Duke shfletuar Fjalorin e Gjuhës Standarde Shqipe, në shumë raste mund të ndeshim fjalë të cilat as që e kemi ditur se janë pjesë e leksikut që gjuha jonë zotëron.
Këto fjalë, koha mund t’i ketë zbehur, por jo zhdukur. Prandaj ekzistojnë, mes të tjerash, edhe dy kategori të mëdha leksikore:
Arkaizmat
Barbarizmat
Fjalori, sigurisht që shërben edhe për të gjetur paraqitjen e saktë grafike të fjalës, pasi, në të folurën e përditshme, jo vetëm ne që në përditshmërinë tonë flasim në dialekt (unë jetoj në Shkodër), ngatërrojmë t me d (duhet “standard” e jo “standart”), apo ë-në fundore që në më të shumtën, nuk shqiptohet (“ëmbëlsirë” dhe jo “ëmbëlsir”).
Ndërkohë, funksioni kryesor i fjalorit është të japë shpjegime të qënësishme për fjalët që përbëjnë leksikun e gjuhës tonë i cili, për hir të së vërtetës është një leksik mjaft i pasur.
Ka raste kur shpjegimi i një fjale në fjalor ka më tepër se tri apo katër faqe pasi fjala është polisemantike, pra me shumë shpjegime.
Ashtu sikurse ka raste kur një fjalë ka vetëm një kuptim.
Për një fjalë të tillë do të shkruaj edhe sot:
MENDJEFEMËR
Fakti që një fjalë e tillë ekziston është diçka e çuditshme, por kuptimi që kjo fjalë mbart, është edhe më i çuditshëm:
Që i pjell mendja, krijues; që e ka mendjen të shkathët, që i punon koka.
Është mendjefemër.
Pra mësojeni: Nëse tani doni t’i drejtoheni ndokujt me mendje krijuese, me mendje “prodhimtare” apo me mendje të shkathët, mund t’i thoni MENDJEFEMËR!