Data 10 shtator e vitit 1922, do të ishte dita e shënuar kur u bë realitet shpallja e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, nga Fan Noli dhe klerikët ortodoksë shqiptarë. Kongresi kishtar në Berat, do të dëshmonte një prej ngjarjeve madhore për kombin.
Kongresi kishtar i Beratit, plotësoi kësisoj aspiratat e ortodoksëve shqiptarë – u vendos përfundimisht pavarësia e Kishës Ortodokse Shqiptare, e drejta e zgjedhjes së Kryepeshkopit dhe të klerikëve të lartë me gjak shqiptari, si dhe përdorimin e gjuhës shqipe prej klerikëve shqiptarë brenda kishës.
Me vendimin Nr. 807 të datës 18. 09. 1922, Këshilli i Ministrave miratoi njohjen zyrtare shtetërore për vendimet e Kongresit të Beratit, duke i miratuar ato plotësisht, pasi ato mbështeteshin mbi parimin e pavarësisë.