Emri i tij gjendet vetëm nëpër arkiva si “arkitekti fashist Gherardio Bosio”.
Ai punoi në periudhën fatkeqe të gabuar. Etiketa “arkitekturë fashiste” penalizoi jo vetëm ndërtesat e realizuara, por edhe idetë revolucionare të Bosios në urbanistikë.
Korpusi qendror i Universitetit të Tiranës, që shënon fundin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Akademia e Arteve, Kolonada me Institutin Arkeologjik, Stadiumi, Kryeministria, Hotel “Dajti”, Pallati i Brigadave me gjithë parkun dhe mobiliet unike të tij etj, janë realizime të këtij arkiteti të shquar në periudhën e pushtimit fashist të Shqipërisë.
Vështirë se mund të gjendet në krejt historinë e arkitekturës botërore një aktivitet më intensiv dhe realizime më të mëdha se ato që Gherardo Bosio zhvilloi në Shqipëri. E gjithë puna e tij në Tiranë u bë vetëm për një vit e gjysmë: Gusht 1939 – Mars 1941.
Kur vuri këmbë në Tiranë në korrik të 1939-ës, ai ishte sakaq këshilltar i parë dhe drejtor i Zyrës Qendrore të Edilicjes dhe Urbanistikës. Zyra në fjalë kishte një funksion tejet të centralizuar; ajo ishte një organizëm qendror që administronte, nën direktivat unitare të një arkitekti, të gjitha planet rregulluese të qyteteve të Shqipërisë, por në funksion të saj ishte dhe “kontrolli i aktivitetit ndërtimor e privat në lokalitete të ndryshme të vendit në mënyrë që të mund të mundësohej zhvillimi racional, homogjen dhe i rregulluar me ligj”.
Veç Tiranës, Bosio filloi drejtimin e punës për planet rregulluese të Shkodrës, Milotit, Durrësit, Elbasanit, Korçës, Beratit, Vlorës e Sarandës, duke u përqendruar më së tepërmi në ato të Vlorës dhe Elbasanit. Për fat të keq këto plane, shpesh tepër të detajuara, nuk u zbatuan.
Gherardio Bosio rridhte gjenitikisht nga një familje e pasur bankierësh dhe ushtarakësh fiorentinë.
Themelues i grupit të kryesuar nga Micchelucci, punoi me vepra të mëdha urbanistikie në Adis-Abeba, Gondar, Dessié, Gimma, Rieti, në Amerikën Latine e Tiranë. Ai i përket kryekëput brezit të arkitektëve që mbaruan universitetet në vitet ‘26-‘27 të shek XX që kërkonin një “international style”.
Bosio vdiq nga kanceri në moshën 38-vjeçare, më 16 prill 1941, në vilën e tij të Montefontit në Firence.
Vdiq duke punuar mbi projektet e Shqipërisë deri në orën e mbrame. Viti i fundit i jetës së tij ishte një vit i ndarë mes punës, ndërhyrjeve kirurgjikale dhe dhimbjeve të sëmundjes së pashërueshme që i kish zënë pritë. Familjarët morën vesh se kish thuajse një vit që kurohej vetëm kur ai u kthye në shtëpi për të mbyllur sytë.
La pas atë që kritiku Cresti e përmbledh me fjalët: “Gherardo Bosio i jetoi me hov krijues të padiskutueshëm eksperiencat e tija projektuese e realizuese, krejtësisht i vendosur, ndonëse në pak kohë, për të lënë pas shenja konkrete dhe të çmuara të një profesionalizmi shembullor plot etikë dhe kulturë”;
Por, për ne shqiptarët, ai la pas një Kryeqytet.