vietnam, Kore, Bullgari, Rumani, Francë, Angli, Algjeri, Tunizi në Itali dhe shumë të tjera.

Secili prej këtyre shteteve e ka pritur Nailen, atëherë kur Shqipëria ishte e izoluar.

Por, pavarësisht gjithçkaje ajo nuk ndahej dhe mbi të gjitha më shumë Shqipërinë. Edhe në ato vite, as nuk tentoi kurrë, sipas rrëfimit të saj, të arratiset pasi nuk ndihej kurrë e kërcënuar. Ajo thotë se i ka rezistuar thjeshtë regjimit, pasi ka qenë e urtë, nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka kënduar.

E donte shumë Vaçe Zelën dhe mike të ngushtë. Të gjitha këto janë copëza kujtimesh që kanë mbetur pas nga intervistat e saj.

Duke ditur se çfarë ishte rrëfyer deri më tani, nuk do ishte çudi nëse Nailja do na kisht rrëfyer se edhe ishte ngacmuar nga njerëzit me pushtet, por jo, ndod e kundërta Ajo pohon se nuk ka ndodhur kurrë dhe as nuk njeh ndonjë që t’i ketë ndodhur diçka e tillë.

Për artisten, Shqipëria ka ndryshuar, dhe gjithçka është më mirë sot.

Por artsitë të tillë nuk vijnë më, sipas saj. “Të gjithë kanë vdekur dhe nuk i ka zëvendësuar kush. Edhe unë do vdes, sepse jam 82 vjeçe dhe nuk ka kush të më zëvendësojë.”

Edhe Naile Hoxha, ka lënë një vend bosh.

Ajo u nda nga jeta në moshën 82 vjeçare(29 Gusht 2016), për shkak se vuante nga zemra, në azilin e qytetit të Shkodrës, ku kaloi edhe ditët e fundit të jetës.

Duke i mbyllur sytë me merakun se nuk do të kishte më kush ta zëvendësonte.

Zgjodhi që vitet e fundit t’i kalonte me bashkëmoshatarë në qetësinë e intimitetin e një të moshuare, pavarësisht se nuk i mungonte kurrë dashuria dhe përkujdesi nga të afërmit dhe vajza e saj.

/ Bionelda Skonja

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen