Profesor Kristo Frashëri, personalitet i papërsëritshëm i historiografisë shqiptare që ndërroi jetë në janarin e 2016, ka dedikuar pak para vdekjes një studim çështjes të marrëdhenieve shqiptaro-greke, dhe në veçanti historisë të popullsive shqiptare në Epir, i quajtur “Historia e Çamërisë”.
Ja disa pasazhe sintetike të mendimit të historiani i njohur për këtë çështje.
“Shqiptarët dhe grekët, pasardhës të ilirëve e helenëve të lashtë, banojnë në fqinjësi me njëri-tjetrin që nga periudha parahistorike. Gjatë shekujve kufijtë midis vendbanimeve të tyre, nga pikëpamja e përkatë- sisë etnike të banorëve, nuk kanë qenë asnjëherë të prera.
Kjo ka ndodhur ngase këto vise kanë qenë më tepër se 2000 vjet nën strehën e perandorive shumëkombëshe, të tilla si Perandoria Romake, Perandoria Bizantine dhe Perandoria Osmane, të cilat lejonin lëvizjet e fiseve dhe të kombësive brenda kufijve politikë në kërkim të vendbanimeve të reja.
Si kudo, edhe këtu në brezin anësor të vendbanimeve të shqiptarëve dhe të grekëve me kohë u krijuan vise me banorë të përzier nga të dyja etnitë.
Një nga këto zona kufitare me popullsi të përzier shqiptare dhe greke ka qenë dhe vazhdon të jetë treva e quajtur nga helenët e lashtë, Epir. Aty vazhdon të bëjë pjesë ndër të tjera edhe krahina e Çamërisë, në të cilën shqiptarët kanë qenë banorë që nga kohëra që nuk mbahen mend.
Me sa dihet, bashkëjetesa e banorëve të të dy etnive në të njëjtën trevë gjeografike, ndonëse ka zgjatur për mijëra vjet, nuk ka shkaktuar midis tyre asnjëherë konflikte etnike.
Kjo kuptohet po të kemi parasysh se të tria perandoritë e mëdha që kanë sunduar mbi to si perandori shumëkombëshe, e trajtonin nënshtetasin si burim fisku dhe si gregar fetar, por jo si militant nacionalist.
Puna ndryshoi kur në shekullin XIX lindën shtetet nacionale të pavarura ballkanike. Kjo për arsye se lindja e tyre përkoi me shfaqjen e lakmive nacionaliste.
Pikërisht në atë kohë lindën edhe lakmitë e qarqeve nacionaliste greke për të aneksuar Epirin, i cili nuk u përfshi në shtetin grek. Pra, që në atë kohë lindi dhe prirja e Athinës për të përfshirë në shtetin grek edhe viset e Shqipërisë së Jugut.
Ndryshe nga historianët shqiptarë, qarqet qeveritare të Athinës dhe ata historianë helenë, të cilët qëndronin dhe vazhdojnë të qëndrojnë prapa tyre, i konsiderojnë të drejta lakmitë nacionaliste të Athinës ndaj viseve shqiptare.
Madje, qarqet kishtare ortodokse të Greqisë nuk ngurrojnë t’i quajnë këto pretendime si lakmi të shenjta. Si rrjedhim, luftën për aneksimin e viseve shqiptare ato qarqe e kanë ngritur prej kohësh në nivelin e një kryqëzate fetare”, shkruan ndër të tjerat Kristo Frashëri në librin e tij “Historia e Çamërisë”.